Përgatiti Manjola Ereqi
Kush ka thënë që egoizmi është domosdoshmërisht negativ? Pa dyshim, të qenit altruistë na bën njerëz më të mirë, por jo më të lumtur. Në fakt, pjesa më e madhe prej nesh, është rritur me parimin që duhet t’i japë më shumë rëndësi dëshirave të të tjerëve, sesa vetes. E gjitha kjo përkeqësohet edhe nga fakti që dëshirat tona, në ditët e sotme, janë më shumë të orientuara kundrejt gjërave që nuk i kemi dhe që, kur i kemi, ato e humbasin rëndësinë.
Fjala latine “felix” na çon te folja “prodhoj”: është i lumtur ai që ka çdo gjë që ia kënaq dëshirat, që prodhon ndjenja pozitive. Në praktikë, të kesh çdo gjë që kënaq dëshirat tona është shumë e vështirë – për dy arsye. Arsyeja e parë, është që pjesa më e madhe prej nesh “edukimin” e ka mësuar vetëm për të kënaqur më shumë të tjerët sesa veten. Arsyeja e dytë, është që ne jetojnë në një shoqëri dëshirash të orientuara kundrejt kërkimit të vazhdueshëm të gjërave që nuk e kemi, dhe kur i kemi ato, ia veni – sim rëndësinë dhe rendim drejt një dëshire të re të radhës. Të pranojmë dëshirat dhe shqetësimet e të tjerëve, para se të dëgjojmë tonat, do të thotë të largojmë vëmendjen nga nevojat tona, duke mbytur zërin tonë të brendshëm. Fatkeqësisht, për femrat trysnitë e jashtme bëhen shpesh, edhe më të rënda. Rachel Simmons, mësuese dhe këshilltare, në librin e saj ‘The curse of good girl’ (Mallkimi i një vajze të mirë) sjell situatën në të cilën rriten vajzat e mira, të cilat mësohen që të vogla që të sillen duke u bazuar në rregulla, edukohen nën trysninë e atyre që i duan të buzëqeshura, të bindura dhe asnjëherë jashtë binarëve që ua kanë caktuar të tjerët. Këto femra, ashtu si shumë bashkëmoshatarë të tyre meshkuj, që jetojnë me të njëjtat parime edukuese – siç del nga të dhënat e një studimi që është bërë kohë më parë në Shtetet e Bashkuara – kanë mundësi të mëdha që kur të arrijnë moshën madhore të jenë të palumtura në jetë. Sipas të dhënave të këtij studimi, femrat me rezultate më të mira në shkollë: perfeksioniste dhe strikte në punë, kanë tendencën, që më pas të bien në grackën e ankthit dhe stresit. Në fund të fundit, vajzat e mira, bëhen robinja të mirëfillta të një roli që duhet të kenë në jetë. Femrat shpesh lënë pas dore nevojat e tyre, vetëm që të mos zhgënjejnë pritshmëritë e familjes dhe ato të botës së punës. Të qenit gjithmonë të gatshëm për të tjerët, rrit ndjenjën e frustrimit dhe nëse kjo sjellje zgjat në kohë, mund t’i bëjë të përjetojnë një ndjesi mbytëse. Në këto raste, nëse duam të jetojmë një jetë të lumtur, aftësia për t’u rebeluar, për të thënë “jo” pa u ndjerë në faj, shndërrohet në një domosdoshmëri të madhe. Në këtë mënyrë, do të zbulojmë një bujari të vërtetë, e cila do të thotë se dimë të dëgjojmë dhe të dhurojmë, ashtu siç na e dëshiron zemra. Çdonjëri prej nesh duhet të fillojë të pyesë veten se cilat janë gjërat që na bëjnë të lumtur, dhe duhet të jemi të vetëdijshëm se lumturia nuk është e përbërë nga gëzimi i vazhdueshëm, por nga aftësia për të kuptuar vërtetësinë e ndjenjave tona. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të mësojmë të dëgjojmë veten, të kultivojmë kënaqësitë dhe të rrethohemi nga gjëra e njerëz me të cilët ndihemi mirë. Ndonjëherë të jemi nga pak egoisë nuk do të thotë se jemi njerëz të këqinj, por do të thotë se duam më shumë veten tonë. Ajo gjë që bën ndryshimin është aftësia për të kundërshtuar. Mësoni të thoni “jo”. Ndjenjat e fajit shpesh e mbysin këtë nevojë të natyrshme, por të thuash “jo” është e barabartë me pranimin e nevojave më intime dhe të vërteta tonat. Nga bota e punës deri te familja, janë të shumta rastet kur përfundojmë duke pranuar gjëra, që në të vërtetë nuk i korrespondojnë nevojave tona më të thella; edhe një nder i thjeshtë që mund t’i bëjmë një miku, ndonjëherë mund të mos bëjë pjesë në nevojat tona reale që ndjejmë në një konktekst të caktuar. Zhgënjimi i pritshmërive të dikujt është fruestrues, sidomos nëse është një person, të cilin e kemi përzemër, por kur detyrohemi të themi gjithmonë “po” jeta thjeshtësohet vetëm në dukje. Në të vërtetë, të jemi gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar të tjerët, rritet frustrimi dhe nëse zgjat përgjatë kohës, është e mundur të përjetojmë shqetësime dhe ndjesi mbytëse që janë tipike me rastet kur kemi probleme me frymëmarrjen, kur na mungon ajri, njësoj si të jemi të zënë në çark. Evitimi i konflikteve nuk është një zgjidhje e mirë, përkundrazi, ndonjëherë një debat, sidomos nëse bëhet në mënyrë konstruktive, na lejon t’i japim jetë një komunikimi më të shëndetshëm. Ndërtimi i marrëdhënieve pozitive dhe të sinqerta kalon nëpërmjet dëgjimit të vërtetë të vetes.
Cilat janë gjërat që ju bëjnë të lumtur?
Bëni kujdes, lumturia nuk është çështje objektivash të mëdha apo një ndjenjë kënaqësie e përjetshme. Më shumë sesa gëzim, ajo afrohet me aftësinë e të kuptuarit, edhe në dhimbje, për vërtetësinë e ndjenjave personale. Mundohuni të bëni një listë të të gjitha situatave, objekteve apo njerëzve që kontribuojnë në mirëqenien tuaj dhe stërvituni gjatë ditës, duke përpjekur të përmbushni kënaqësitë e vogla, që e bëjnë ekzistencën tuaj më harmonike dhe të gjallë. Filloni t’i jepni më shumë hapësirë gjërave që ju bëjnë për të qeshur dhe të kultivoni më shumë kënaqësinë sesa ndjenjën e detyrimit, sepse edhe aktiviteti më stimulues, i jetuar me peshën e detyrimeve, arrin ta shuajë entuziazmin. Nga ana tjetër, edhe dita më e vështirë, nëse përballohet me vetëdije mund të shndërrohet në një surprizë të shkëlqyer.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.