FB

September 16, 2025 | 17:30

Energjia prindërore dhe forca që lind nga fëmijët

 

Jetën time e kuptoj vetëm përmes fëmijëve të mi. Ata janë busulla ime, janë frymëzimi dhe burimi i çdo energjie që më mban gjallë. Ndoshta rrjedha e jetës nuk ka qenë gjithmonë e qetë. Ka pasur stuhi, ka pasur humbje, ka pasur çaste ku dhimbja më ka gjunjëzuar. Ndonjëherë nuk kam pasur arsye për të qeshur, ndonjëherë edhe gëzimi më është larguar.

caushPor gjithmonë, kur dëgjoja të qarat e buta të fëmijëve të mi kur ishin bebe, ose kur më erdhi në vesh belbëzimi i parë i tyre, ndihesha si i ringjallur. Në atë çast më kthehej fuqia dhe vendosmëria për të ecur përpara, për të sfiduar çdo vështirësi, sepse brenda meje fliste zëri i përgjegjësisë dhe dashurisë.

Udha e jetës është e ngjashme me një mal të lartë, ku përpjetat e mundimshme dhe tatëpjetat e lodhshme të sprovojnë durimin dhe qëndrueshmërinë. Sot, kur shoh kalendarin e jetës, them me bindje se jam duke zbritur nga maja, por kjo tatëpjetë nuk më tremb. Nuk ndjej lodhje, nuk më mungon energjia, nuk më errësohet shpirti. Përkundrazi, me mendje të kthjellët dhe zemër të qetë udhëtoj në këtë etapë, sepse shikoj përkrah meje fëmijët e mi tashmë të rritur, të cilët më japin të njëjtin gëzim që më jepnin dikur, kur më shihnin si burim të sigurisë së tyre.

Dikur unë i merrja mbi supet e mia dhe ata ndiheshin të fortë e të lumtur. Sot, kur ata mbështesin kokën mbi supet e mia, e bëjnë për të marrë aromën e babait, për të ndjerë qetësi dhe siguri. Supet e mia janë bërë streha ku ata gjejnë pushim, janë kujtesa e fëmijërisë dhe garancia e një dashurie të pakushtëzuar.

babai

Unë sot marr dashurinë e tyre si shpërblimin më të madh të jetës. Marr energjinë e tyre si një dhuratë që më bën të ndjehem ende i ri, ende i fortë, ende i aftë të udhëtoj përpara. Marr respektin e tyre si dëshminë më të bukur se sakrificat e mia nuk kanë qenë të kota. Dhe kështu kuptoj se një baba nuk matet me vitet që i kanë kaluar, por me dashurinë dhe mirënjohjen që fëmijët e tij ia kthejnë.

Në fund, e them me bindje: nuk është jeta ajo që më ka dhënë kuptimin e fëmijëve, por janë fëmijët ata që i kanë dhënë kuptim jetës sime.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top