Për shkak të një problemi me bllokimin e Whatsapp këto javët e fundit, vendosa të largohesha thuajse tërësisht për ca kohë edhe nga rrjetet sociale, për një eksperiment vetjak mbi ndjesinë e të qenët të palidhur me botën përmes teknologjisë, por veç përmes asaj që mund të mbërrish fizikisht… E vërteta është që ndjesia ishte një kombinim i lirisë dhe i vetkënaqësisë për ta përdorur kohën në mënyra të tjera, më afër fizikes dhe të prekshmes, por edhe më afër mendimit më të thellë dhe jo impulseve të shpejta që lënë në mes çdo lloj ndërveprimi logjik mes asaj që sheh dhe asaj që arrin të perceptosh dhe të përpunosh.
Nga ana tjetër, ndërveprimi mes shumë më tepër njerëzve në rrjetet sociale, jep mundësinë për më shumë komunikim, më shumë ndarje eksperiencash, më shumë informacion, sidomos kur ato përdoren në mënyrën e duhur dhe jo për mediokritete…
Duam apo s’duam, duhet ta pranojmë se mediat sociale janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë të përditshme, edhe për të sapolindur të një gjenerate që dominohet nga teknologjia, por edhe për ata që teknologjinë po e njohin ne moshë të thyer. Miliona mesazhe, video, tekste, përmbajtje qarkullojnë çdo ditë si një vorbull e madhe informacioni që na prek, na influencon, na mëson, por edhe na merr një pjesë të jashtëzakonshme të kohës si rrallëherë më parë. Ndikimi i tyre është i madh dhe prek shumë aspekte të jetës sociale, kulturore dhe ekonomike. Ndër përparësitë kryesore të mediave sociale është mundësia për të komunikuar në mënyrë të menjëhershme dhe të lehtë me njerëz nga e gjithë bota. Falë tyre, lidhjet familjare dhe shoqërore ruhet edhe në distanca të mëdha. Po ashtu, ato shërbejnë si burime të rëndësishme informacioni dhe ndihmojnë në ndërgjegjësimin për ngjarje dhe çështje me rëndësi publike. Shumë individë dhe biznese i përdorin mediat sociale për të ndërtuar imazhin e tyre personal apo profesional, për të promovuar produkte e shërbime dhe për të arritur audienca të reja. Një tjetër aspekt pozitiv është mundësia që secili të shprehë mendimet e veta lirshëm dhe të marrë pjesë në debatet publike. Megjithatë, krahas përfitimeve, mediat sociale sjellin edhe sfida dhe rreziqe serioze. Një nga problemet më të mëdha është varësia që ato mund të shkaktojnë, veçanërisht tek të rinjtë. Përdorimi i tepërt mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor, duke rritur ndjenjën e ankthit, depresionit apo pasigurisë personale. Një tjetër shqetësim është përhapja e lajmeve të rreme, e cila ndikon në keqinformimin e publikut dhe në polarizimin e opinionit. Çështjet e privatësisë janë po ashtu të pranishme, pasi të dhënat personale mund të përdoren pa lejen e përdoruesve. Shtuar kësaj, fenomeni i bullizmit dhe gjuhës së urrejtjes në platformat sociale po bëhet gjithnjë e më shqetësues, duke krijuar pasoja të rënda emocionale për të gjithë ne!
Kemi në dorë një mjet kaq të fuqishëm që mund të sjellë shumë të mira nëse përdoret në mënyrë të ndërgjegjshme dhe por kaq shumë të këqija nëse përdoret për qëllime jo të mira. Ajo që kemi në dorë si përdorues të teknologjisë, e sidomos të rrjeteve sociale, është ta përdorim për të influencuar kauzat e duhura, për të dhënë mesazhet e mira dhe për të komunikuar në mënyrën e duhur. Nëse mund ta influencojmë komunikimin për mirë, atëherë kjo është mënyra e duhur për ta përdorur këtë mjet kaq të rëndësishëm që kemi në dorë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.