Dëshmi

November 28, 2022 | 8:16

Elda, vajza e veçantë që sfiloi me flamurin shqiptar mes Miss-eve të botës

Ajo që e bën të veçantë këtë ngjarje nuk është një organizim enkas për festat historike shqiptare, sepse shqiptarët kudo në botë  mblidhen e bëhen bashkë shpesh për t’i kujtuar  ato. Por ky eveniment i tyre në Milano këtë herë ishte ndryshe. Ai përcolli emocione kur një vajzë me aftësi të kufizuara sfiloi shqip me flamurin kuqezi, mes Miss-ve të botës. Elda shoqërohej në këtë aktivitet nga nëna e saj, Violeta Gjoni, e cila është mësuese e specializuar për fëmijët me aftësi ndryshe. Ajo na rrëfen mbi këtë përvojë të bukur, për të cilën iu desh ca mund për të arritur në kënaqësinë që pa në sytë e vajzës së saj, Eldës. Ndonëse në Shqipëri kjo shtresë e shoqërisë nuk është se gjen fort mbështetje për t’i përfshirë në aktivitete të ndryshme, kryesisht me sfond kulturor, pjesa më e vështirë mbetet kur organizata apo shoqata në mburojën e fëmijëve apo të rriturve me aftësi të kufizuara, abuzojnë me kauzën. Pra, nuk bëjnë asgjë. Ky shqetësim ndihet nga të prekshmit, ata që jetojnë çdo ditë si dëshmi e një jete ndryshe, ndërsa mbështetjen absolute, të pakufijshme e madje përtej limiteve të mundësisë e gjejnë nga prindërit. Ja se si u gjend Elda Gjoni më nënën e saj Violeta në sfilatën më të bukur të jetës!
fb_img_1669618946674
Violeta Gjoni, mësuese e specializuar për fëmijët me aftësi ndryshe

Gjatë viteve të punës me fëmijë e të rinj me aftësi të kufizuar, kam njohur shumë persona që luajnë role të rendësishme në shoqëri.
Këta individë duke dëgjuar e parë nga afër mbi këtë fushë të vështirë e shumëdimensionale, janë përfshirë e kanë dhënë kontributin e tyre në mënyra të ndryshme.
Dhe po të filloja t’i shkruaj do të duhej një artikull vetëm me emra konkret pasi rrallë ndonjëherë kam marrë përgjigje negative kur bëhet fjalë për të bërë një aktivitet me këta të rinj.
Kam besim gjithmonë në aftësitë e tyre pasi secili ka vlerë, veçse duhet ushqyer e punuar me të deri në promovimin e këtyre vlerave.
Ajo që ka shumë e rëndësi është besimi që krijon te prindërit, pasi ata zhgënjehen herë pas here. Zhgënjehen pasi krijohen shoqata e organizata si kërpudhat dhe merren vetëm me 4 -5 talente me aftësi të kufizuar dhe promovojnë shoqatën e tyre me këto të rinj e jo të promovojnë vërtetë edhe shumë e shumë fëmijë e të rinj të tjerë.
Kjo ndodh pasi të punosh me personat me AK  është shumë vështirë do shumë kohë e përkushtim dhe ti sikur bëhesh me krahë kur arrin që një person me AK arrin të kuptojë rolin në një shfaqje dhe të luaj si një aktor i vërtetë.
Mua si aktiviste për të drejtat e tyre më bën shumë përshtypje pasi disa nga këto organizata dhe shoqata shkelin vetë të drejtat duke i përdorur prindërit si “mish për top”  sidomos kur  prindërit janë edhe të painformuar  Po jap një shembull.
Ishim të ftuar në një takim me ministren, për të folur rreth problematikave tona. Nejse ishte zgjedhur të fliste vetëm një përfaqësuese dhe neve na bëri përshtypje. Unë reagoj në rrjetin social timin pak a shumë … “Kur të keni takime politike mundohun të mos na përfshini me militanizmin tuaj partiak” dhe nga ai moment çuditërisht shikoj një “luftë të ftohtë” nga shumica e drejtuesve të këtyre shoqatave dhe organizatatave. Pra unë iu drejtova njërës prej organizatave dhe në fakt reaguan të gjithë…
Mirëpo shyqyr që shoqëria jonë nuk ka vetëm të tillë individë, por ka njerëz të mrekullueshëm siç janë edhe të afërmit dhe miqtë.
Në një aktivitet një mikesha ime gazetare, Etleva Rrapaj, kur pa Eldën të performonte e pyeti nëse ka ndonjë dëshirë që mundemi t’ia plotësojmë.
Elda sigurisht i pëlqen të vishet bukur dhe do t’i kombinojë gjithmonë veshjet.
fb_img_1669618961878

Etleva kishte folur me një shoqe të veten që organizonte evente mbi sfilatën e modës në Milano. Pas shumë përpjekjesh shkuam në Milano dhe për pak do niste sfilata. Nga larg pashë një vajzë çapkëne që po bënte prova me modelet dhe tejmase e tensionuar po bënte  porositë e fundit të lëvizjeve para se të fillonte sfilata.
Aty tek informacioni pyeta për Gentiana Dervishin që na kishte sjellë ftesën. E pyeta me atë italishten time të lodhur dhe më thanë që nuk njohim një emër të tillë.
Po mërzitesha pasi kisha Eldën për dore dhe ajo po zhgënjehej nga këto përgjigje. Kishim shumë kohë që po e kërkonim e ndërkohë kur po dilnim nga aty na u drejtua një punonjës.  …Gentiana  është organizatorja, ajo zonja aty që po punon me provat dhe nuk i thërrasin Gentiana por Gjeniana…
E takuam Gentianën, një vajzë durrsake, tipike shqiptare e fisnike. …Vishja Eldës fustanin tha.
fb_img_1669618921093

Fustani ishte stiluar në Milano e qepur më Shqipëri nga stiliste Kamelja Llangozi.
Po mblidheshin të ftuarit dhe Eldën do ta shoqëronte Miss Bolivia. Ishte një holl gjigant dhe pallat përrallor. Të ishe pikërisht aty t’i shikoje nga afër ato shtatlarta e  bukuri mahnitëse të dukej si një ëndërr.
Filloi sfilata. Të gjitha modelet, kryesisht ishin Misse të shteteve të ndryshme duke përfshirë edhe Miss Shqipëria.
Veshjet kishin një larmishmëri ngjyrash dhe dy fustane ishin më të veçanta, fustani i Miss Italisë me simbol të flamurit italian dhe fustani i Eldës kuq e zi. Gentiana deshi që Elda ta vishte këtë fustan të mrekullueshëm pasi edhe pse jeton e punon prej 20 vitesh atje donte që t’i dërgonim pak Shqipëri që këtej.
Nuk i përshkruaj dot ato momente kur doli Elda duke e mbajtur për krahu Miss Bolivia.
Ndërkohë që po më rrihte zemra aq shumë nga emocioni, por më shumë se mos rrëzohej, ku aty kishte mbi 50 kamera mediatike, po jepej edhe live, Elda sikur kishte marrë forcën më të madhe e po hidhte ato hapat e saj me aq besim sikur të ishte e gjithë Milano e saj. E ndërsa unë qaja nga gëzimi e lutesha përnjëheresh …Zot ndihmoje mos rrëzohet, Zot ndihmoje mos rrëzohet!
Ishte fjalia e shpirtit për mbi 50 herë derisa mbaroji Elda. Dhe vërtetë me ndihmën e Zotit e duke e mbajtur modelja gjithë kohës thuajse gjithë peshën e Eldës ia dolën. Duke pasur probleme të mëdha të humjes së ekublibrit dhe  mosfunksionimit të ecjes  normal Elda me ndihmë ia doli.
Më thanë që s’ngeli kush pa qarë aty pasi mua s’më lanë për vete lotët t’i dalloj njerëzit përreth …vetëm dëgjoja …Bravo Elda, bravo Elda, e duartrokitje pafund.
Para se të performonte Elda, gazetari moderator i eventit i përgatitur për atë çfarë po bëhej fjalë  tha… Tani vjen nga Shqipëria një vajzë shumë e bukur, ajo do vijë këtu të na tregojë se sa e fortë ështe dhe sa shumë e do jetën ashtu siç fati i ka ofruar. Ajo e kishte ëndërr të ecte në një pasarelë, e ndaj me një mënyrë a tjetër ne sot i realizojmë këtë ëndërr me shumë duartrokitje të përzemërta, duke e mbështetur shumë këtë femër të fooortë.
Kur mbaroi sfilata, çmimi i parë (stimulues) ishte për Eldën dhe moderatori thirri …ftojmë Eldën nga Shqipëria, Eldën vajzën më të bukur të sfilatës.
Pastaj vinin pafund të ftuarit  …jeni vajzë e fortë …të lumtë mami!
Ne mundohemi të bëjmë detyrën si prindër si familje, pasi kisha edhe vajzën tjetër me vete për ta mbështetur Eldën.
Shpresoj t’ju jepet mundësia gjithkujt nga këta të rinj t’ju plotësohen dëshirat. Ne s’mund të bëjmë ndryshime në diagnoza por përmirësojmë jetesën e tyre, duke iu dhënë rëndësi vlerës së tyre në familje e shoqëri.

Pra Etleva kishte mbledhur miqtë e saj patriot si Gentianën, Adriatik Gega, Antonio Gjoni e moderatorin z.Alessio Marrari që si e si të realizonin ëndrrën e Eldës. 
Pas këtij aktiviteti u ftuam në Festivalin e parë “Mikrofoni i Artë, VAÇE ZELA” organizuar nga zoti Adriatik Gega, kryetar i Shoqatës së grupeve vulnerabël në qytetin e Lushnjës dhe Etleva Rrapaj. Ishte një spektakël për t’u admiruar. Aty Adriatiku i prezantonte të ftuarit me Eldën… “Kjo është Elda që sfiloi me fustanin e flamurit tonë kuq e zi mes gjithë Miss-eve të botës…

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top