Studim

March 18, 2020 | 13:10

Elidona Lamnica: Është koha për të ndalur, për të pushuar, të gjithë ne 

 

Deri dje po ankoheshim për një jetë të shpejtë, ku koha fluturonte, që në përditshmërinë tonë kemi shumë gjëra për të bërë dhe se jo gjithnjë ia dalim.

Por sot Zoti, universi, bota apo diçka tjetër na detyroi të ndalojmë këtë vrapim. Vrap drejt karrierës, suksesit, pushtetit, parasë, të kemi më shumë e më shumë, duke harruar se më rëndësi ka qenia jonë e brendshme.

Elidona Lamnica, Psikologe Shkollore

Elidona Lamnica, Psikologe Shkollore

Vlerë dhe jetike është të Jesh, të jesh në paqe me veten, me të tjerët, me çfarë ke, me potencialin apo dhuratat që ti zotëron që në lindje.

Harmonia dhe gëzimi më thelbësor është të bësh gjërat nga thellësia e shpirtit, të ecësh në jetë dhe karrierë hap pas hapi, jo ta sforcosh veten. Jo të vraposh aq fort, saqë rrjedha po të rrëmben. Po po, sepse çdo ditë thua, jam lodhur. Kam shumë punë për të bërë, duhet të mbaj shumë ekuilibra në jetën time, të familjes, miqve, punën, ëndrrat që duhet t’i realizoj. 

Nuk kam kohë të rri, nuk gjej kohë për veten është ajo çfarë dëgjojmë pafund, kjo është e dhimbshme në gjykimin tim.

Ti si mendon?

Të drejtohem me ti, sepse nuk je i huaj, unë dhe ti jemi një. Nuk është dikush më i mençur, më i pasur, më i bukur, e dikush më pak. Ne jemi një, pjesë e një pazëlli të madh, pjesë e së tërës. Mendo sa e dhimbshme është, të mos gjesh kohë dy minuta, të marrësh frymë thellë, të relaksohesh e të ndjesh frymëmarrjen tënde, trupin tënd. Kështu çliron veten nga negativitete të grumbulluara.

Të mos gjesh kohë të sodisësh natyrën, të ecësh apo të pish një çaj me familjen në ballkonin e shtëpisë tënde.

Sa e dhimbshme është nëse ka kaluar shumë kohë, që kur ti nuk ke “patur” apo gjetur kohë që të dëgjosh cicërimën e zogjve.

Unë po ndjej dhimbjen tuaj tani.

Sepse e di sa gëzim e shërim është ta bësh këtë. 

Çdo mëngjes zgjohem, e ndjej ajrin e pastër, shoh natyrën e bukur nga ballkoni im, dëgjoj cicërimat, e ndjej mirënjohje të thellë në vete.

E dhimbshme është nëse nuk gjen kohë një orë për të lexuar një libër të bukur, motivues, roman apo çfarëdo. Sepse vërtetë libri është një mik i mirë, po ashtu është një terapi që shëron.

A gjen dot kohë për të mbajtur një ditar, apo një bllok të vogël mirënjohje, ku të shkruash çfarë të mbushi shpirtin sot për çfarë ishe mirënjohës?

A gjen ti kohë nga koha jote 24 orëshe në ditë për 20 min meditim, ku ti mund të jesh vetëm me veten tënde, në qetësi totale, pa mendime? Të ndjesh qetësinë e thellë brenda qenies tënde të pastër.

A gjen kohë për 20 min ecje apo ushtrime fizike?

A bën ndonjë nga këto me dëshirë dhe vetëdije, për t’i dhënë kuptim ditëve të tua, për të përmirësuar cilësinë e jetës tënde?

Ndoshta një përgjigje do ishte, nuk gjej kohë, më duhet të punoj që të jetoj, të mbaj familjen etj. Por më beso ka plot njerëz që po punojnë fort apo mençur, por i kushtojnë kohë dhe vetes që të jetojnë shëndetshëm.

Universi po na thotë: Ndalni. Merrni frymë, lutuni, qetësohuni, shihni çfarë keni brenda vetes, shihni dhe vlerësoni çfarë keni pranë, familjen dhe çdo gjë që ju mbush shpirtin, por ndoshta duke vrapuar jashtë, kemi humbur shikimin nga ato që kemi Brenda.

Është koha të dëgjojmë e të kuptojmë dhe këtë heshtje. Të marrim mesazhet e këtij momenti. Mund të jenë mesazhe të Forta, vërtetë me Vlerë, për mbarë Njerëzimin, për një Tokë të Re, për një Botë më të mirë.

Njerëzimi ka nevojë të Jetë më i Mirë, jo të Jetë më shumë, ka shumë nevojë të Jetë në Harmoni me Veten dhe jo të jetë më shumë, e më tepër. 

Të pasurit, pakkënd po lumturon, a nuk është fakt kjo. 

Njerëzit që janë të thjeshtë e bëjnë një jetë të thjeshtë, janë më në paqe. Ky moment ka shumë mesazhe, dëgjoi që ta kalosh këtë provë dhe më i mirë, më i fortë, më i mençur.

Mjaft vrapove, asgjë nuk do marrësh me vete. 

Ti nuk e ndihmon botën duke qenë një diktator, indiferent apo i pasur. Por duke qenë i lumtur, i mirë, jep një energji të mirë, pa dyshim, si edhe një shembull për t”u ndjekur.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top