FB

May 28, 2021 | 9:57

Eduko dhe mbro, krimi nuk ndëshkohet me sikur…

* Laureta Roshi, gazetare, përfaqësuese e shoqërisë civile, psikoterapeute në psikologji

 

Banaliteti i parullave në protestat kundër krimit të pedofilisë tregoi boshllëkun shpirtëror dhe mungesën e etikës në komunikimin në publik. Banaliteti nuk justifikohet nga qëllimi i protestës, ndoshta të ngacmon fort për të parë sesi po ndikojmë ne të rriturit te të rinjtë. Sesi pafuqia jonë për të respektuar dinjitetin e tjetrit, dinjitetin e të panjohurit na jep liri në egërsi kur ndodh krimi.

Por viktima e krimit kërkon drejtësi dhe DREJTËSI TANI, do të thotë një reagim i shpejtë i institucionit të ligjit dhe drejtësi sociale, që të mos gënjehen fëmijët me një celularë dhe një xhiro me makinë nga shkolla në një rrugë pafund. Mjedisi ndikon në mendimet dhe ndjenjat tona dhe kështu fajtorë jemi të gjithë si shoqëri për indiferencën dhe vetë-censurën, për atë influencimin nga ndikimi i të tjerëve dhe mjedisi që e bëjmë normë në dukjen e përditshme. Të rinjtë nëse na shohin në vërtetësi të jetës, nëse na shohin të gëzuar apo të trishtuar, në përpjekje për tu treguar përvojat tona se ja vlen të përpiqen të parandalojnë atëherë ja kemi dal.

Besoj te ndëshkimi i Drejtësisë dhe bashkohem në çdo protestë ku ndërveprohet dhe përcillet zëshëm një normë e nevojshme, një përpjekje për mbrojtjen e fëmijëve para se të lëndohen. Ndoshta përpara se të punojmë duke i instrumentalizuar të rinjtë në pseudo liri, le ti mësojmë si të duhen, të duan veten dhe të tregojnë dashurinë për jetën. Duke ndier pikëllim dhe në kufijtë e tij detyrën se çfarë mund të bëjmë më mirë për vajzat dhe djemtë, veçanërisht për t’i edukuar me dinjitet, ndoshta punonjësi social i parë në filma duhet të zbresë si rastësisht në çdo portë apo skutë mjerimi, përpara se të ndodh historia tjetër.

Këto histori kur buisin larg mediave harrohen, mbesin lutje të pazëshme ndaj Zotit, mbesin emra vajzash që fejohen shpejt pa mbaruar shkollën e mesme, emra djemsh që tymosin dhe harrohen në pafuqi përderisa skemat që ne të rriturit kemi ngritur nuk monitorojnë shërbimin social, nuk imponojnë norma të rregullit të sjelljeve në mjediset publike.

Se sa ne influencojmë te të rinjtë është e njëjtë me sa ata influencojnë në mjedis. E kam fjalën jo për reagime momentale, me  parulla të shkruara apo të përkthyera keq, me trupa të njomë fëmijësh me kërthiza jashtë apo thonj të tej ngjyer në manikyre orë pas ore.

E bukura mbetet e bukur nën Diell. Po sa po i mësojmë fëmijët të rriten nën diell dhe duke u njohur puthur e dashuruar njerëzisht, pasi  sjellja e tyre do të jetë roli që ne u japim dhe roli është tërësia e sjelljeve, të përshtatshme apo të papërshtatshme, është ajo mundësia për të dashur veten dhe respektuar tjetrin. Dashuria mësohet po sa ne orientojmë nga dashuria dhe sa nga nxitimi ynë nuk monitorojmë sigurinë apo të thënën në ekonominë e tregut investimin.

Nuk dua të jem gjykuese e drejtë apo e padrejtë, por ndihem e shqetësuar nga kërthizat jashtë, pjesën fundore të vidheve zbuluar të adoleshenteve dhe avujt e hashashit në skutat e rrugëve, ku ne nxitojmë të strukemi në muret  e sigurt të apartamenteve ku rrisim me dashuri kafshë shtëpiake, ndoshta ato s’na bëjnë me faj kur vonohemi na pranojnë me lodhjen dhe dorëzimin. Por të rinjtë e vendit tim ne të rriturve na duan luftarakë dhe përmirësues të normave sociale, e kemi për detyrë t’i mësojmë të duan jetën dhe të mbrohen.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top