Kur isha i vogël, ndoshta në klasë të parë fillore, bashkë me prindërit pashë një pasdite një film soviétique, me titull “Vasilika e bukur”. Mbaj mend që rashë në dashuri me heroinën: ishte një dashuri fëminore, e dëlirë, por ajo u konkretizua pas disa ditësh me një ndjenjë deri diku konkrete: zbulova që në mëhallën time, diku prapa Shkollës së Kuqe, banonte një moshatarja ime me të njëjtat tipare si artistja sovjetike: leshverdhë, sykaltër, fytyrëmbël. Por shumë shpejt e humba nga sytë: me sa duket, kishte ndërruar shtëpi.
Më vonë, në vit të parë gjjimnaz, sa herë shihja ndonjë film sentimental ose lexoja ndonjë roman dashurie, kridhesha në ëndërrime djaloshare dhe, me ëmbëlsi, e përfytyroja të dashurën time të ardhshme me tiparet e me temperamentin e heroinës kryesore.
Kur u rrita dhe rashë vërtet në dashuri, ëndërrimet e mia morën fund dhe sa herë që shihja filma apo lexoja romane, nuk më ndodhte më të bija në dashuri me personazhet femërore. Sot pyes veten: do të konsiderohej vallë si tradhti bashkëshortore nga ana ime sikur, duke qenë i martuar, të nisja të ëndërroja për personazhet femërore të filmave të parë apo të romaneve të lexuara? Sigurisht që jo, mund të thotë shumëkush; sigurisht që po, të paktën deri në njëfarë mase, do të mund të kundërshtojë dikush tjetër. Po sikur në Internet të njihesha me dikë, le të themi me një australiane, dhe të “chat-oja”, vetëm të “chat-oja” me të dhe asgjë më shumë, a do të quhej kjo tradhti bashkëshortore? A nuk do të ishte australiania ime gati po aq virtuale sa personazhet e një filmi apo të një romani? Gjithsesi, virtualiteti i saj do të merrte fund nëse unë do të shkoja ta takoja në Australi ose ajo do të vinte të më takonte në Shqipëri për të bërë dashuri me mua, çka, me të drejtë, do të quhej tradhti bashkëshortore. Tradhti bashkëshortore… Togfjalësh i rëndë. Fyes. I papranueshëm. Megjithatë, i vjetër sa vetë njerëzimi.
Por ja që Interneti, kjo shpikje globalizuese, po e banalizon sot këtë tradhti në kuptimin që po e bën atë të përditshme, në fillim virtualisht, pastaj realisht. Për aq kohë sa kjo tradhti mbetet virtuale, tensionet midis bashkëshortëve, që mund të rrjedhin prej saj, janë embrionale.
Pastaj, kur ajo konkretizohet me një marrëdhënie, qoftë nga ana e burrit apo e bashkëshortes, gjërat mund të shkojnë më tutje e të marrin një kthesë të rrezikshme. Çdo chat, të paktën fillimisht, si për femrën ashtu edhe për mashkullin e martuar, është një orvatje e vetëdijshme për të parë “deri ku mund të shkohet tepër larg”, siç do të thoshte Jean Cocteau-i. Një orvatje për të vënë në provë veten në lojën me zjarrin. Por me pasoja të rrezikshme për jetëgjatësinë e çiftit. Sidoqoftë, një orvatje kaq tunduese. Së cilës duhet të dish t’i bësh ballë. Qoftë edhe duke i kërkuar ndihmë bashkëshortit apo bashkëshortes. Në mënyrë që tradhtia, në stadin e saj virtual, të lërë sa më pak gjurmë në CV-në e çiftit.
Publikuar në vitin 2016
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.