Të gjithë e dimë se, siç na informon “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), pedagogjia është shkenca që merret me edukimin e me arsimimin e fëmijëve dhe të të rinjve, si edhe me metodat që duhen përdorur për këtë qëllim. Kjo shkencë ka lindur shekuj më parë, çka e dëshmon vetë historia e saj, dhe ajo ka pasur specialistët e saj me këndvështrimet nga më të ndryshmet.
Gjithsesi, në epokën e inteligjencës artificiale, konceptet bazë të pedagogjisë mund të evoluojnë në një drejtim që mund t’i ndihmojë, por edhe nganjëherë t’i shqetësojnë specialistët e saj.
Dikur, në shkolla dhe në të tjera institucione arsimore e kulturore, kujtesa luante një rol fort të rëndësishëm për përvetësimin jo vetëm të dijeve, por edhe të edukatës, kështu që mësohej shumë përmendësh, për shembull që nga tabela e shumëzimit deri tek vjershat, datat e ngjarjeve më të mëdha historike, emrat e shkencëtarëve, e artistëve, e burrave të shtetit etj., etj.
Sot, me zhvillimin e të gjitha shkencave, e arteve dhe të kulturave, ndonëse këto magazinohen në libra, filmime dhe regjistrime të ndryshme të dobishme në shumicën e rasteve, kujtesës njerëzore po i bëhet përherë e më e vështirë të regjistrojë risitë e shumëllojshme që burojnë pareshtur nga zhvillimet e shoqërisë njerëzore; në këto kushte, njeriut po i vjen në ndihmë elektronika e informatika, falë të cilave ai nuk e ka më të domosdoshme ta mundojë kujtesën duke ngjeshur brenda saj emra e adresa personalitetesh, miqsh, kolegësh, emërtime institucionesh, data ngjarjesh historike, festash familjare, por sidomos të dhëna pa fund teorish e praktikash shkencore historike, kulturore, sociale, kombëtare e ndërkombëtare etj.,etj.
Për sa më sipër, specialistët e sotëm në lëmin e pedagogjisë lypset të kenë parasysh edhe përvojën e paraardhësve të tyre, qoftë edhe të disa shekujve më parë, sipas të cilëve shkolla nuk duhet të ketë thjesht për mision t’ua kthejë nxënësve kokën në një depo dijesh, por edhe t’i bëjë ata të aftë të arsyetojnë e të gjykojnë drejt në një shoqëri, e cila, dashur pa dashur, mund të mos i kuptojë ata siç duhet.
Në epokën tonë, sidomos me shfaqjen e inteligjencës artificiale, nga e cila patjetër duhet përfituar, politikëbërësit e arsimit kombëtar, pedagogjia shqiptare, specialistët e saj, edukatorët, mësuesit e, në veçanti, psikologët e aktivizuar në arsimin parashkollor e shkollor, kanë për detyrë të lëshojnë kushtrimin se shkolla, përveç se t’i pajisë me dije nxënësit, duhet të nxisë e të kultivojë tek ata edhe ndjenjën e humanizmit, empatinë për tjetrin, sepse, siç shkruante në shekullin XVI shkrimtari francez Rabelais, “Science sans conscience n’est que ruine de l’âme”, d.m.th. “Dija pa vetëdije, është thjesht rrënim i shpirtit”. E formuluar ndryshe, në një shkollë cilësore duhet të formohen e të përgatiten për jetën nxënës, studentë e specialistë bij njerëzish, e të vetëdijshëm se duhen të jenë në shërbim të njerëzimit dhe jo thjesht robotë të pandjeshëm, sado gjenialë qofshin ata!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.