FB

December 2, 2024 | 7:17

Falënderimi mund t’ju bëjë më të lumtur në fundvit

 

Çdo sezon festash vjen me pritshmëri të mëdha për një periudhë komode dhe festive të vitit. Megjithatë, për shumë, kjo kohë e vitit është e ngjyrosur me trishtim, ankth ose depresion. Sigurisht, depresioni ose një çrregullim i rëndë ankthi përfiton më shumë nga ndihma profesionale. Por çfarë ndodh me ata që thjesht ndihen të humbur, të dërrmuar ose të dëshpëruar në këtë periudhë të vitit? Studimet (dhe sensi i përbashkët) sugjerojnë se një aspekt që mund të na bëjë të shijojmë siç duhet festat është pikërisht të qenit mirënjohës.

festa-grua

Mirënjohja është një vlerësim falënderues për atë që merr një individ, qoftë e prekshme apo e paprekshme. Me mirënjohje, njerëzit pranojnë mirësinë në jetën e tyre. Në këtë proces, njerëzit zakonisht e kuptojnë se burimi i asaj mirësie qëndron të paktën pjesërisht jashtë tyre. Si rezultat, të qenit mirënjohës gjatë festave i ndihmon njerëzit të lidhen me diçka më të madhe se vetja si individë – qoftë me njerëzit e tjerë, natyrën apo një fuqi më të lartë. Në studimin e psikologjisë pozitive, mirënjohja lidhet fort dhe vazhdimisht me lumturi më të madhe.

Ndaj kur ndajmë kohë me familjarë, të afërm, fëmijë, të ftuar të tjerë, kur mblidhemi së bashku në tryeza të mëdha dhe bisedojmë me orë pa fund kohët e shkuara, rrjedhimisht çlirojmë atë energji të mirë, që na mungon gjatë ditëve normale të vitit. Është një kohë e shkëlqyer për t’u rikthyer në emocione që na bëjnë mirë, na frymëzojnë dhe na mbajnë gjallë dëshirën për të qenë po kaq të lumtur dhe në vitet që do të pasojnë. Mirënjohja për çastet e kaluara, dhuratat që kemi shkëmbyer në kohë festat, të qëndruarit pranë në kohë të vështira, mbështetja që kemi marrë, na ndihmon të provojmë më shumë emocione pozitive, të dimë si të shijojmë përvojat e mira, të përmirësojmë shëndetin, të dimë të përballemi me fatkeqësitë dhe të krijojmë marrëdhënie të forta.

Dy psikologët, Dr. Robert A. Emmons nga Universiteti i Kalifornisë, Davis, dhe Dr. Michael E. McCullough nga Universiteti i Majamit, kanë bërë shumë nga kërkimet mbi mirënjohjen. Në një studim, ata u kërkuan të gjithë pjesëmarrësve të shkruanin disa fjali çdo javë, duke u fokusuar në tema të veçanta.

Një grup shkroi për gjërat për të cilat ishin mirënjohës që kishin ndodhur gjatë javës. Një grup i dytë shkroi për acarime të përditshme ose gjëra që i kishin pakënaqur, dhe i treti shkroi për ngjarje që i kishin prekur (pa theksuar në ishin pozitive ose negative). Pas 10 javësh, ata që shkruanin për mirënjohjen ishin më optimistë dhe ndiheshin më mirë për jetën e tyre. Çuditërisht, ata gjithashtu ushtroheshin më shumë dhe kishin më pak vizita te mjekët sesa ata që u fokusuan në burimet e lëndimit. Studime të tjera kanë cilësuar se si të qenit mirënjohës mund të përmirësojë marrëdhëniet. Për shembull, një studim i çifteve zbuloi se individët që gjetën kohë për të shprehur mirënjohjen për partnerin e tyre, jo vetëm që ndiheshin më pozitivë ndaj personit tjetër, por gjithashtu ndiheshin më mirë duke shprehur shqetësimet për marrëdhënien e tyre.

Në çdo Vit të Ri ka një pikë takimi mes së shkuarës dhe së ardhmes dhe nëse fundi ndoshta na lë pak nostalgjik, e ardhmja na jep shpresë, por edhe pasiguri. Le të mbushet boshllëku nga e mira, pozitivja. Jeta na jep fryte më të mira nëse kultivojmë mirënjohjen. Dhe me shpresën që 2024 të mund t’ju sjellë të gjithëve qetësi, shëndet, punë, dashuri, dhe diçka për të cilën të jeni gjithmonë mirënjohës.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top