FB

July 8, 2025 | 10:30

Edmond Tupja: Të udhëtosh apo të mos udhëtosh?

 

 

Romani “Mali magjik” i shkrimtarit të mirënjohur gjerman Thomas Mann, i shqipëruar  prej Afrim Koçit, vlerësohet si një nga veprat më ndikuese dhe më të pasura të letërsisë gjermane të shekullit XX. Autori në këtë libër prek disa nga temat më aktuale të epokës së tij si, për shembull, marrëdhëniet e intelektualit me vetveten, temë kjo që vazhdon deri diku të jetë në qendër të vëmendjes edhe në qarqet intelektuale të vendit tonë.

edmond-tupja

Lexuesit tonë të vëmendshëm do t’i tërhiqte në veçanti mendimi i autorit sipas të cilit plagët e shpirtit tek njeriu bashkëkohor i qetësojnë – madje ndoshta mund edhe t’i mbyllin–më mirë sesa koha vetëm udhëtimet, pavarësisht llojit, kohëzgjatjes e motivimit të tyre, me një fjalë, njeriut shpirtlënduar do t’i bënte mirë të ndërronte, për ca kohë, dekor natyror, urban apo rural qoftë ai, klimë, të ndërronte bashkëbisedues, pse jo edhe profesion, pse jo edhe gjuhën që do të përdorte! Shikoni, pra, se si  shekulli ynë po i jep sa vjen e më shumë të drejtë Thomas Mannit: turizmi ndërkontinental, ndoshta së shpejti edhe hapësinor, pra kozmik,do të bëhet – mbase  jo që tani –,  pjesë e pandashme e lëvizjeve masive, çka po e nxit vetë globalizimi i planetit Tokë.

Kjo perspektivë, të paktën për njëfarë kohe, mund ta çlodhë psikologjikisht njeriun e nesërm, sidomos atë të vendeve industriale, mund t’ia lehtësojë atij stresin e përditshëm dhe monotoninë katërstinore; rrjedhimisht proverbi francez “Les voyages forment la jeunesse” (pra, “Udhëtimet formojnë rininë”) mund t’i miklojë të rinjtë e të rejat, ai mund gjithashtu t’i motivojë ata për të njohur më mirë vetveten falë edhe njohjes së moshatarët e tyre përtej kufijve gjeografikë dhe paragjykimeve historike.

Mirëpo, politikat tejet globalizuese rrezikojnë të sjellin pasoja të frikshme për popujt e vendeve të vogla përmes brumosjes së gjuhëve amtare sipas kallëpëve anglosaksonë, pa përmendur mënjanimin e pashmangshëm të folkloreve e të kulturave kombëtare.

Sidoqoftë, udhëtimet nuk duhen nënvlerësuar, sepse e vënë natyrshëm mendjen në lëvizje dhe, meqë lëvizja është jetë, le ta konsiderojmë atë si një terapi të nevojshme që na zgjat pikërisht jetën për cilën, Proust-i, një tjetër shkrimtar francez, thoshte “La vie est un voyage” (pra, “Jeta është një udhëtim”).

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top