Marrëdhënie

September 15, 2016 | 6:51

Falja… ndjenja që “shëron”

“Falja liron shpirtin dhe fshin frikën”, ka thënë Nelson Mandela. Kjo është një shprehje që sot mund të ndikojë te shumë shkencëtarë, psikologë dhe filozofë. Në fakt, studiuesit me kërkimet e tyre na ftojnë të ndryshojmë këndvështrimet tona. Hakmarrja mund edhe të jetë e ëmbël, por falja është shumë herë më mirë. Pikërisht këtë gjë po kupton edhe shkenca, e cila i ka kushtuar gjithnjë e më shumë studime mirëqenies psikologjike dhe fizike që përfitojmë kur nuk kemi më ndjesinë e inatit, mërisë, pasi këto ndjenja zëvendësohen më pas vetëm nga pozitiviteti. Falja nuk është vetëm një gjest bujar që i bëhet dikujt, por është një akt që i bën mirë edhe vetë atij që fal, trupit, shpirtit dhe mendjes së tij. Falja ndihmon viktimën e një padrejtësie të çlirohet nga ndjenja e pamundësisë. Bëhet një gjest aktiv që na lejon të rilidhemi me shoqërinë dhe të rifitojmë besimin. Është një hap shumë thelbësor për të vazhduar jetesën. Ekzistojnë prej kohësh studime që tregojnë se kush di të falë, ka tension më të ulët, sistem më të fortë imunitar, më pak lodhje, stres, depresion. Psikologët kanë dashur t’i kuptojnë më në thelb përfitimet e faljes në trurin e njeriut. Me anë të rezonancës magnetike ata kanë parë që vihej në lëvizje një tërësi lidhjesh cerebrale, e cila përfshinte fusha të ndryshme. Mes tyre është dhe zona që ndikon në mënyrën se si perceptojmë një ngjarje dhe pasojat që do të ketë në sferën emotive. Me faljen, kjo zonë aktivizohet dhe rezultati është mahnitës: një ngjarje negative rishikohet në term pozitiv. Dhe jo vetëm, modifikohet edhe përgjigja biokimike, e cila zvogëlon ankthin dhe inatin.

Falja është një gjest që shërben për t’u ndier më mirë. Nuk po flasim për faljen atëherë kur nuk duhet, por nëse u largojmë të tjerëve ndjesinë e fajit, kemi mundësinë t’i dhurojmë vetes më tepër shëndet, më tepër harmoni dhe dëshirë për të parë me optimizëm drejt së ardhmes. Studime të ndryshme tregojnë se përfitimet terapeutike që dhuron falja kanë të bëjnë me tension më të ulët, më pak rrezik nga depresioni apo nga infarkti.

Të mos i japësh dikujt të drejtën për të kërkuar falje na bën keq. Kur mbledhim shumë “mosfalje” helmojmë shpirtin dhe ky helm rëndon fantazinë, aftësinë për t’u shprehur. Për pasojë truri i njeriut prodhon vetëm veprime dhe mendime negative. U ndodh të gjithëve të thonë: “nuk do ta fal kurrë”, por më pas është fiziologjike, inati kalon, njësoj si të jetë një sëmundje. Të gjithëve u ndodh kjo gjë. Psikologët sugjerojnë ta vini veten në provë. Shikojeni ngjarjen që ka ndodhur të shkëputur nga konteksti dhe analizojeni personin që ju ka bërë të ndiheni keq. Shpesh ndodh që të kemi përballë njerëz që veprojnë pa pasur në vetvete qëllimin për të bërë keq. Ndaj, teksa e analizoni situatën, mundohuni të justifikoni arsyet. Pastaj, a mund t’i mohohet dikujt falja? Me qetësi, maturi do t’ia dilni mbanë të kaloni situatën dhe do të shihni se do të ndiheni vetë më mirë. Kjo pasi në shoqërinë tonë falja është gjithnjë e më e rrallë, për të mos thënë e çmuar. Për aq kohë sa nuk falni dikë, shpirti nuk është i qetë, por përkundrazi, shumë i ekspozuar për t’u udhëhequr nga inati. Me një akt bujarie, është njësoj si të pastronim ajrin me të cilin marrim frymë dhe kjo çon në mirëqenien tonë dhe të atyre që na rrethojnë. Është një nga ato energji që e shuajnë konfliktin që në rrënjë, pastrojnë shoqërinë nga tensionet dhe nga fara e hakmarrjes. Të falësh nuk do të thotë të mbyllësh sytë dhe të mos shohësh fajin: do të thotë të mbështesësh ndryshimin e vetes dhe të të tjerëve. Ka shumë gjëra pozitive të falësh, pasi na ndihmon të çlirohemi nga e kaluara dhe na jep mundësinë të shohim drejt së ardhmes. Është një dhuratë e madhe që i bëjmë vetes, na çliron nga mendimet dhe u hap udhën veprimeve pozitive. E njëjta gjë vlen edhe për personat të cilëve u japim faljen tonë: gjesti “shkrin” ndjenjën e fajit dhe e lejon të rinisë nga e para, të jetë më i hapur dhe pozitiv.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top