Në fokus

April 24, 2020 | 8:05

Esmeralda Birçaj: Fëmijët që janë rritur të privuar, kanë mësuar të vlerësojnë

 

Dhurata, dhurata, dhurata… Dhe ajo që unë vazhdimisht pyes veten është: çfarë fiton një fëmijë nga e gjithë kjo? Pse u jepni atyre një tufë sendesh të padobishme? Lojëra që me shumë mundësi do të luhen vetëm një herë, ose sepse ato do të bëhen njëmijë copash vetëm brenda disa ditësh ose sepse do të mërziten sapo të marrin në duar një tjetër. Me të vërtetë nuk e di se çfarë u  ofrojnë, por ajo që di me siguri është se nuk u nevojiten të gjitha.

Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendor, Gjykata e Rrethit Vlore, Terapiste EMDR 1

Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendor, Gjykata e Rrethit Vlore, Terapiste EMDR 1

Fëmijët që u rritën me privim mësuan të vlerësojnë. Ka fëmijë që rriten me njëmijë privime dhe më besoni, këta fëmijë po mësojnë të vlerësojnë ato pak që kanë. Dhe për të mos u keqkuptuar, kur flas për privimin, thjesht i referohem te mirave (mallrave) materiale.

Në të gjitha këto objekte të padobishme, që i rrethojnë çdo ditë. Të mirat materiale që u ofrojmë bujarisht para se të na i kërkojnë, qoftë nga pendimi për mungesën tonë të gjatë apo t’i shpërblejmë për suksesin e tyre.

Është sikur themi thjesht “ndjesë” për të kërkuar falje apo një “bravo” për t’i uruar, por kjo nuk është e mjaftueshme. Ne vetë i mësojmë fëmijët tanë keq, sepse u kemi mësuar atyre se një sukses gjithmonë duhet të shoqërohet nga një kuti e  mbështjellur bukur.

E di që çdo prind merr jetë përmes buzëqeshjes së fëmijës së tij dhe kurrë nuk dëshiron ta privojë nga asgjë, por duhet të mendojmë për më vonë. Pasojat e gjithë kësaj.

Ka shumë të vegjël që rriten vetëm me gjërat thelbësore nga prindër të cilët ose nuk mund ta  përballojnë t’u ofrojnë atyre më shumë ose t’i bëjnë ata me vetëdije. Ata zgjedhin të mos dëmtojnë fëmijët e tyre duke u ofruar atyre vetëm atë që u nevojitet vërtetë. Sepse ata e dinë që në këtë mënyrë, do të jenë në gjendje të rritin një fëmijë i cili nuk do të ketë frikë kur do t’i duhet të dalë në arenën e jetës. Ai nuk do të ketë frikë, do të punojë shumë dhe do të djersitet duke menduar për përpjekjet dhe sakrificat e prindërve të tij.

Ai do t’i vlerësojë ato pak që i ofroi familja e tij dhe do të punojë shumë për të marrë gjithçka që ëndërron. Sepse kështu u mësua qysh fëmijë dhe sepse e di se asgjë dhe nga askush nuk do t’i jepet. Ai do të lodhet, por në fund do të jetë në gjendje të marrë gjithçka që ai ndoshta ishte i privuar kur ishte fëmijë.

Mbi të gjitha, nuk ka ndjenjë më të bukur sesa plotësia dhe lumturia që ndjen kur arrin të marrësh diçka me vështirësi. Me përpjekjen tuaj, sakrificat tuaja, pa kurrizin e askujt dhe veçanërisht pa kurrizin e prindërve tuaj. Dhe çfarëdo që të merrni në këtë mënyrë, e doni atë më shumë.

Është krejtësisht ndryshe të krijosh diçka vetë dhe ndryshe ta gjesh gati. Ajo ka një vlerë tjetër, një magji tjetër, të dini se ju filluat nga e para (nga zero) dhe u bëtë dikushi, vetëm me ndihmën e vetes dhe askujt tjetër. Pa u mbështetur te askush. Dhe sigurisht, gjithmonë duke pasur mbi shpinë mendjen tuaj dhe prindër që vetësakrifikuan për t’ju rritur. Sepse ata ju privuan nga ajo që mendonit atëherë se ju duheshin dhe që e konsideronit të domosdoshme, në mënyrë që t’ju mësonin në këtë mënyrë. Janë ata që ju mësuan se për të pushtuar jetën, duhet ta ndiqni atë. Që të marrësh diçka duhet të kërkosh, të punosh dhe të luftosh për të.

Ndoshta askush nuk mund të interesohet për këto që po ju them, por jam rritur në një familje të tillë dhe jam shumë krenare për këtë. Sepse mbase jam privuar nga të mirat materiale, por kam marrë aq shumë dashuri saqë gjithçka tjetër ishte thjeshtë e parëndësishme dhe e pakuptimtë. Kështu që, me këtë dashuri të pafund shpirti dhe imazhin e nënës time në mendje, (sepse u rrita vetëm me nënën, babai ndërroi jetë kur isha vetëm 1-vjeçe) vazhdoj gjithmonë përpara, pretendoj atë që më përket mua, luftoj vetëm për atë që dëshiroj dhe punoj shumë për të marrë atë që ëndërroja.

*Përkushtuar njeriut më të rëndësishëm në jetën time, nënës time të shtrenjtë e cila ndërroi jetë në 22/04/2018.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top