
Saktësia e diagnozës, hapi i parë dhe më i rëndësishëm i trajtimit mjekësor
Të diskutosh lidhur me saktësinë e diagnozës do të thotë shumë, sepse pikërisht ky është hapi i parë i procesit të trajtimit mjekësor të pacientëve, të cilët vuajnë nga sëmundje apo patologji të ndryshme duke filluar nga sëmundjet më pak problematike deri te sëmundjet akute emergjente. Saktësia e diagnozës varet nga disa aspekte kryesore si: pajisjet e sofistikuara; profesionalizmi i mjekut; kura post-kirurgjikale. Sigurisht saktësia e pajisjeve mjekësore është theksi më i rëndësishëm i diagnozës së saktë, pasi aparaturat mjekësore dedektojnë dhe analizojnë të gjitha problemet patologjike, duke filluar që nga pajisjet e vogla, një puls oksimetër, aparat digjital tensioni, monitor pacienti dhe duke përfunduar në pajisjet e mëdha diagnostikuese si CT Scan (Skaneri), Rezonanca Magnetike e Imazhimit apo Akseloratori Linear dhe Cyberknife (Thika Kibernetike) e trajtimit të sëmundjeve Tumorale dhe Kancerit.
Aplikimi i aparaturës te pacientët
Çdo aparaturë mjekësore është një sistem automatik që duhet kalibruar, konfiguruar, dhe absolutisht duhet realizuar dhe trajnimi i mjekut apo i stafit mjekësor për ta përdorur për të përftuar një diagnozë precize.
Rëndësia e trajnimit të mjekëve
Një mjek i trajnuar do të thotë një diagnozë e saktë. Një diagnozë e saktë realizohet vetëm nga mjeku profesionist dhe i trajnuar. Krahas kushteve të aparaturave që përmendëm më sipër theksi qëndron te mjekët ose stafi mjekësor. Përpara së një mjek të japë një diagnozë ai duhet të jetë i trajnuar mirë për të përdorur aparaturën diagnoztikuese. Një mjek i patrajnuar mirë për të përdorur aparaturat specifike të diagnostikimit do të thotë të rrezikojë jetën e pacientit nga një diagnozë e gabuar. Një mjek i patrajnuar do të thotë të humbasë besueshmërinë ndaj vetes, ndaj klinikës së tij dhe ndaj pajisjes dhe mund të rrezikojë një jetë. Kura post-kirurgjikale do ta thotë një mjekim dhe ekzaminim pas kryerjes së operacionit. Kjo është faza e rehabilitimit të pacientit pasi ka kryer operacionin ku për disa ditë pacienti duhet të marrë medikamente dhe të ekzaminohet më anë të pajisjeve mjekësore. Krahas medikamenteve ekzaminimi me anë të pajisjeve mjekësore duhet të jetë shumë i saktë për të përcaktuar dhe vlerësuar progresin e pacientit.
Problematikat që hasen tek aparaturat e Njësisë Intensive të trajtimit
Duke pasur parasysh që jemi në periudhën e pandemisë Covid, atëherë po përmendim aparaturat e Njësisë së trajtimit Intensiv (ICU) dhe Reanimacionit. Monitori i pacientit është një ndër pajisjet më të rëndësishme që duhet të jetë në një gjendje shumë të mirë, pra të mos jetë shumë e amortizuar, pasi kjo mund të shfaqë vlera jetike me tolerancë të madhe (absolutisht është e palejueshme sidomos në Reanimacion). Monitori i pacientit monitoron parametrat jetikë të organizmit të njeriut si: temperaturën, pulsin, sasinë e oksigjenit në gjak, koeficientin e frymëshkëmbimit (Spirometrik), ECG Ritmin Kardiak, Tension arterial, Dioksidin e karbonit etj. Nëse monitori i pacientit është shumë i amortizuar atëherë vlerat e monitorimit jetik nuk do të jenë shumë të sakta. Për shembull nëse aplikojmë monitorin e pacientit te një person që ndodhet në reanimacion (njësia intensive e trajtimit) dhe nëse monitorimi i ritmit kardiak do të jetë jo i saktë, atëherë ky mund të jetë një shkak për një diagnozë të gabuar, e cila mund të përkeqësojë gjendjen aktuale të pacientit deri në atë më alarmante. Në qoftë se monitori i pacientit nuk është shumë preciz në monitorim e vlerës së oksigjenit te një pacient i infektuar me COVID kjo do të thotë që mund të përcaktojmë një diagnozë të gabuar në sasinë e oksigjenit që mund t’i gjenerojmë këtij pacienti. Sasia e oksigjenit mund të jetë më e vogël dhe kjo gjë mund të shkaktojë saturim të pamjaftueshëm të qelizave me oksigjen dhe mund të jetë dhe më e madhe, e cila është totalisht e palejueshme pasi mund të dëmtojë mushkëritë për shkak të presionit të lartë.
Kujdesi ndaj Respiratorëve
Ventilatorët e Reanimacionit (Respiratorët) të quajtur ndryshe mushkëri artificiale, janë aparaturat më të rëndësishme në reanimacion dhe aq më tepër në epokën e Covid. Respiratorët e avancuar janë aparatura mjaft të sofistikuara dhe sigurisht kërkohet një përqendrim i lartë nga mjeku reanimator që të kuptojë funksionimin sa më të mirë të tyre. Respiratorët janë pajisje shumë delikate dhe kërkojnë shumë kujdes pasi mbajnë në jetë në mënyrë artificiale pacientin, në rast se mushkëritë e pacientit e kanë të pamundur të funksionojnë. Respiratorët janë të pajisur me disa protokolle funksionimi dhe terapi oksigjenimi gjatë së cilës duhet të monitorohen vazhdimisht. Përpara se të aplikohen ato duhet të kontrollohen elektronikisht, mekanikisht, të kalibrohen dhe të konfigurohen mirë dhe gjendja e tyre duhet të jetë shumë optimale përpara se të aplikohen tek pacientët, sepse në një moment kalimi në gjendje OFF ose një defekt imediat mund ta çojë pacientin në situatën më kritike për jetën e tij.
Pajisjet që kërkojnë kujdes maksimal
Aparaturat e anestezisë që ndryshe emërtohen “Vënie në Gjumë” janë pajisjet më të rëndësishme pasi aplikohen gjithmonë përpara se një pacient t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Anestezia e përgjithshme është situatë delikate, pasi pacientit i aplikohen komponentë të lëngshëm si Barbiturate, Ketamine, Propofol ose gazet anestetike si: Protoksid Azoti Floran ose Halotan, të cilët bëjnë të mundur humbjen e koshiencës së pacientit dhe paralizimin e sistemin nervor për t’u ardhur në ndihmë kirurgëve të kryejnë me sukses ndërhyrjen kirurgjikale. Pajisjet e anestezisë duhet të jenë në gjendje shumë optimale përpara aplikimit të tyre te pacienti dhe, gjithashtu, duhet të jenë të mirëkalibruara në raportet e lëngjeve dhe gazeve anestetike, të konfiguruar dhe pjesa mekanike e tyre duhet të jetë në gjendje perfekte, sepse ndryshe imagjino çfarë mund të ndodhë në një moment defekti gjatë procesit të kirurgjisë cerebrale!
Ja çfarë ndodh nëse një pajisje prishet gjatë operacionit
Elektrobisturia (bisturia elektrike që pret dhe koagulon gjakun në të njëjtën kohë) është pajisje elektronike mjekësore, e cila zëvendëson bisturinë e thjeshtë. Elektrobisturia aplikohet në prerje gjatë kirurgjisë dhe në të njëjtën kohë realizon koagulimin e gjakut për të evituar ndonjë hemorragji të mundshme. Në kohën e sotme pavionet kirurgjikale të përgjithshme përdorin elektrobisturinë sepse është mjaft komode dhe lehtëson procesin e kirurgjisë. Elektrobisturia duhet të jetë në gjendje maksimalisht optimale pasi një defekt i mundshëm pas prerjes së një organi, indi apo ndonjë ndërhyrjeje tjetër mund të mos ndalojë në momentin e duhur koagulimin e gjakut dhe kjo mund të kalojë në një proces të rënduar hemorragjik dhe ka raste që spani kohor mund të jetë i gjatë dhe pacienti për shkak të moskoagulimit mund të humbasë gjak më shumë se normalja e specifikuar dhe gjithashtu një problem me Elektrobisturine mund të shkaktojë një ndërhyrje kirurgjikale jo shume të saktë apo precize.
Rëndësia e Ekove (Pajisjet Ultrasound)
Pajisja Ultra-sonografike (Eko Ultrasound) Eko është një teknikë imazhimi, e cila aplikohet për të përftuar imazhe të ndryshme të organeve, muskujve, artereve etj. Kjo aparaturë përfton imazhin nëpërmjet valëve të zërit (Ultrasound). Eko përdoret për diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme si të zemrës, e cila aplikohet Eko Kardiake, për diagnostikim gjinekologjik Eko Gjinekologjike, Eko Vaskulare, Eko Abdominale etj. Për të përcaktuar një diagnozë të saktë, Pajisje Eko Ultrasonike duhet të jetë në kushtet më të mira të funksionimit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

