FB

February 12, 2025 | 7:19

Edmond Tupja: Koleg, shok e mik njëherazi?

 

 

“Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2020) tregohet tepër i kursyer në fjalë, pra, në pak më shumë se dy radhë, kur e përkufizon emrin “koleg” si ai që punon në të njëjtën fushë të veprimtarisë me një tjetër, ndërkohë që emrin “mik” e përkufizon në 13 radhë, fillimisht si ai me të cilin kemi lidhur miqësi, që na vjen në shtëpi për vizitë, na ndihmon etj.; më tej si dashamir, mik për kokë d.m.th. mik i vërtetë dhe shumë i ngushtë etj., etj. 

edmond-tupja

Sidoqoftë, pavarësisht rrethanave, mund të pohojmë se kolegun nuk e zgjedhim vetë, atë na e imponojnë në përgjithësi punëdhënësit tanë në përputhje me qëllimet e tyre pragmatike, e thënë ndryshe, sipas logjikës së interesit,  kurse miqtë na i imponon empatia, e thënë ndryshe logjika e zemrës, çka e ka formuluar në trajtë aforizmi qysh në shekullin XVII filozofi francez Blaise Pascal kur shkruante se zemra ka arsyet e veta, të  cilat Arsyeja nuk i njeh. Me një fjalë dhe me sa duket, lidhjet midis kolegëve janë kryesisht profesionale, ato janë fizikë ose matematikë, ndërsa lidhjet midis miqve janë kimi, siç shprehen sot një numër të rejash e të rinjsh të shkolluar.

Mirëpo, nga ana tjetër, mund të ndodhë që midis kolegësh të krijohen lidhje shoqërore, sepse gjithkush mund të bëhet shok/shoqe me dikë, çka e konfirmon edhe fjalori i lartpërmendur, kur e përkufizon fjalën “shok” si vijon: “njeriu me të cilin kemi marrëdhënie të afërta ose mendime, pikëpamje e interesa të përbashkët; njeriu me të cilin na bashkojnë rrethana të caktuara.

Megjithatë, këto tri kategori individësh, pra kolegë, shokë e miq, nuk janë të ndara apo të veçuara nga njëra-tjetra me hendekë të pakapërcyeshëm, sepse e tillë është jeta në epokën tonë të quajtur moderne: njerëzit lëvizin nëpër botë duke kaluar nga njëri vend në tjetrin, ndërrojnë profesion, fe, ideologji, mendësi, partner, gjini, shije dhe karakter ndër të tjera. Në këtë këndvështrim dhe me shumë gjasë, ka dhe do të ketë mjerisht njerëz të lodhur së jetuari që ndoshta do të dëshironin edhe të ndërronin planet, por fakti është se ndryshe nga shokët e miqtë, më të shqetësuarit duken se janë, të paktën sipas këndvështrimit të disa psikosociologëve, ata njerëz që i përkasin kategorisë së parë, pra kolegët dhe më në veçanti koleget, si edhe personat psikologjikisht të brishtë, çka e konfirmon deri diku qartas gjithashtu dukuria e ngacmimeve seksuale, shfrytëzimi i tyre, pra i kolegeve dhe i këtyre të fundit, në disa sektorë jo vetëm të infrastrukturave, por edhe të superstrukturave.

Së fundi, për t’i relativizuar hamendësimet e mësipërme, mund të pohojmë se

mirëqenia shpirtërore nuk është thjesht veti ekskluzive e njërës prej tri kategorive në fjalë, por edhe e atyre që, në disa rrethana të caktuara, arrijnë të evoluojnë për të nxjerrë në pah e për të zhvilluar më tej personalitetin e tyre.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top