Falë një minimum informacioni shkencor e kulturor, por edhe nga përvoja e tij, gjithsecili prej nesh e di se ç’është pak a shumë dashuria, si mund të lindë ajo, sa mund të zgjasë, si mund të mbijetojë, por edhe si mund të marrë fund. Mirëpo jo të gjithë e dimë që në vende e në kohë të ndryshme – që nga lashtësia e deri më sot – nocioni “dashuri” ka evoluar ashtu si vetë njerëzimi.
Për të qëndruar në shoqërinë e sotme shqiptare, veçanërisht pas shembjes së regjimit komunist, po dalin në pah disa tipare të reja në fushën e marrëdhënieve dashurore midis femrave dhe meshkujve, si për shembull, zëvendësimi i martesës me bashkëjetesën e çiftit, çka është kthyer në një dukuri që befason përherë e më pak njerëz sidomos në zonat urbane.
Në këtë kuadër mund të përmendim një tjetër dukuri që ende sot vazhdon të ngjallë debate në opinionin tonë publik lidhur me hendekun në moshë midis dy të dashuruarish. Në këtë drejtim tradita konservatore kërkon që në gjirin e çiftit mashkulli të jetë më i moshuar se femra ose të paktën që të dy të kenë pak a shumë të njëjtën moshë, kriter ky që, me sa duket, synon të nënvizojë epërsinë e mashkullit ndaj femrës, çka na kujton kohët e shkuara kur mendohej se një mashkulli nuk i kishte fare hije të ishte më i shkurtër se e fejuara apo bashkëshortja e tij.
Nga ana tjetër, sot vërehet se në mjaft vende të botës ka jo pak burra të rinj që shtiren sikur bien në dashuri me zonja të vjetra, por, në shumicën e rasteve, bëhet fjalë për dashurira me interes, ngaqë burra të tillë janë nga ata tipa që francezët i quajnë gigolos, pra burra të rinj, të cilëve u interesojnë vetëm paratë apo pasuritë e zonjave në fjalë.
Nga ana tjetër, mund të pohojmë se dashuria, ajo e vërteta, e vetvetishmja, tronditësja e themeleve të shpirtit, nuk mund të komandohet sipas dokeve të një shoqërie me ndikime diskriminuese pasoja të neveritshme të një epoke tashmë në hekë e sipër, e cila, edhe kur ishte vatër e një mendësie të prapambetur, përballej tashmë me mendime të kundërta të shprehura në forma proverbash apo aksiomash në botë (si në Francë: l’amour est aveugle), në Angli (love is blind) apo në Itali (l’amore è cieco), pra, në shqipe “dashuria është e verbër”, çka do të thotë që dashuria nuk pranon të komandohet sipas rregullash të sajuara nga një psikologji frenuese dhe, rrjedhimisht, denigruese.
Së fundi, le t’i referohemi edhe filozofit francez Blaise Pascal, i cili, që në shekullin XVII, shkruante se “Le coeur a ses raisons que la raison në connaît point”, pra, në shqipe, “Zemra ka arsyet e veta që Arsyeja nuk i njeh aspak”, d.m.th. zemra, metaforikisht vatra e nxehtë e dashurisë, përmban gjithë arsyet për të cilat dikush bie në dashuri, kurse Arsyeja, pra mendja e ftohtë, jo rrallëherë vatër rregullash të ngurta, konformiste, nuk do të mund t’i kuptojë kurrë përpëlitjet emocionuese të shpirtit kur ky gjen shpirtin e tij binjak e bie në dashuri me të.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.