Nga: Prof. Assoc. proc.Doc. Dr. Ilia S. LARTI
“Nëse tregohesh i sjellshëm, nuk do të thotë se je i dobët. Kujtohu, që nuk ka më të butë se uji, por forca e tij thyen edhe shkëmbinjtë më të fortë!” Mohandas Karamchand Gandhi
Morali ka të bëjë me të menduarit drejt, të zgjedhurit drejt dhe të sjellurit drejt. (Aristoteli)
Fillimet e këtij shekulli të ri konsiderohen nga mjaft filozofë, psikologë, sociologë, politologë e tej,. si periudha e tre “E”-ve: Ekonomi, Ekologji dhe Etikë. Përfshirja e etikës në këtë trinom prioritetesh, përbën një shenjë të qartë të një ndryshimi cilësor në kohën e sotme. Thirrjet në kor, për më tepër vëmendje e kujdes ndaj vlerave dhe etikës vijnë nga disa drejtime, si nga organizmat ndërkombëtare, nga sistemet e brendshme të qeverisjeve, nga qarqet akademike, nga masmedia dhe opinioni i gjerë publik. Këto zëra pasqyrojnë një reagim ndaj ngjarjeve që qëndrojnë në kryetitujt e ditës lidhur me skandalet e korrupsionit.
Konceptualiteti mbi etikën
Po t’ju referohesh fjalorëve enciklopedikë në të gjitha gjuhët gjejmë ide dhe përkufizime për etikën që kanë një emërues të përbashkët. Etika (greq.-ves, dok, zakon), në filozofi është studimi dhe vlerësimi i sjelljes njerëzorë në dritën e parimeve morale. Parimet morale mund të shikohen si standardi i sjelljes që njerëzit kanë ndërtuar për veten e tyre ose lënda e shtrëngimeve dhe e detyrimeve që një shoqëri e caktuar kërkon nga prestarët e saj.
Ç’është etika dhe çfarë përfaqëson ajo?
Etika është ajo fushë që merret me botën shpirtërore të njerëzve pra, me normat si marrja e rregullave për sjelljen njerëzore me të qytetarit për arritjen e vlerave mbi të mirën dhe të keqen, të drejtën dhe të gabuarën, të dëshirueshmen dhe të padëshirueshmen, ajo gjithashtu merret të rritë normat për t’u sjellë të detyruara në emër të detyrës dhe profesionit. Gjithsesi në këtë kontekst shtrojmë pyetjen: “Përse ne duhet të sillemi në mënyra të caktuara”. Në këtë këndvështrim del se sjelljet, e qëndrimit duhet të bëhen brenda atyre parametrave normale që t’i përgjigjet çështjes së destinacionit të vështirë të njeriut. Kjo është ajo pjesë e filozofisë që i intereson në mënyrë të drejtpërdrejtë çdo njeriu për të reflektuar në të sjellurit dhe marrjen e një vendimi normal.
Tradicionalisht etika ndahet në etikën:
normative, etaetikë, e zbatuar.
Por në ditët tona kemi edhe ndarje më të hollësishme, për etikën siç janë ato të:
Individit, grupit, drejtimit, profesionale.
Përkufizimi mbi etikën
Etika si disiplinë merret me studimin e çështjes së burimit, esencës dhe të funksionit të moralit.
Përfaqësues tipik i etikës autonome është Kanti. Ai thotë se askund në botë për më tepër, as jashtë saj, nuk mund të merret me mend asgjë, që pa kurrfarë kufizimesh mund të konsiderohet e mirë, pos vullnetit të mirë.
Morali
Etika dhe morali = ajo që ne themi zbulon etikën tonë, ndërsa veprimet tona zbulojë moralin tonë
Morali (latinisht-Morales > sjellje, zakon), i përgjigjet çështjes së destinacionit të vërtetë të njeriut. Çdo veprim që bën njeriu nënkupton një reflektim dhe vendim moral. Në përgjithësi, sapo mendojmë për jetën tonë dhe për kuptimin që duam t’i japim asaj ose sapo mendojmë për ta kryer detyrën që na është besuar menjëherë ne kemi ngritur problemin e moralit. Në historinë e filozofisë morali ka pasur dy zgjidhje të përgjithshme:
a-Qëllimi më i lartë i njeriut është lumturia.
b-Qëllimi i fundit i njeriut është virtyti ose përmbushja e detyrës.
Në fakt njeriu i moralshëm është ai që respekton, ndihmon sakrifikon për të tjerët dhe në emër të detyrës, duke u nisur nga kërkesat parimore dhe jo nga interesat apo ndjenjat.
Sipas Kantit: Filozofia morale merret me kërkimin e atyre parimeve, të cilët zbatohen nga të gjitha qeniet racionale dhe na udhëheqin drejt asaj sjelljeje që ne e quajmë të mirë. Më tej, ai cilëson se një provë e madhe e një veprimi të mirë moral është nëse parimet e tij mund të zbatohen nga të gjitha qeniet racionale dhe në mënyrë të vazhdueshme.
“Përpjekja më e rëndësishme njerëzore është orvatja për moralitet në veprimet tona. Baraspesha jonë e brendshme dhe madje qenësia jonë varet nga kjo. Vetëm morali në veprimet tona mund t´i japë bukuri dhe dinjitet jetës”. Albert Ajnshtajn
“Shkëlqimi i moralit ndodh si pasojë e vesit. Ne bëhemi të drejtë duke bërë vepra të drejta, të përmbajtur duke bërë vepra të matura, trima duke bërë vepra guximtare”. Aristoteli
Virtyti
“Virtyti – prirje dhe forcë e brendshme që ka njeriu për të bërë punë të mira” Monteskje (vizionar i madh)
Virtyti si prirje dhe forcë morale është një domosdoshmëri për një mësimdhënës të suksesshëm dhe të besueshëm
Koncepti i virtytit nuk ka vetëm dimensione morale por edhe vlera reale, të cilat burojnë nga traditat më të mira të treguara nga njëra anë tek një vend, dhe nga ana tjetër arritjet e provuara që kanë ecur përpara vendet e qytetëruara. Virtyti si vetia më e mirë që ka njeriu, i cilësuar si vlera më e lartë e pastërtisë morale, s’arrihet lehtë, por nëpërmjet një pune vetë edukuese, të kontrolluar, të normuar ku të spikatë në çdo moment arsyetimi dhe qëndrimi për të synuar pa rezerva të mirën dhe vetëm të mirën
Virtyti është edukatë qytetare, dhe si e tillë ai shfaqet vetvetiu pa e kuptuar sepse është bërë pjesë e shpirtit siguresë për të vepruar e cila ka zënë vend në arkitekturën trunore, të njeriut dhe shfaqet nëpërmjet infrastrukturës shpirtërore.
Duke pasur parasysh se pasionet e njeriut janë të shumta, njeriu duhet të zbulojë masën e duhur të mungesës dhe teprimet, Virtyti është i lidhur me ndjenjat dhe veprimet e ndryshme të njeriut sepse në to mund të ketë teprim dhe mangësi. Psh., është e mundur – thotë Aristoteli, të ndjesh emocionin e frikës, besimit, dëshirës, urrejtjes, mëshirës, kënaqësisë dhe dhimbjes, shumë më tepër ose shumë më pak dhe në secilin rast në mënyrë të gabuar. Të ndjesh këto kur duhet, në rastin e duhur, ky është mesi, kjo është gjendja më e mirë për njeriun që të jetë, dhe pikërisht ky është virtyti.
Vesi është ose ekstrem, shfrenim ose mungesë, ndërsa virtyti është masë. Kjo arrihet nëpërmjet fuqisë racionale të shpirtit, me anë të të cilit kontrollohen pasionet dhe udhëhiqen veprimet. Dhe në lidhje me këtë, zbulohet mesi i duhur.
Analiza Sociologjike për situatat Sociale dhe tendencave Etike
“Çështja ekonomiko-sociale ka rënë sot në botë, si rezultat i divorcit me etikën”.(postulat i një studiuesi amerikan)
Vlerësimi i mënyrave të sjelljes së njerëzve
Sot duke ju referuar jetës dhe marrëdhënieve shoqërore është bërë e vështirë që të ketë një sistem të qartë etike vlerash konsensuale, midis shumë faktorëve ndikues është dhe braktisja e kësaj shkence nga programet apo modulet e shkollave të mesme e në mjaft universitete. Sepse që të trajtosh etikën do të thotë që: duhet të kesh moral që të diktosh moral.
Ndaj nuk është kaq e lehtë të flitet për funksionimin e një “kornize etike”, si bazë ekzistenciale dhe si mundësi reale për të përcaktuar vendimmarrjen dhe vlerësuar mënyrat e sjelljes së njerëzve, apo funksionim mekanizmat e ndarjes së të mirës nga e keqja. Sepse shoqëria shqiptare si kurrë më parë, tani është në fazën kur për këto shkaqe, por edhe për ca arsye të tjera, që sociologjikisht nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, po përjeton një “krizë etike” të thellë.
Treguesit e të cilës janë të qartë, evidentë, të dukshëm, ta matshëm në jetën qytetare dhe sjelljen tonë të përditshme. Këtë shqetësim social të përhapur e ndeshim kudo në jetën familjare, marrëdhëniet shoqërore, në jetën me komunitetet, në ambientet e punës, sikurse në marrëdhëniet individuale, ato institucionale e deri, në sjelljet sociale. Nuk ka njeri normal që nuk e kupton këtë situatë, që nuk është i përballur me epideminë e amoralitetit, i shqetësuar dhe i bezdisur nga sjelljet vulgare apo jo etike, asociale si dhe qëndrimet jo korrekte të shumë njerëzve.
Dukuri dhe fenomene të shfaqura kohët e fundit me intensitet të lartë tek fëmijët, të rinjtë, prindërit, eprorët, nëpunësit, punonjësit e shërbimit, të arsimit, shëndetësisë, shërbimeve sociale, etj.
Me sa duket do të kemi shumë probleme që vijnë nga kaosi dhe papërcaktueshmëria e vlerave morale.
Realisht konfuzioni i jetës morale është në rritje nga qëndrueshmëria morale dhe papërcaktueshmëria e vlerave etike, për shkak të dobësimit të rolit, aftësive kohezive të shoqërisë, por dhe të prirjes tejet individualiste të sjelljes së njerëzve tanë. Nga që nuk kemi një sistem të pranuar vlerash etike, jemi në gjendje të amullisë, në të cilën është e vështirë të gjenden ato parime racionale që duhen, për të rregulluar dhe normativizuar vlerësimin e sjelljes sociale të njerëzve në shoqërinë tonë.
Situatat që zhvillohen në familje, marrëdhëniet kaotike, të tensionuara që zhvillohen midis burrit dhe gruas, prindërve dhe fëmijëve, midis mësuesve dhe nxënësve në shkollë, shthurja morale dhe liberalizimi ekstrem i seksualitetit, dhuna në ambientet publike, krimet, vrasjet, brutaliteti i sjelljeve në rrugë, të gjitha këto janë tregues të krizës etike, të shfaqjes së anomalive në sjelljet publike dhe private të njeriut.
Sipas mendimit tim, ajo që është shqetësuese është situata e konformizmit etik dhe e “pajtimit social” me këtë realitet, nënvleftësimi dhe neglizhimi i vlerës së parimeve etike universale, si kusht për të rregulluar sjelljen sociale morale të shoqërisë dhe komportimin edukativ të njerëzve tanë, me parimet etike që koha i kërkon dhe duhet të jenë “vlera etike” të përbashkëta të shoqërisë .
Analiza sociologjike e situatës sociale dhe e tendencave etike, tregon se në se: ka një gjë për të cilën duhet të jemi të shqetësuar së tepërmi, nuk është aq shumë vlerësimi i situatës etike empirike dhe gjendjes së sjelljeve aktuale të njerëzve në shoqërinë tone, në këtë fazë të përmbylljes së tranzicionit moral. Këto fenomene janë tipike, të kuptueshme, kalimtare. Por dëmi, sipas mendimit tim është më i thellë, është më afatgjatë dhe përtej kornizave të dukjes empirike.
Shoqërisë shqiptare po i deformohet mentaliteti moral, bindja për vlerën që kanë parimet etike universal, si norma që rregullojnë sjelljen dhe normativizojnë parimet individuale etike të njeriut të veçantë.
Jetojmë në kohë të reja në të cilën me sa duket, asgjë që nuk i shërben njeriut, apo që është kundër dëshirave personale dhe qëllimeve pozitive të tij, kompatibilitetit social pragmatist dhe utilitarist, është e vështirë të klasifikohet si vlerë morale.
Etika shfaqet si një tërësi normash të sjelljes publike dhe individuale, që lipsen të aplikohen nga çdo person dhe komunitet personash.
Të qenit e Etikës prezent në vijën e sjelljes të çdo individi është shumë e rëndësishme, si kudo dhe në çdo rast, por sidomos gjatë marrjes së vendimeve, për zgjidhjen e dilemave, bërjes së analizave, bërjes dhe ribërjes së “kodeve të etikës”, është një domosdoshmëri për çdo profesion.
Në këtë aspekt është një kërkesë e kohës sa dhe e nevojshme që ata që merren me fushën e moralit, mësuesit, pedagogët, specialistët, drejtuesit e tjetër me përvojë, duhet ta ndjejë veten dhe të marrin përsipër që të kontribuojë në fushën e etikës (filozofisë morale), duke shprehur mendimet e tija, por nga ana tjetër, duhet të jetë në vijën e parë të aplikimit në mënyrë individuale të normave etike dhe marrjen e vendimeve për zgjidhjen e dilemave në mënyrën më të drejtë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.