Në hijen e natës, kur yjet bien në heshtje, diku thellë në shpirtin e tij një melodi rritet. Një zë i ëmbël i del prej shpirtit, si valë e përzierë në oqeanin e mendimeve të tij. Është djali i tij, i cili këndon me një zë të veçantë në tokën e ëndrrave, fluturon lirshëm… Rreth tij, ati qëndron i shtrirë në hije, duke dëgjuar atë, melodinë e pashkrueshme që i biri krijon. Bota në sytë e tij është ndryshe. Në mënyrën e tij të veçantë, ai kupton të vërtetën. Edhe pse fjalët janë të pakta, ndjenjat janë të fuqishme. Profesor Edmond Tupja, poet dhe përkthyes, vjen me ndjesi zemre, këngë poetike kushtuar djalit të tij, Gersit, një himn për autizmin dhe dritën e tij.
Në përgjithësi, familja, si edhe farefisi i një fëmije me autizëm, kur është e mirinformuar për këtë sindromë dhe pasojat e saj të rënda, nuk e kursen dashurinë për atë. Kështu, edhe ne, Xhilda e unë, gjyshet e gjyshërit e Gesit, të afërmit e tjerë deri edhe fqinjët, kurrë nuk kemi reshtur së faluri dashuri Gesit. Gjithmonë e kemi parë dhe vazhdojmë ta shohim mrekullinë që bën dashuria jonë për atë, dashuri e shprehur me fjalë të ëmbla, gjeste të buta, vështrim të dëlirë, të thellë, të dhembshur, me prani të përhershme e gatishmëri të pakursyer në çdo vend e në çdo kohë.
Nga dashuria për djalin tonë, do t’i kishim thënë me gjithë shpirt vdekjes: “Eja e na merr!” në qoftë se ky do të ishte i vetmi kusht për t’u plotësuar nga ana jonë që ai të bëhej thjeshti i zoti i jetës së vet e ta jetonte atë pak a shumë normalisht. E kemi rrethuar Gesin, pra, me dashuri në mënyrë krejt të natyrshme, instinktive, që buron bollshëm nga vetë marrëdhënia jonë me të: ai është gjaku dhe mishi ynë, fryti dhe kuptimi i jetës sonë. Gesi e ndien dashurinë që i falim dhe na falënderon, sipas mënyrës së vet, dhe na e shpërblen edhe ai me dashuri, sipas mënyrës së vet gjithashtu.
Po ndajmë me ju një pjesë të kësaj melodie zemre.
Ankthi im i përsosur
Ti je lënda ime e lënduar
Brenda shpirtit të shpërbërë,
Brenda zemrës së zemëruar,
Brenda ëndrrës plot me rërë.
Ti je kënga grykëprerë,
Shija ime e shituar,
Mjalti im i ndërprerë,
Akullnajë e përvëluar.
Ti je kryqi im i ndritur,
Bukuria e burgosur,
Mrekullia e paarritur,
Ankthi im i përsosur.
***
Ti nuk e di
Fllad të kam ty,
Zë në sy,
Dritë në zë,
I brishtë aty,
Ku të zhbërë ti më lë.
Ti nuk e di!
Sëmbim të kam ty,
Ngërç në sy,
Vetmi në zë,
I thyer aty,
Ku jetim ti më lë.
Ti nuk e di!
Pafundësi të kam ty,
Shije në sy,
Rreze në zemër,
I ankthshëm aty
Ku më lë pa emër.
***
Jetën ta kushtoj ty
Unë vdes atje ku dhëmbëzohet dhembja jote,
Unë shpërbëhem atje ku rënkimi yt rrëmon,
Ti je më i dënuari në dallgët e kësaj bote,
Në shpirtin tim ti je më e dhembshura jehonë.
Në thelb të buzëqeshjes sate rilind unë i lumtur
Pastaj këndellem në rrezet e tua krejt i nderë
Fitoj sërish gjithçka ndër shekuj kisha humbur
Por pa ty rrokullisem i rrënuar në humnerë.
Çdo ditë me ty mësoj si të të kuptoj më drejt,
Çdo orë larg teje tkurrem e vuaj si zemër fajtore,
Ti më bën më të mirë, më të pastër se një shenjt
Dhe unë jetën ta kushtoj ty, Gesi im lulebore.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.