Marrëdhënie

April 3, 2016 | 8:19

Ela Tase & Bashkim Milo: “Legjenda” e dashurisë së tyre!

Duket se për ata të dy, koha ka ndalur! Kanë mbetur po ata trupa të kalitur e sportivë, me linja fizike dhe energji, njësoj si dikur, në vitet që shënjuan kulmin e karrierës së tyre. Dy emra të njohur! Dy legjenda të sportit shqiptarë, që i dhanë famë anekënd botës, Shqipërisë dhe brezave të tërë sportivë që sot ndjekin shembullin e tyre. Ajo 16 herë kampione kombëtare në volejboll, 14 herë fituese e kupës së Shqipërisë, 10 herë fituese e anketës sportive “10 sportistët më të mirë të vendit” dhe e cilësuar si volejbollistja më e mirë shqiptare e të gjitha kohërave. Ai, akademik në fushën e kërkimeve shkencore në sport, ish-drejtor i sporteve në Ministrinë e Kulturës, ish-sekretar i federatës së basketbollit, ndërsa sot pedagog i Basketbollit dhe shef i lëndës në Akademinë e Edukimit Fizik. Sporti i lidhi jo vetëm profesionalisht por ai do të bëhej shumë shpejt kumbar i dashurisë së tyre, fryt i së cilës është Fogerti, djali i vetëm i çiftit Ela Tase dhe Bashkim Milo. E cilësojmë i vetmi sepse pasioni për sportin për ata të dy ishte aq i madh sa që iu desh të sakrifikonin ardhjen në jetë të një fëmijë të dytë. Me po të njëjtin ritëm, ata nuk e kanë ndalur hapin. Përkundrazi edhe pas kaq vitesh, profesionalisht ata nuk kanë hequr dorë nga pasioni e janë po kaq të gjallë kur flasin për të. Në tapetin ku edhe sot ushtrojnë rolin e pedagogut, ndihen energjikë përballë brezit të ri duke përcjellë përvojat e tyre më të njëjtën devotshmëri për të mos u ndalur deri në fund të jetës së tyre. Thonë që puna e rinon njeriun dhe për çiftin Tase-Milo është më se e vërtetë. Duket se kjo formulë ka funksionuar teksa në një bisedë me ta, çifti shfaqi pa doreza të fshehtat e sukseseve të tyre, të jetës bashkëshortore dhe asaj në terrenin sportiv.

Ela Tase

Karriera, ‘fëmija’ im i dytë

Në formë postulati: Ç’është burri për ju?

Unë kam qenë e privilegjuar që kam arritur të njoh Bashkimin si modelin e një bashkëshorti ideal. Në kulmin e karrierës sime ende nuk kisha një përcaktim për meshkujt, aq më tepër për personin që do të krijoja familjen. Për fatin tim, sot mund të them se burri për mua, sigurisht Bashkimi, është përzgjedhja e duhur e jetës. Nuk e kisha perceptuar më parë me detaje se çfarë duhej të kishte, sy të bukur apo tërheqës si tip. Të them të drejtën, (të paktën për brezin tim dhe për periudhën që po kaloja si tepër e angazhuar me volejbollin), mendoja vetëm një njeri që të kuptohej me mua. Të vinte jo vetëm nga rruga e sportit por të ishte një person që të pranonte dhe në anët e tjera, pra të merrte përsipër të gjitha përgjegjësitë e familjes ashtu si dhe unë kam dëshiruar.

Si duhet të jetë një burrë që të tërheqë vëmendjen tuaj?

Ndoshta këtu mund të them se ndryshojnë brezat. Unë i shoh të rinjtë me një tjetër këndvështrim kundrejt zgjedhjes së një bashkëshorti. Mund të them që në atë kohë, para viteve ’90, nënkuptoheshin gjëra të tjera. Ishim më të çlirët, më besues, të hapur me njëri-tjetrin pa djallëzi. Ajo që bëri tërheqjen time me Bashkimin ishte pikërisht pasioni ynë për sportin. Diskutonim më shumë për këto gjëra, kishim mendime të njëjta, natyrisht dhe pamja e jashtme më thelloi edhe më shumë në vendimin që do të më duhej të merrja pas disa kohësh.

Shpesh në nënvetëdijen e një gruaje ekziston një model për burrin e jetës? Po zgjedhja juaj kishte të bënte me përmbushjen në realitet të modelit të nënvetëdijes, apo modeli u fashit?

Në atë kohë modeli im duhet të ishte patjetër nga fusha e sportit, për të cilin kisha nisur të investoja që e vogël në qytetin e lindjes, në Korçë. Rritur me këtë pasion dhe mbështetjen që prindërit e mi më jepnin duke më lejuar që volejbolli të bëhej profesioni im, ndikoi dhe në përzgjedhjen bashkëshortore. Jemi njohur me Bashkimin në të njëjtin terren sportiv. Kjo ka qenë gjëja më e mirë dhe më e lehtë. Të dy në klubin Dinamo, të dy stërviteshim në të njëjtat fusha, ai në basketboll unë në volejboll. Ai si trajner e unë si sportiste, e këtu lindi diçka. Si fillim ishte njohje shoqërore, në terren, pastaj detajet e tjera deri kur më shprehu simpatinë. Unë ndoshta atëherë kam qenë e futur në atë karrierën për të cilën investonim çdo ditë, jo aq sa për të menduar për pjesën tjetër të jetës, atë familjare. Pikësynimi ynë ishte karriera, gjë në që nuk na jepte kohë për të menduar për modelin e burrit. Por erdhi një situatë tjetër që unë duhet të mendoja për të ardhmen time. Ishte fat që e gjeta modelin e mirë te Bashkimi i cili mi dha të gjitha mundësitë, të më mbështeste si nga ana e karrierës që unë e kisha ëndërr në atë kohë por edhe në aspekte të tjera. Aty fillova të mendoja për jetën bashkëshortore.

Për të qëndruar te modeli:djemtë kërkojnë tiparet e nënave te gratë ashtu si dhe vajzat kërkojnë figurën e baballarëve (pak a shumë). Dëshironi ta kundërshtoni? E kam fjalën për rastin tuaj? Kompleksi i Edipit…

Këto situata ndodhin herë pas herë, nuk janë të prera. Herë e ndjen veten, herë jo. Por tek unë jo, nuk është shfaqur nga ana e asnjërit. E kundërshtoj.

Çfarë vjen pas pasionit në një marrëdhënie burrë-grua? Sa gjatë reziston një marrëdhënie? Nga se varet jetëgjatësia e saj? Ç’ofron përvoja juaj?

Gjithçka ndryshon me ardhjen në jetë të frytit të dashurisë, fëmijës. Me lindjen e Fogertit 26 vjet më parë, vëmendja kaloi tek ai. Karshi karrierës që ne kishim, të dy bashkë kemi qenë të përkushtuar pas rritjes së djalit. Kështu dhe marrëdhënia jonë u konsolidua me tepër. U shndërrua në bashkëveprim përgjegjësish në nivel më të lartë. Pra filluam të përmbushin disa etapa të jetës që është më se normale për një marrëdhënie të rregullt familjare. Për mua si Ela, që një marrëdhënie të rezistojë dhe të ketë jetëgjatësi, duhet që asnjeri nga bashkëshortët të mos veçohet nga kjo lidhje. Ne kemi qenë tradicional në hapësirat tona duke i ofruar një shembull të vlefshëm djalit tonë të vetëm.  

Që një burrë dhe një grua të rrinë bashkë duhet të jenë të njëjtë, apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?

Gjënë më themelore që ka familja, mendoj se ne e kemi kuptuar mirë së bashku. Kurse të njëjta  dhe të kundërta mund të ketë plot gjatë jetës. Kjo varet nga këndvështrimi, situatat e ndryshme. Mënyra e gjetjes së gjuhës së përbashkët, (sepse nuk jemi të dy në një vijë), është procesi më i domosdoshëm për jetëgjatësinë. Ndryshe kjo marrëdhënie fillohen e çahet. Është e vërtetë ajo që me rritjen e moshës në ecje e sipër ka rrugë të reja, por nëse do të dish t’i gjesh anën e duhur ose të frenohesh, të përmbahesh, sigurisht që krijon një gjë më të bukur. Me ne si çift ka funksionuar kështu.

Pse gruas në të gjitha kohët i është veshur imazhi i qenies misterioze? A ia keni dalë ju ta njihni gruan? A jeni ndjerë enigmatike, misterioze apo e pakuptueshme për burrin tuaj? Po burri i ka mister brenda vetes për gruan?

Unë ndoshta nuk i përkas atyre femrave. Jam shumë e hapur. Edhe në karrierën që bëra, me grupin që kishim ishim natyra të drejtpërdrejta. Unë nuk e kam arritur asnjëherë atë femrën siç thoni ju mister. Ndoshta ndonjëherë i bëj pyetje vetes se mos duhej të isha ndryshe, por pse të krijoj një gjë që nuk e kam për natyrë. Më mirë të jem natyrale dhe jam e qetë me veten. Kjo më ka ndihmuar në raport me Bashkimin. Kështu siç e kam bërë e gjej më mirë veten. Ndërsa për bashkëshortin nuk kam arritur ta zbërthej në këtë drejtim. Në jetë tonë familjare pikat ku ne jemi bashkuar shumë mirë ka qenë ideali.

A ndryshon gruaja në këndvështrimin e burrit pasi ajo është bërë nëna e fëmijës së tij?

Varet. Femra në këto momente kërkon më shumë vëmendje sepse ndryshojnë gjërat. Do  përkushtim. Ndoshta është një kritikë e vogël për meshkujt shqiptarë në përgjithësi, pasi nënat e reja në këtë moment kanë nevojë për xhentilesë më të madhe. Janë momentet më të gëzueshme që dy bashkëshortë krijojnë. Për mua ka qenë një periudhë e mrekullueshme. Jam përkujdesur për rritjen e djalit ndërsa bashkëshorti më kompensonte në detyrat e shtëpisë.

Cilat janë rolet që luani ju në shtëpi? Sa tradicional është rasti juaj?

Këtu mund të them se kam marrë më shumë se ç’duhet mbi vete. Jam shumë e përkushtuar ndaj familjes dhe me përkëdheli ndaj dy meshkujve. Edhe burrit edhe djalit. Ky është një gabim i imi, jo se nuk do bashkëshorti. Fakti që jam natyrë tradicionale, them se mund të jetë më e lehtë t’i marrë unë përsipër mjaft role ndërsa Bashkimi ta shprehë në drejtime të tjera përkushtimin, jo në punët e shtëpisë. Sa për privilegje të tjera, ndodh e kundërta. Si femër e vetme marr shumë përkëdheli, kryesisht nga djali.

Një burrë përballë sakrificave të gruas ndihet i përkëdhelur apo e sheh sakrificën si detyrë të pashmangshme bashkëshortore? Në ç’raste sakrifikon një burrë për ty?

Ne e konceptojmë marrëdhënien tonë të hapur, pa komplekse se, këto janë detyrat e tua apo të miat. Duhesh t’i bësh ti apo unë. Përkundrazi, më duhet të them se unë si Ela vlerësoj të tjera sakrifica. Konkretisht vlerësoj më shumë sakrificat që ka bërë Bashkimi për mua. Fakti që ai më ka përkrahur në kulmin e karrierës si këshillues sporti, bashkëshort dhe shok them se janë sakrifica me peshë. Ajo që do të veçoja si sakrificën më të madhe nga ana e Bashkimit, është që ne të qëndronin me një fëmijë. Duke qenë se unë isha në kulmin e volejbollit, me tituj dhe kampionate që shiheshin me vëmendje të lartë nga sportdashësit, nuk mund të shkëputesha sërish për një periudhë dy vjeçare. Isha në kulmin e energjive të mia, e rezultateve të larta. Bashkimi përkundrazi më inkurajonte që unë të qëndroja në ato maja të sportit pasi kjo ishte dhe periudha më e mirë e moshës nga e cila nuk duhej të tërhiqesha. Më vonë, me gjithë dëshirën për një fëmijë tjetër, nuk mundesha. Këtu e kam privuar bashkëshortin tim dhe për këtë ndihem keq.

Çfarë do të thoshit për pikat e përkimit profesional në një çift. Është mirë të jenë apo përkundrazi diskutimet e punës sidoqoftë duhen lënë jashtë derës së shtëpisë?

Në momentin e karrierës përderisa unë arrita një nivel të tillë që ishte për një arritje të lartë në vite, u bë një qëllim jo vetëm te familja ime por edhe e prindërve të mi, ndoshta edhe më gjerë, sepse unë dilja në derë dhe kisha të bëja me publikun sportdashës që më kërkonte vazhdimisht të isha koherent sportit me rezultatet më të larta. Detyrimisht Bashkimin e kam pasur shumë mbështetës sepse ai ka qenë trajner në ato vite, më fliste me gjuhën dhe parametrat e trajnerit dhe gjykonte si specialist ndërsa unë gjykoja në rolin e sportistit. Shumë herë për regjimin e ushqimit, shumë herë e kam privuar si bashkëshort që unë ditën e ndeshjes duhet të isha në maksimumin tim, do t’i ulja prandaj dhe kjo lidhje ka qenë shumë e mirë jo vetëm me gjuhën e sportit. Si brenda dhe jashtë mureve të shtëpisë diskutimet tona kanë në qendër të fjalës të njëjtin pasion.

Sa e vëmendshme jeni ndaj vogëlimave të cilat rëndom gratë i vlerësojnë? Për shembull a bëni dhurata? A e keni të nevojshme vëmendjen mashkullore ndaj “vogëlimave”? A pretendoni dhurata nga burri, a i merrni ato?

Në qoftë se në sport më kanë parë me atë shpërthimin fizik, në natyrë jam shumë ndryshe. Më kanë pyetur për këtë. Nuk jam e fortë si në fushë. Këtu kam një defekt. Ndoshta as e formuar, as e kultivuar por jo se nuk dëshiroj, por kam atë bezdinë që më frenon, a do kënaqet personi për atë çfarë bëj, me dhuratën që i blej. Për lulet nuk i kam problem. Ndërsa për pretendimin e dhuratave më shumë i dëshiroj, se sa jap. Nuk e di a do gabojë Bashkimi në këtë pyetje, por edhe ai është brezi ynë që jemi më pak të mësuar me marrje-dhënie. Nuk e shikoj si një qëllim në vetvete.

Çfarë dhuroni zakonisht për ditëlindje, po ju vetë çfarë merrni?

Vazhdimisht më bën. Jo në këto të bizhuterive sepse nuk i kupton. Edhe ai e ka këtë problemin e përzgjedhjes. Por shkojmë bashkë duke e zgjedhur unë vetë, një kalim përgjegjësie. Shkojmë bashkë, edhe pse këto çaste nuk janë të shpeshta. Kryesisht ndalemi te veshjet.

Thuhet se shekulli XXI është shekulli i grave…

Është e vërtetë, sepse duket liria dhe emancipimi në të konceptuarit e gjërave. Femrat kanë më shumë hapësira se sa dje, në të gjitha drejtimet e jetës. Janë vendimmarrëse, drejtuese të fuqishme, gjë që unë tek vetja nuk e kam prekur sot. Ndoshta ishte vetë fusha e sportit që ma lejoi këtë koncept ta njihja dhe ta vija në funksion. Kështu jam ndjerë edhe përballë bashkëshortit tim. Për mua shekulli i sotëm ka qenë që më parë. Sporti ta jepte këtë mundësi.

———————–

Bashkim Milo

 Modeli i jetës sime quhet Ela!

 Në  formë postulati: ç’është gruaja?

Ela për mua është gjithçka. Është një grua që mua më ka dhënë kënaqësi në jetë. Ajo nuk është vetëm një sportiste e madhe, është edhe një familjare e denjë. Kam qenë njeri me fat në jetë që kam mundur të marrë një bashkëshorte si ajo. Shpeshherë për sportistet femra janë krijuar opinione sikur nuk janë amvisa të mira, të devotshme, por Ela rrjedh nga një familje me traditë të vjetër korçare, prej nga ka trashëguar tipare të veçanta. Tek ime shoqe kam gjetur kënaqësinë maksimale dhe kam kaluar një jetë realisht të bukur.

-Çfarë  është ai detaj i veçantë i një gruaje që ju bën të  tërhiqeni drejt saj? Ç’ju tërhoqi te gruaja juaj në momentin e parë?

Ela nuk është vetëm një femër e hirshme dhe me një bukuri fizike të pashoqe, ajo ka edhe virtyte të jashtëzakonshme. Është e ndershme, me kulturë, është një grua që di të respektojë dhe të mbajë familjen duke sakrifikuar në emër të saj. Ajo është njeri shumë I mirë. Në krahasim me natyrën time paksa të vrazhdë(përshtypje kjo që krijohet me pamjen e parë), Ela ka zemër të gjerë. Për mua ajo mbetet në çdo aspekt e pa arritshme dhe një legjendë që zor se përsëritet më.

-Shpesh në  nënvetëdijen e një burri ekziston një  model për gruan e jetës? Ndoshta herët, në  adoleshencë apo në rininë  e parë… Po ju, a kishit një  model virtual? Konkretisht, zgjedhja juaj kishte të bënte me përmbushjen në realitet të modelit të nënvetëdijes? Apo, modeli u fashit?

Modeli më i mirë për mua është Ela. Nëse do isha sërish i ri, ajo do të ishte  zgjedhja ime, pa më të voglën mëdyshje. Më duket më e bukura në botë….Përpos kësaj, ajo është e bukur edhe në shpirt dhe kjo më kënaq më tepër se gjërat e tjera.

Për të qëndruar edhe pak tek modeli: djemtë kërkojnë tiparet e nënave tek gratë(kompleksi I Edipit). Dëshironi ta kundërshtoni?

Pika ku ajo përputhet me time më, është fakti se dhe nënën e kam pasur shumë të bukur, e kësisoj Ela më ka përmbushur atë pjesën e ngjashmërisë fizike. Pastaj në pjesën e vlerave të karakterit, për time shoqe nuk gjej fjalë për ta rrëfyer, apo ca më pak dëshirë për ta krahasuar me ndokënd.

 Çfarë  vjen pas pasionit, në një  marrëdhënie burrë-grua? Sa gjatë  reziston një marrëdhënie? Nga se varet jetëgjatësia e saj? Ç’ofron përvoja juaj?

Kur ke një familje të rregullt, dhe kur të plotësohen të gjitha kërkesat, nuk ka arsye për të menduar apo aluduar drejt një tjetër marrëdhënie. Pas pasionit, tek çifti ynë ka ardhur mirënjohja, respekti për njëri tjetrin. Ka ndodhur që të dy kemi qenë të ndarë për gjashtë muaj nëpër aktivitete ndërkombëtare ku grumbulloheshim si sportistë dhe absolutisht nuk ka ndodhur ndonjë krisje në raportin tonë. Kemi pasur besimin dhe respektin reciprok që na ka udhëhequr gjatë gjithë jetës sonë dhe tashmë ndjehemi të shpërblyer për këtë.

Që një burrë e një grua të rrinë bashkë duhet të kenë natyrë, karaktere të njëjta? Apo besoni tek teoria e të kundërtave që tërhiqen?

Nëse përputhen karakteret, nëse marrëdhënia ushqehet çdo ditë me dashuri, ndershmëri dhe virtyte të tjera si këto, kjo bën që një çift të qëndrojë bashkë për një kohë të gjatë. Unë dhe Ela kemi të njëjtën dashuri për sportin, për familjen….Nëse do të bëja një krahasim, mendoj se unë jam pak më gjak nxehtë se ajo, Ela është më tolerante, më largpamëse dhe në këtë pikë funksionon ideja e dy poleve të kundërta që tërhiqen.

-Gruas, në  të gjithë kohët i ka veshur imazhin e qenies së  mistershme? A ia keni dalë ju ta njihni gruan “seksin e dytë” në përgjithësi? A ndjeni momente moskuptimi në mënyrën se si funksionon gruaja juaj?

Mendoj se e kam njohur mjaftueshëm time shoqe. E kam njohur si femër, si sportiste, e kam njohur në jetë, në familje, në shoqëri. Kam pasur mundësi në jetë të qëndrojë shumë pranë me të(për shkak të sportit), dhe nuk besoj se ka mbetur diçka pa zbuluar tek ajo.

-Çfarë nënkupton fakti që gruaja pranon të identifikohet me mbiemrin e burrit?

Ela kur është fejuar me mua, ka marrë mbiemrin tim, por gazetarët sportivë duke qenë një emër i madh e identifikonin me mbiemrin e saj, sepse Ela është Elë. Me suksesin që kishte ajo si volejbolliste, unë nuk mund të zbehja shkëlqim e emrit të saj, dhe nuk e pata problem që ajo njihej me mbiemrin e vajzërisë. Në ato vite….gjithë prindërit kur bëheshin me vajza, kërkonim t’i vinin emrin Ela dhe nuk kisha arsye të insistoja për të kundërtën. Edhe në pasaportë ajo figuron si Ela Tase, por përderisa e kam gruan time, mbiemri nuk përbën kurrfarë problemi për mua.

-Si janë  rolet të cilat luani në shtëpi ju dhe gruaja juaj? Sa tradicional është rasti juaj?

Ela gjithë këtë periudhë që nuk merret me sport, ka një detyrë të vështirë si pedagoge në Akademinë e Rendit. Më vjen keq, do doja që ajo të ushtronte vërtet profesionin e saj, në një shkollë sportive ku ajo të transmetonte të gjithë arsenalin teknik të saj, për atë sport që ajo ka sakrifikuar gjithë jetën. Kjo nuk ndodhi për arsye të ndryshme dhe ajo sot përgatit fizikisht policët e shtetit. Përpos punës, edhe në shtëpi ajo është shumë e ngarkuar, sepse për të qenë I sinqertë unë nuk jam krahë ndihmës për të. Duke qenë I ngarkuar me studime, pasi të qenit pedagog për mua kërkon përgatitje serioze për në universitet, kjo bën që e gjithë barra e peshës t’i bjerë asaj. Ela është tepër e ngarkuar, sepse si unë dhe im bir nuk I japim ndihmë..Gjithçka e presim nga ajo.

Klisheja thotë: gruaja sakrifikon për burrin. Me siguri gruaja juaj iu ka krijuar gjithë mjedisin e nevojshëm që ju të punoni për studimet tuaja…Një burrë, përballë sakrificave të gruas ndihet i përkëdhelur apo e sheh sakrificën si detyrë të pashmangshme bashkëshortore?  

E vlerësoj faktin që ajo më ka krijuar gjithë ambientin e nevojshëm për t’ju përkushtuar studimeve të mia. Ajo ka sakrifikuar për ne, dhe besoj se asnjë grua tjetër nuk do e bënte. E quaj veten të përkëdhelur, ndonëse ndjej se kam detyrë ta ndihmoj, por nuk e bëj dot….dhe këtë faj e kompensoj duke i falur dashuri.

-Çfarë  do të thoshit për pikat e përkimi profesional në  një çift. Është mirë  të jenë, apo përkundrazi diskutimet e punës, sidoqoftë  duhen lënë jashtë derës së  shtëpisë?

Personalisht më ka dhënë kënaqësi fakti që jemi të përfshirë të dy në të njëjtin profesion. Kemi pasur mundësi të flasim shumë për sportin, sepse ai na ka lidhur dhe për të kemi sakrifikuar. Gjejmë kollaj pikat e përbashkëta….dhe kjo është diçka pozitive në një çift.

-Sa i vëmendshëm jeni ndaj vogëlimave të cilat rëndom gratë i vlerësojnë? Për shembull a bëni dhurata? A respektoni datat e rëndësishme, a kujtoheni për to? A dini të përkëdhelni?

I kujtoj gjithnjë ditëlindjet e saj, përvjetorët e martesës. Janë momente pikante në jetët tona. Shkëmbejmë dhurata, sigurisht sipas mundësive. Asnjëherë nuk harroj ditëlindjen e Elës, dhe përveç urimit tradicional e kënaq duk i dhuruar shpesh veshje, bizhuteri etj.

-Thuhet se … shekulli XXI është shekulli i grave…

Më vjen keq që në vendin tonë nuk i jepet shumë prioritet femrës, nuk po flas për barazi gjinore, por të paktën 30% të institucioneve, të bordeve drejtuese, apo në parlament duhet të ishin femra dhe kjo duhej vendosur në mënyrë taksative me ligj. Femra është jo vetëm forcë e madhe siç thoshim dikur, por ato janë potenciale të vërteta, janë të zonjat, të suksesshme. E kam këtë mendim, sepse unë kam qenë për shumë kohë trajner i klubeve për femra, dhe e njoh mirë natyrën e femrës. Mendoj se jemi shoqëri shumë patriakale, andaj ndryshimi duhet të vij urgjentisht.

Botuar në revistën Psikologjia, Mars 2010

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top