FB

January 9, 2025 | 7:01

Edmond Tupja: Nga ngricat tek lulet dhe anasjelltas

 

 

Me sa padurim i pret njeriu festat në përgjithësi, por sidomos ato të fundvitit në veçanti! Megjithatë, padurimi në fjalë, ky burim gëzimi familjar, shoqëror e popullor madje në nivel mbarëplanetar, nuk zgjat pafundësisht dhe përditshmëria e jetës e venit atë duke e kthyer në një kujtim, i cili, si të tëra kujtimet, thërrmohet duke i lënë vendin nostalgjisë.

edmond-tupja

Kjo nostalgji përmban në vetvete dhimbjen, siç e dëshmon termi mjekësor “algji”, me prejardhje nga greqishtja “algos”, d.m.th. pikërisht dhimbje. Sidoqoftë, në epokën e sotme, kujtimet në fjalë ruhen gjatë jo vetëm në albume, por edhe në celularë, ndoshta edhe në ditarë. Pra, përmbledhtas, mund të  pohojmë se këto kujtime dhembin vërtet kur njeriu plaket, sepse ato jo vetëm i dëshmojnë atij se nuk është më i ri, por gjithashtu se jeta ka edhe dhimbje që duhet mbajtur parasysh, sepse e mira dhe e keqja janë një e të pandashme si nata me ditën, si gëzimi me hidhërimin, si dashuria me urrejtjen, etj.

Nga ana tjetër, në këtë pikë, jo më kot poetë e shkrimtarë të mëdhenj e kanë përkufizuar nostalgjinë si mall përvëlues, si venitje, si melankoli, dobësi apo molisje, si dëshirë të paplotësuar, si pikëllim të ëmbël e si mallëngjim: Nervali e përmend melankolinë duke e krahasuar me një diell të zi, ndërsa Viktor Hygoi e konsideron atë si trishtim që të lumturon.

Për fat të mirë, edhe kur kujtimet dhembin shumë, jeta ka plot festa (fejesa, dasma, përvjetorë, ditëlindje, pushime, udhëtime, diplomime etj.) për ta zbutur nostagjinë në fjalë, sepse nëna natyrë apo perëndia, me sa duket, kanë dhembshuri për njeriun, këtë krijesë të brishtë të tyren, prandaj nuk ngurrojnë të sjellin pranverën e lulëzuar me të mbaruar festat me dëborë e me ngrica të fundvitit.

Si përfundim, kjo vajtje-ardhje duhet të na kujtojë atë kategori të dialektikës që shpreh lidhjen dhe luftën midis anëve e prirjeve të kundërta në natyrë e në shoqëri, pa të cilat, me shumë gjasë, jeta do të kishte qenë e pamundur ose e paplotë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top