E trazuar është jeta, kudo në botën e sotme, pra edhe mes nesh, në vendin tonë, ku ekuilibrat janë të brishtë në të tëra hallkat: shtet, ekonomi, arsim, edukim, shoqëri, familje dhe, madje, brenda vetë individit. Termat që karakterizojnë gjendjen e njerëzimit janë krizë, pasiguri, ankth e stres ndër të tjera; shtojuni këtyre edhe fatkeqësitë natyrore (tërmete, përmbytje etj.), edhe ato sociale (ndotje industriale, konflikte të armatosura, emigracione, trafiqe të paligjshme etj.), dhe pyetja që, me shumë gjasë, do t’ju vijë në mendje do t’ju duket e frikshme: Si do të arrijmë të mbijetojmë?
Ç’duhet të bëjmë në jetën e përditshme për të gjetur njëfarë ekuilibri psikologjik në marrëdhëniet tona me familjen, me profesionin, madje me vetveten, në mënyrë që të mos humbasim vetëkontrollin, vetëbesimin, shijen e jetës, duke rënë kështu në një pesimizëm pa kthim?
Çelësi që psikologët propozojnë është komunikimi me të tjerët në të gjitha nivelet: familje, qendër pune, rreth shoqëror, madje edhe me dikë, qoftë ky i panjohur, që pranon me dashamirësi t’ju dëgjojë kur ju i qani hallin tuaj. Filozofi francez Jean-Paul Sartre thotë diku në dramën e tij “Me dyer të mbyllura” se Ferri janë të tjerët, pra ata që na gjykojnë ashpër duke na e nxirë jetën, por të shumtë janë shkrimtarët që në veprat e tyre kanë dëshmuar se të tjerët mund të jenë edhe Parajsa, midis tyre familjarë, miq, madje edhe të panjohur.
Kur përballemi me streset e jetës moderne, pra me trysnitë dhe agresivitetin e tyre, nuk këshillohet të ndrydhemi në vetmi dhe të bluajmë pareshtur dëshpërimin tonë duke rrezikuar të biem në gjendje depresive, përkundrazi, duhet vrapuar tek njerëz që i njohim prej kohësh dhe tek të cilët kemi besim, sidomos të mos ngurrojmë të lidhemi me një psikolog e t’i rrëfejmë atij pa drojë e me sinqeritet brengën që na bren përbrenda.
Mirëpo, dikush mund të pyesë se ç’duhet të bëjmë kur askush nuk arrin të na nxjerrë nga gjendja e dëshpëruar. Mos vallë nuk do të na bënte të keq sikur të përballemi me… me vetveten pikërisht? Të përballemi me atë për të bërë çfarë? Për të lidhur një pakt së bashku! E thënë ndryshe, për të arsyetuar gjakftohtësish me vetveten duke analizuar faktet që na shqetësojnë deri në pagjumësi, duke kërkuar një zgjidhje të mundshme të problemit tonë, dhe kjo në një dialog të monologuar pikërisht me vetveten! E gjitha kjo me një kusht: Pasi të kemi arritur në një përfundim të arsyeshëm, të lidhemi me psikologun, familjarin, mikun, kolegun apo komshiun tek i cili kemi besim, për t’i kërkuar edhe atij një mendim, përçapje kjo që të kujton frazën proverbiale “Pyet njëqind vetë dhe vepro siç gjykon vetë”, por, do të shtonim ne, pa i bërë dredha vetvetes!
Kjo strategji, pra lidhja e një pakti të tillë me vetveten, mund të luajë një rol gjithsesi të dobishëm që mund të na ndihmojë të zbulojmë terrenin e nevojshëm për rigjetur ekuilibrin e munguar deri në atë moment, pavarësisht se ky ekuilibër mund të ketë herë pas here luhatje, por a nuk është vetë jeta e njeriut burim luhatjesh?
Botuar në Revista Psikologjia Korrik 2024
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.