Shkolla është një mikrokozmos i shoqërisë qëllimi i të cilit është të respektohet ndershmëria, drejtësia dhe përgjegjësia.
Në çdo ditë mësimdhënie, përballemi me një realitet të qartë: arsimi nuk është vetëm mësimdhënie e fakteve apo përcjellje e njohurive. Ai shihet si një proces i thellë socializimi dhe formimi etik se si të jetojnë e të ndërveprojnë në shoqëri, përveç lëndëve akademike.
Etika në arsim nuk mund të jetë thjesht një teori apo një kapitull në një tekst mësimor, por mësohet dhe zbatohet në praktikën e përditshme.
Etika në arsim është edhe një mjet parandalues kundër fenomeneve të rrezikshme si bullizmi, mungesa e disiplinës, ndëshkimet e padrejta apo abuzimet me pushtetin e mësuesit. Nëse këto nuk adresohen saktësisht, atëherë shkolla humb funksionin e saj themelor.
Përcaktimi i mekanizmave të qartë për të kultivuar sjelljen etike nuk nënkupton vetëm rregullore të shkruara, por edhe një kulturë të brendshme ku çdo mësues, prind dhe nxënës ndjehet i përfshirë dhe i përgjegjshëm. Kështu mund të formojmë breza që do ta shohin shkollën jo thjesht si një vend ku merren nota, por si një hapësirë për të mësuar vlerat e jetës.
Çdo mësues ka dy misione të rëndësishme si: model sjelljeje dhe transmetues dijesh. Për funksionimin plotësisht të këtyre dy misioneve, përparësore është përmirësimi i punës në dy drejtime: ngritjen e standardeve akademike dhe forcimin e dimensionit etik. Vetëm kështu shkolla do të arrijë të kryejë misionin e saj më të lartë, formimin e qytetarëve të ndershëm, të përgjegjshëm dhe të aftë për t’u përballur me sfidat e jetës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.