FB

July 2, 2025 | 10:30

Edmond Tupja: Të edukosh një fëmijë sot? Ah!

 

Po, ah sa e vështirë është t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje! Shoqëria njerëzore e ka vënë tashmë me forcë theksin tek të drejtat e fëmijëve që nga çasti kur ata vijnë në jetë, sepse këto krijesa të brishta nuk u përkasin vetëm prindërve të tyre, por edhe vetë shoqërisë në fjalë.

edmond-tupja

Sigurisht, të porsalindurit i përkasin së pari familjes në gjirin e së cilës do të rriten, por ata sot i marrin në ngarkim edhe një varg institucionesh sociale si çerdhet, kopshtet e shkollat deri në momentin kur ata arrijnë moshën madhore. Për të ilustruar se sa të vështirë e kanë prindërit të edukojnë fëmijët e tyre deri në këtë moshë, po përmendim proverbin shkodran “Të rritësh një fëmijë është si të hapësh një pus me majën e gjilpërës!”, çka do të thotë jo vetëm për prindërit e tij, por edhe për edukatoret e arsimit parashkollor, si edhe për mësuesit e shkollave nëntëvjeçare, që ata duhet t’i përkushtohen atij me profesionalitet e pasion.

Ndërkohë, nuk duhet të harrojmë se me të arritur moshën e kalimit nga fëmijëria në adoleshencë, pra kur fillon edhe pjekja e tyre seksuale, fëmijët sillen në mënyrë disi të pavarur e të çuditshme, çka duhet pasur parasysh nga prindërit, të cilët kanë interes të bashkëpunojnë pa vonesë me psikologët. Mirëpo, në vendin tonë, veçanërisht tani, në epokën e internetit, adoleshentët, tejet të etur siç janë për të shijuar ndjesi të reja, duhet patjetër të udhëzohen për rreziqet që  i kërcënojnë dhe duhen përgatitur se si t’i shmangin ato. Duke nisur nga ky çast, në punën shpjeguese me ta, mësuesit dhe psikologët duhet të veprojnë me shumë takt, sepse adoleshentëve nuk u pëlqen t’u bësh moral, as t’i trajtosh me përbuzje, madje as edhe me ironi, sado e lehtë qoftë kjo.

Nga ana tjetër, për t’ua fituar zemrën adoleshentëve, mësuesit dhe psikologët duhet të tregohen të sinqertë me ata, ndoshta edhe duke u rrëfyer atyre herë pas here ndonjë ndodhi apo ngjarje kuptimplote të kohës kur ata vetë ishin adoleshentë, qoftë kjo edhe për të qeshur së bashku. Humori i përbashkët vlen shumë për të zhdramatizuar një situatë të nderë ku jo vetëm adoleshentët, por edhe të rriturit, përfshirë mësues e psikologë, mund të gjenden një ditë prej ditësh!

Sidoqoftë një punë shpjeguese duhet bërë paralelisht edhe me prindërit apo motrat e vëllezërit e mëdhenj të nxënësve adoleshentë, për të zbutur ose shmangur çdo përplasje që, në gjirin e familjes, rrezikon të kthehet në konflikt serioz sidomos nëse aty ka sadopak dhunë fizike ose psikologjike.

Së fundi, një këshillë modeste edhe për mësuesit e letërsisë dhe ata të fizkulturës: të parët do të bënin mirë që t’i shtynin adoleshentët drejt artit të të shkruarit, qoftë në trajtë eseje, proze apo poezie, madje edhe në formë ditari (ndoshta edhe drejt ndonjë lloji tjetër krijimtarie artistike), për të shkarkuar psikologjikisht hovet e tyre rinore; të dytët që t’i nxitnin të njëjtët adoleshentë të merren me sport për të shkarkuar rregullisht teprinë e natyrshme të energjive fizike të moshës së tyre!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top