Herë pas here na ndodh të dëgjojmë që Filani është njeri me ose pa personalitet, por ç’është personaliteti në fjalë? Në përgjithësi mendohet se është diçka pozitive që dikush e ka, dikush tjetër nuk e ka ose – për të mos qenë kaq kategorik – që dikush e ka më shumë dhe dikush më pak.
Sidoqoftë, të paktën sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe”, personaliteti është: 1. “tërësia e veçorive dalluese psikike, të karakterit, të sjelljes e të veprimtarisë së njeriut; njeriu me këto veçori që e dallojnë si individ. 2. Një njeri shumë i rëndësishëm në një fushë të veprimtarisë politike, shoqërore, shkencore etj., madje edhe VIP apo personazh, siç thuhet këto dekadat e fundit.
Nga pikëpamja thjesht psikologjike personaliteti është aftësia, falë së cilës një individ i vetëdijshëm për unin e tij e sheh veten si të papërsëritshëm, pra të ndryshëm nga të tjerët dhe të përhershëm për aq kohë sa jeton, që dallohet nga individi biologjik i rëndomtë si i pajisur me karakter apo me individualitet të veçantë.
Nga ana tjetër, flitet edhe për personalitet shoqëror, pikërisht në këtë drejtim shkrimtari francez Marcel Proust shkruante, në fillim të shekullit të shkuar, se “personaliteti shoqëror është krijesë e mendimit të të tjerëve” në kuptimin që askush nuk i thotë vetes “unë jam personalitet”, pra këtë vlerësim ta bën pikërisht vetëm opinioni shoqëror. I njëjti mekanizëm funksionon edhe në rrafshin familjar: babai ose nëna në një familje nuk deklaron kurrë vetë se është me personalitet ose ka personalitet në gjirin e saj, këtë mund ta pohojnë fisi, krushqit ose fqinjët.
Mirëpo, do të bënim mirë të mos harronim se personaliteti nuk është i dhënë një herë e përgjithmonë siç ndodh, për shembull, me dhunti të tilla si veshi për muzikë, syri për vizatim ose prirja e natyrshme për këtë apo atë lloj sporti, prandaj në këtë pikëpamje flitet edhe për njerëz pa personalitet d.m.th. të rëndomtë ose që kanë humbur personalitetin e tyre; megjithatë, pranohet që njeriu ka mundësi ta afirmojë ose ta zhvillojë personalitetin e tij në familje, shoqëri, profesion e kudo gjetiu, kjo varet nga disa kushte e vlera që mund t’i përmbledhim me fjalën “karakter”.
Këtë fjalë-kyç të temës sonë, “Fjalori i gjuhës shqipe” e përkufizon si “tërësi e veçorive psikike më kryesore, që shfaqen në veprimtarinë dhe sjelljen e njeriut në shoqëri; tërësi veçorish psikike e morale të pëlqyeshme; vendosmëri, vullnet, qëndresë e burrëri”, përkufizim ky mjaft i ngjashëm me atë të fjalës “personalitet”, i cili ndihmon në të kuptuarit e saktë të nocionit “personalitet”, sidomos ata që punojnë në sferat e edukimit, e mjekësisë, e drejtësisë dhe të qeverisjes, por edhe më gjerë në fushën e komunikimit.
Së fundi, por jo më së paku, le të përmendim empatinë dhe modestinë si dy faktorë që e zbukurojnë personalitetin e njeriut pavarësisht nga vendi që ai zë në hierarkinë sociale.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.