Dëshmi

February 2, 2018 | 14:36

Eric Clapton: “Po shurdhohem, por nuk heq dorë nga kitara”

Në kulmin e varësisë ndaj alkoolit këngëtari Eric Clapton, pinte një përzierje birre me vodka (një shpikje e tij kjo), për të fshehur se sa rëndë dhe sa i alkolizuar ishte. Flasim për vitet ’60-’70, ku edhe droga, edhe kokrrat ishin shoqërueset e jetës së tij. E vetmja dritë në fund të tunelit ishte muzika.

Është pikërisht për këtë arsye që Eric Clapton nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kitara e tij legjendare, edhe pse tashmë sforcohet shumë për t’i rënë asaj, për shkak të neuropatisë periferike që iu diagnostikua në vitin 2016, gjë që edhe sot i shkakton shumë dhimbje. “Duhet të pranoj faktin që situata nuk do të përmirësohet”, ka deklaruar këngëtari për diagnozën e tij. Tani ai po ndeshet me një tjetër shqetësim shëndetësor, vuan nga dëgjimi (tinitusi), një shqetësim që shfaqet me një fishkëllimë ose zhurmë në vesh.

“Kam ndërmend të vazhdoj të punoj dhe do të bëj një spektakël në Hyde Park në korrik – ka deklaruar 72-vjeçari në një intervistë me Steve Wright në BBC Radio 2, – dhe e vetmja gjë që më shqetëson në këtë moment është se po shurdhohem për shkak të sëmundjes dhe duart e mia mezi funksionojnë. Megjithatë, shpresoj që njerëzit të vijnë të më shohin, por të vijnë të më shohin mua në vend që të heqin kureshtjen e tyre mbi gjendjen time shëndetësore, sepse e di që disa vijnë për këtë arsye, duke qenë se është e pabesueshme edhe për mua që jam ende në këtë botë.”

Marsin e vitit të kaluar Clapton u detyrua të anullojë dy koncerte në Los Angelos për shkak të një bronkiti të rëndë dhe që nga ai moment ka vendosur që t’i kufizojë daljet e tij në publik. “E bëj këtë gjë që të mos rrezikoj të bëhem qesharak në publik”, u shpreh këngëtari.

Përgatiti Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top