Me sa gëzim e pret njeriu i punës ditën kur do të shkojë me pushime qoftë buzë detit, qoftë në malësi, qoftë gjithashtu kur do t’i kalojë ato thjesht në shtëpi për arsye nga më të ndryshmet. Pra, punojmë dhe çlodhemi, si edhe anasjelltas çlodhemi për të punuar, çka na kujton lavjerrësin e sahateve të murit.
Dialektika e kësaj luhatjeje midis lodhjes që sjell puna dhe çlodhjes që sjellin pushimet, veçanërisht ato të verës, nuk është përherë fort e qartë për të gjithë njerëzit, sidomos për brezat e rinj, të cilëve ditët e punës u duken tepër të gjata, ndërkohë që ato të pushimeve kalojnë e rrokullisen me shpejtësi gati marramendëse.
Në këtë kuadër, që në moshat më të reja të njeriut, madje që në vitet e arsimit parashkollor, psikologët dhe edukatorët duhet, sigurisht me shumë takt e durim, si edhe në bashkëpunim me prindërit, t’u flasin fëmijëve për punën dhe të mirat e saj; disa syresh këmbëngulin madje që kur prindi kthehet nga puna i lodhur, nuk duhet të ankohet gjatë në prani të fëmijëve për lodhjen që ndjen, madje, pasi çlodhet sadopak, duhet të shprehet duke thënë se puna i ka ecur mbarë në repartin e uzinës, në serrën e fermës, në redaksinë e gazetës, në bibliotekën apo fakultetin ku punon etj., etj.
Nga ana tjetër, jo vetëm prindërit, por edhe gjyshërit do të bënin mirë t’i edukonin fëmijët në këtë drejtim duke i aktivizuar sadopak në punët e përditshme të shtëpisë, por pa harruar t’i përgëzojnë me fjalë, por edhe duke u blerë diçka që të vegjëlit e kanë qejf, po pa u dhënë vend e pa vend para në dorë.
Sigurisht që, në lidhje me fëmijët e moshës së pjekurisë seksuale, mund të dalin vështirësi në shkollë, prandaj në këtë pikë bashkëpunimi prind-psikolog/edukator merr një rëndësi të veçantë, madje prindërit duhet të tregohen shumë të vëmendshëm edhe gjatë pushimeve të verës duke i nxitur fëmijët drejt veprimtarish fizkulturore, si, për shembull, gara me not, shëtitje buzë detit për të mbledhur guacka ose në malësi për të mbledhur lule në mënyrë që, qysh në ditët e para të mësimit, të sjellin në klasë të parët koleksione guackash, të dytët herbariume, pra koleksionne bimësh, ndërkohë që mësueset ose mësuesit e letërsisë mund t’u kërkojnë të tjerëve të rrëfejnë, me shkrim apo me gojë, përshtypjet e tyre nga pushimet e verës, përshtypje që mund të redaktohen për t’u printuar bukur e për t’u lidhur në trajtë broshurash të denja për të figuruar në bibliotekën e shkollës.
Një ide interesante do të ishte që nxënësit me dhunti në fushën e pikturës të bënin gjatës verës vizatime, pastele dhe akuarele për të hapur me to një ekspozitë në shkollë e tyre, por, pse jo, edhe në shkollat simotra jo vetëm të qytetit apo të krahinës ku jetojnë, por edhe tjetërkund; e njëjta qasje do të vlente edhe për nxënësit me dhunti në fushën e muzikës.
Sidoqoftë, veprimtari të tilla lidhin krejt natyrshëm punën, pra të mësuarit, me pushimet, pra me lirinë e të krijuarit tek nxënësit, por edhe tek mësuesit, ashtu siç e kërkon lavjerrësi i paepur i jetës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.