E bukura është në syrin e atij që shikon, është tani klisheja. E megjithatë,e bukura mbetet një nga temat më të rëndësishme në estetikë, për të gjitha llojet e arsyeve.
Estetika është disiplinë filozofike që merret me natyrën dhe shprehjen e së bukurës në art. Ajo quhet edhe teori e vlerësimit apo aksiologji, e cila studion vlerat shqisore apo emocionale-shqisore, të ashtuquajtura nganjëherë gjykim i ndjenjave dhe shijes. Në filozofinë kantiane estetika është degë e metafizikës që merret me ligjet e perceptimit.
Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.Larti
Estetika (nga greqishtja: αἰσθητική – esthitiki = ndijim, shqisim) është disiplinë filozofike që merret me natyrën dhe shprehjen e së bukurës në art. Ajo quhet edhe teori e vlerësimit apo aksiologji, e cila studion vlerat shqisore apo emocionale-shqisore, të ashtuquajtura nganjëherë gjykim i ndjenjave dhe shijes. Në filozofinë kantiane estetika është degë e metafizikës që merret me ligjet e perceptimit (shqisimit).
Fjala “estetika” është paraqitur për herë të parë në gjysmën e shekullit XVIII. Në vitin 1750 Baumgarteni e botoi pjesën e parë të veprës së tij me titull “Aesthetica”. Baumgarteni si në njërën ashtu edhe në veprën tjetër, estetikën (nga greqishtja “aisthesis – perceptim, ndijim) e përcaktoi si shkencë për të njohurit sensual, qëllimi kryesor i së cilit është shpjegimi i të bukurës. Me ndryshim nga të njohurit racional edhe gnoseologjia “estetika është … shkenca për të njohurit sensual”, pra është një gnoseologji më e ulët. (“gnoseologia interior”).
Estetika është shkencë e cila studion artin dhe të bukurën. Kjo është një shkencë e vjetër sa vetë njeriu. Baugarden vërtetoi se estetika nuk është vetëm dukuri që shihet dhe preket, por mund të shijohet, preket, vizatohet. E bukura që thamë se është lëndë e parë e përhapur kudo në natyrë, ndërsa arti është vegël apo instrument që përdor e bukura për ta joshur njeriun. Nga kjo që u tha më lart, del se estetika i studion ligjet e përgjithshme të përvetësimit estetik të realitetit, por vëllimi i saj është më global se sa mund ta ketë procesi i këtij përvetësimi. Pra estetika është shkencë e cila i studion ligjet e veçanta dhe të përgjithshme të gjithëpërfshirjes së fenomeneve estete, me të gjitha karakteristikat, veçantitë individuale dhe shijen artistike, e cila rezulton prej përvetësimit të tyre, fenomeneve estete nga faktori subjektiv.
E bukura dhe arti me shumëllojshmërinë e tij (vallëzimi, piktura, skulptura, arkitektura, poezia, drama, muzika, etj) që në hershmëri e kanë preokupuar mendjen njerëzore përgjithësisht dhe veçanërisht nga ana filozofike. Refleksionet e para filozofike lidhur me atë se ç‘është e bukura dhe e shëmtuara, ajo që na pëlqen dhe ajo që nuk na pëlqen, i gjejmë ende te filozofët grekë të periudhës kozmologjike – Herakliti, i cili e vuri në pah relativizmin e vlerësimeve estetike, Pitagora, që e theksoi harmoninë si diçka e bukur, Demokriti etj. Sofistët, Sokrati, e veçanërisht Platoni me veprat e tij të famshme “Shteti”, “Hipija i Madh”, “Gostia apo për dashurinë”, “Filebi”, Aristoteli me veprat “Poetika”, “Etika”, “Retorika”, etj, sikurse edhe Platoni me veprën e tij “Eneade”, Toma Akuini etj, ia vunë bazat e një metafizike, përkatësisht të një filozofie të së bukurës në përgjithësi.
Gjatë zhvillimit të saj historik, estetika, përkatësisht filozofia e të bukurit dhe artit u kuptua dhe u përcaktua ndryshe. Sipas Aristotelit, ajo ka për detyrë të bëjë përgjithësime lidhur me krijimtarinë artistike dhe si e tillë është pjesë përbërëse e filozofisë. Toma Akuini dhe filozofët e tjerë mesjetarë synojnë që estetikën, sikurse edhe tërë filozofinë e shkencën në përgjithësi ta vënë në shërbim të Zotit dhe fesë.
Sipas Kantit, estetika nuk është tjetër veçse një “kritikë e shijes” artistike, kurse Hegeli estetikën e përcaktoi si “filozofi e artit, madje jo e çdo arti, por e ‘arteve të bukura’”.
Të shumta dhe të shumëllojshme janë pikëpamjet për artin, të bukurën, komiken, tragjiken, të madhërishmen dhe çështjet e tjera me të cilat merret estetika si doktrinë e posaçme. Të gjitha këto pikëpamje të ndryshme dhe herë–herë të kundërthënshme që tentojnë ta përcaktojnë artin dhe të bukurën mund të ndahen, me kusht që ta sakrifikojmë saktësinë dhe ta thjeshtësojmë çështjen, në dy grupe të mëdha: pikëpamjet objektiviste dhe pikëpamjet subjektiviste.
Sipas pikëpamjeve estetike objektiviste e bukura dhe baza më e thellë e artit në përgjithësi gjendet jashtë subjektit si diçka objektive (harmonia, përpjesëtimi, cilësia, uniteti, esenca, raporti, ideja etj). Pikëpamja estetike objektiviste nënkupton – në një mënyrë ose në një tjetër – se arti është mënyrë e caktuar e pasqyrimit, e të shprehurit dhe e paraqitjes së të bukurës objektive. Pikëpamje të këtilla estetike kishin Platoni, Toma Akuini, Nikola Bualo, Hegeli, Maksimilian Bek, Zhak Mariten, Etjen Surio etj. Platoni, i cili i kushtoi kujdes të madh çështjes së të bukurës dhe artit, të bukurit, e përcakton në mënyrë objektiviste dhe idealiste. Të bukurit ekziston si një ide objektive, si njëtrajtësi dhe esencë e amshueshme dhe e pavdekshme e gjësendeve dhe e dukurive sensuale. Dora, këmba, fytyra, mali, fusha etj., nuk mund të jenë të bukura për vete dhe në vete. Këto dhe gjërat e tjera sensuale e të ndryshme mund të jenë të bukura vetëm aq sa marrin pjesë në ide ose idetë në to.
Arti është vetëm kopjim ose pasqyrim i sendeve sensuale, të cilat në anën tjetër, edhe vetë janë kopjim ose hije e ideve të tyre. Toma Akuini presupozon se bukuria e vërtetë është bukuria hyjnore, e cila ekziston pavarësisht nga njeriu dhe njerëzia. Arti dhe bukuria artistike është vetëm simbol i të bukurës objektive hyjnore. Të bukurit sipas Hegelit, është manifestim konkret sensual i idesë absolute, e cila paraqet fillimin dhe fundin e çdo gjëje. Maksimilian Bek, është i mendimit se e bukura ekziston objektivisht dhe si formë e objektivizuar na është e dhënë në perceptimet tona.
Përkundër këtyre, pikëpamjet estetike subjektiviste nisen nga propozicioni se të bukurit dhe baza e artit dhe e krijimit artistik ekziston vetëm brenda subjektit dhe veprimtarisë së tij. Pavarësisht dhe jashtë subjektit dhe veprimtarisë së vetëdijes nuk ekziston ndonjë e bukur objektive e natyrore. Natyra, sendet, dukuritë, njerëzit e të tjera janë të bukur vetëm në mbështetje të asaj që subjekti, vetëdija i kumton të tillë. Proklamimi i subjektit si i vetmi faktor që determinon të bukurit dhe artistiken sjell medoemos deri te një relativizëm estetik, i cili në shumicën e rasteve ka për moto pohimin se “për shijen nuk mund të diskutohet”.
Përfaqësues të subjektivizmit estetik janë: David Hjumi, Emanuel Kant, Viktor Bash, Ditrih Hajnrir Kerler, Teodor Lips etj. Njëri ndër përfaqësuesit e parë të pikëpamjes estetike subjektiviste është David Hjumi, i cili e mohon ekzistimin e të bukurit në natyrë. “Të bukurit – thotë Hjumi – nuk është veti e vetë sendeve: të bukurit ekziston vetëm në vetëdijen e vrojtuesit dhe çdo vetëdije e vëren një të bukur të veçantë. Subjekti është i lirë që ta vërejë, sipas shijes së tij, një të bukur të veçantë, i cili nuk është e thënë të jetë patjetër e bukur edhe për subjektet e tjerë”.
Sipas Kantit, “fuqia e të gjykuarit” është ligjdhënëse në lëmin e estetikës sikurse që mendja është ligjdhënëse në lëmin e natyrës. Principi objektiv i të gjykuarit estetik është i pamundur dhe të pëlqyerit e përgjithshëm mund të jetë vetëm subjektiv. Subjektivizmi estetik i Kantit, i cili insiston që të pëlqyerit duhet të jetë i përgjithshëm, është i detyruar të përfundojë në një formalizëm estetik. Sipas Kantit, “e bukur është ajo që pa koncepte përfytyrohet si objekt i të pëlqyerit të përgjithshëm, dhe na pëlqen pa kurrfarë interesi”. Të bukurit nuk është cilësi e qenies, e realitetit të jashtëm, por diçka që i përshkruhet atij nga ana e subjektit.
Si pikëpamjet subjektiviste, ashtu edhe ato objektiviste estetike, janë të njëanshme dhe nuk mund të pranohen plotësisht. Ato me të drejtë kanë theksuar këtë ose atë anë të çështjes së estetikës, artit, të bukurit, etj, por nuk janë në gjendje që ta kuptojnë tërësinë e çështjes – veprën artistike dhe raportin midis subjektives dhe objektives. Kuptohet se të bukurit nuk mund të jetë vetëm produkt i vetëdijes së kulluar, i ndjenjave, sepse me këtë rast është e pamundur që të shpjegohet fakti se si dhe për ç‘arsye disa vepra artistike na pëlqejnë përgjithësisht. Pa vetëdije, pa subjekt nuk mund të ketë art, por vetë subjekti, vetëdija është e kushtëzuar në mënyrë objektive dhe historike – shoqërore. Në anën tjetër, natyra dhe fenomenet e saj janë kusht që njeriu si krijues i artit të ekzistojë, të krijojë, të modulojë, por ato nuk kanë domethënie pa njeriun.
Estetika e trupit
Estetika e trupit si dukuri dhe temë të shtjelluari ka rrënjët në lashtësi. Ajo ka filluar të kultivohet që nga kohërat e paleolitit duke vazhduar në atë të mezolitit, neolitit e deri në ditët tona, kohë në të cilën njerëzit i japin një rol të veçantë. Që nga kohërat më të vjetra përkujdesi sa më i mirë kanë prodhuar kremra të ndryshëm. Si p.sh. nga lëvoret e drunjve, nga lëkurat e shtazëve, nga yndyrnat e peshqve e shumë lëndë të tjera. Duke ardhur në përparimin fiziko-mendor të njeriut përkujdesja ndaj trupit është ngritur mbi nevojat personale d.m.th higjienën e trupit. Sot kemi barëra, kremra dhe gjëra të tjera përkujdesje të cilat jo vetëm që i parandalojnë bakteret por që nga prodhuesit premtohet që arrijnë edhe rigjenerimin e qelizave.
Zona më të rëndësishme për dekorimin dhe përkujdesjen më të madhe të trupit janë:
Zona e gjymtyrëve
Zona e barkut
Zona e fytyrës
Si përfundim:
Estetika na çon në një sërë çështjesh që përfshijnë të bukurën, moralin dhe më shumë. Për shembull, disa kanë argumentuar se një komponent i rëndësishëm i përvojës estetike është dëshira për veprim në artin “e të bukurës” “e të mirës” “e të hijshmes” këto na shtyjnë që ne të përpiqemi dhe të përmirësojmë shoqërinë.
Në librin, “Nga e bukura tek detyra”, cilësohet: Ndoshta, ne duke e parë diçka si të bukur, kemi më shumë të ngjarë që ta mbrojmë dhe jo ta shfrytëzojmë atë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.