Këshilla & Arsye

March 10, 2020 | 17:02

Enida Përlala: Blerje dhe sjellje “PANIKU” në Shqipëri! Një raft i zbrazët në supermarket nuk na jep siguri në kushte të tilla

 

Pas raportimit në media të dy rasteve të para të diagnostikuar me COVID-19 në Shqipëri, vihet re një panik i rëndë tek qytetarët, duke filluar me mbipopullimin e super-marketeve për blerjen e ushqimeve. Qytetarët po shikojnë si mjetin e vetëm të kontrollit blerjen irracionale të panevojshme të një numri të konsiderueshëm produktesh higjienike, ushqimesh për gjithë muajin, duke rritur në këtë formë panikun tek vetja dhe tek të tjerët.

Enida Përlala, psikologe

Enida Përlala, psikologe

Një raft i zbrazët në supermarket nuk na jep siguri në kushte të tilla, pasi rezervat mund të mbarojnë dhe automatikisht kërkojmë të blejmë më shumë produkte të panevojshme. Mbarimi i produkteve të higjienës (maskat), rrit gjithashtu nivelin e ankthit tek qytetarët, të cilët bazuar në këto kushte të detyrueshme të blerjes, po shmangin kushtin primar të larjes së duarve.

Në raste të tilla truri ynë kërkon të kontrollojë rrezikun dhe të krijojë siguri. Kështu që kujdeset në mënyrë të vazhdueshme për kërcënimet e mundshme dhe intensifikohet kur rreziku është “i ri” dhe jashtë kontrollit tonë.

Duket sikur shoqëria po mbivlerëson rrezikun e vdekjes nga ky virus dhe po nënvlerëson mundësinë e kurimit të tij. Shumë vdekje dëgjojmë çdo ditë në media nga aksidente automobilistike, por asnjëri nga ne nuk shmang automjetin e tij në mëngjes për në punë. Paniku do jetë në rritje nëse nuk do përpiqemi të mendojmë më racionalisht.  

Nuk po reagojmë ndaj virusit, por po reagojmë ndaj frikës se fatalitetit.

2

Ndërsa virusi përhapet në kufij ndërkombëtarë, në intensitet më të lartë po përhapet paniku në shoqëri. Rreziku i gjendjes së panikut është po aq i lartë nëse nuk trajtohet me kujdes. Duke qenë se virusi është i panjohur dhe nuk kemi masa të zakonshme kundërvepruese si medikamente apo vaksina, rreziku i gjendjes ankthioze në shoqëri është më i lartë. Padukshmëria gjithashtu e kësaj sëmundjeje infektive e bën të fuqishëm si burim ankthi në shoqëri.

Nuk e shikojmë, nuk e njohim, nuk e identifikojmë, nuk e nuhasim.

Mungesa e informacionit, mungesa e kontrollit ndaj sëmundjes dhe faktorë të tjerë të brendshëm ndikojnë në rritjen e nivelit të ankthit sidomos në shtresat jo të mirëinformuara në rrugë mjekësore. Përballë kërcënimeve individët janë të etur për informacion. Prandaj në kushte të tilla, autoritetet kanë mundësinë të dëgjohen edhe nga individë që refuzojnë të marrin këshilla. Në raste të tilla të gjithë janë të përqendruar dhe të gatshëm për të bashkëpunuar. Por, nëse autoritetet nuk ecin me hapa të shpejtë informuese, rreziku i përhapjes së informacioneve të rreme, keqinformimeve nga vetë qytetarët është shumë i lartë, duke përhapur kështu gjendje paniku të rrezikshme.

3

Ankthi i bën njerëzit më të predispozuar të konformohen.

Kur reagojmë nga një emocion i fortë, bëjmë zgjedhje joracionale.

Shikoj një ngjashmëri të theksuar mes reagimeve të shoqërisë tonë pas tërmetit të 26-Nëntorit në Shqipëri, me reagimet ndaj Koronavirus. Shumë të mbijetuar nuk pranuan të ktheheshin në shtëpitë e tyre, por profesionistët vlerësuan se nëse do t’i inkurajonin njerëzit të ktheheshin në shtëpi, shërimi do të ishte më i shpejtë.  

Rekomandohet të bëni atë që mundeni për të ushtruar një sens kontrolli mbi frikën tuaj, pa reaguar shumë dhe duke mos rrezikuar të kontribuoni panik në publik.

Kjo përfshin të qëndroni të informuar pa e tepruar atë. Shumë ekspozimi i mediave, të gjithë e dimë që mund të rrisë nivelin e ankthit tuaj. Merrni atë që ju nevojitet nga media, dhe lini pjesën tjetër.

11

Ka gjëra të tjera shumë themelore për të cilat ju mund të kujdeseni, dhe kontrolloni të paktën sa të keni mundësi, shkallën tuaj të prekshmërisë ndaj kësaj sëmundjeje që  përfshijnë vetëizolimin dhe monitorimin e temperaturës tuaj nëse sëmureni; larja e duarve rregullisht me sapun dhe ujë; dhe duke qëndruar larg tubimeve të mëdha, si koncerte ose maratona.

Një epidemi me përhapje të shpejtë mund të jetë një situatë veçanërisht e vështirë për njerëzit me kushte ekzistuese të shëndetit mendor si ankthi, çrregullimi obsesiv-kompulsiv. Do të rekomandohej që njerëzit që kanë tendencë të jenë më të shqetësuar, të lidhen në një mënyrë të sigurt me njerëzit në jetën e tyre, të cilëve u besojnë, të cilët mund t’i ndihmojë ata të qetësohen. Mbi të gjitha, ekspertët e shëndetit mendor thonë se është e rëndësishme të mos lejoni që paniku të marrë përsipër vendimmarrjen dhe proceset tona të mendimit racional, përndryshe çmimi për të paguar mund të jetë shumë më i madh se kërcënimi që paraqet virusi.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top