FB

January 6, 2025 | 7:03

Edmond Tupja: Përsiatje rreth profesionizmit

Kur bie fjala për profesionizëm, qoftë edhe kalimthi, të vjen paraprakisht në mendje shprehja e Hamletit “to be or not to be, that is the question”, pra në shqip, “të jesh apo të mos jesh…” jo në përkthimin dhe kuptimin fannolian “të rrosh a të mos rrosh…”, por ndryshe, pra “të jesh a të mos jesh profesionist”. Sipas Internetit, në rrafshin psikologjik, të jesh profesionist do të thotë të sillesh sikur përsosmëria mund dhe duhet arritur. Nga ana tjetër, profesionisti e konsideron të papranueshme edhe më të voglën mungesë, të metë apo cen në punën e tij krijuese, çka shfaqet tek ai si një tipar patologjik. Për t’u bindur në këtë pikë, mjafton t’u hedhim një sy jo vetëm veprave por edhe jetës së artistëve ose të shkencëtarëve të të gjitha fushave.

edmond-tupja

Ç’është e vërteta, përkushtimi i një profesionisti të kujton deri diku atë të një murgu të ngujuar në manastirin e vet, i cili i përkushtohet vetëm Perëndisë. Siç na mëson i njëjti Internet, shpesh profesionisti është një “xhelat” që e torturon veten nga pasioni për punën. Ai e ka të pamundur të çlodhet, shqetësohet orë e çast dhe është së tepërmi i ndjeshëm ndaj kritikave qoftë edhe të sipërfaqshme; nga ana tjetër, ai kërkon të lidhet me bashkëpunëtorë të përsosur të ngjashëm me të; ndërkohë, i gatshëm për të kundërshtuar të tjerët dhe tekanjoz herë pas here, ai ka tendencë t’i shtyjë punët për më vonë.

Prej vitesh studiues  të ndryshëm kanë studiuar personalitetin e profesionistëve të epokave të ndryshme, duke hedhur dritë mbi aspektet pozitive dhe ato negative të karakterit të tyre. Disa syresh vërejnë se, nganjëherë, profesionistëve u ndodh, teksa ndjekin qëllimin e punës së tyre, të heqin dorë nga jeta e tyre familjare dhe shoqërore. Mirëpo, nga ana tjetër, ka njerëz tek të cilët vërehet një kombinim i autoritetit prindëror me një dashuri të kushtëzuar për fëmijët e tyre, çka i shtyn këta fëmijë, dashur padashur, drejt profesionizmit.

Ndërkohëduhet pranuar se tek formimi i profesionistëve ndikojnë gjithashtu kushtet socialkulturore, madje edhe ekonomike. Kështu, pa qenë e nevojshme të përmendim historinë e dhimbshme të vendit tonë, na duket e udhës të nënvizojmë se varfëria, pasiguria socialkonomike dhe veçanërisht mërgimi galopant i të rinjve, po ndikojnë negativisht në formimin e profesionistëve, çka e dëshmon pikërisht largimi i të rinjve të talentuar jo vetëm në sferën ekonomike, por edhe në fushën e krijimtarisë artistike, pra në letërsi, kinematografi, muzikë, pikturë e skulpturë, jo vetëm në lëmin shkencor, pra në mjekësi, inxhinieri, informatikë etj., por gjithashtu në bujqësi, blegtori e silvikulturë ndër të tjera. Nuk duhet harruar së fundi se profesionizmi ka një lidhje të padiskutueshme me krijimin e elitave, për të cilat kanë shumë nevojë sidomos vendet me regjime autoritariste të Ballkanit perëndimor, të cilat ende përpëliten me dhimbje nga gërçet e trashëguara prej një të kaluare që ende qelbet erë kërmë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top