FB

March 11, 2026 | 20:00

“Familja e Pyllit” në Itali / Historia që ngriti në këmbë një shtet, si u larguan tre fëmijë nga shtëpia e tyre dhe pse babai po kërkon t’i marrë përsëri?

 

Kjo histori është bërë shumë e famshme në Itali dhe në Europë sepse lidhet me një debat të madh: deri ku mund të ndërhyjë shteti në jetën e një familjeje që zgjedh të jetojë ndryshe. Familja është quajtur nga media “fëmijët e pyllit” ose “familja e pyllit” sepse jetonin pothuajse të izoluar në një zonë pyjore në Palmoli, një fshat i vogël në rajonin Abruzzo, në provincën Chieti në Italinë qendrore.

familja-e-pyllit1

Prindërit janë Nathan Trevallion, një ish-kuzhinier britanik, dhe Catherine Birmingham, një australiane që më parë ka punuar si instruktore kuajsh dhe trajnere-jete. Ata u transferuan në Itali në vitin 2021 dhe blenë një shtëpi shumë të vjetër në pyll për rreth 20 mijë euro, duke zgjedhur të jetonin “off-grid”, pra jashtë sistemeve normale të jetesës moderne.

Shtëpia ku jetonin ishte një kasolle e vjetër në pyll pa lidhje me rrjetin e ujit, energjisë apo kanalizimeve. Ata përdornin panele diellore për energji, ujë nga një pus, rritnin perime dhe mbanin pula e kafshë të tjera. Tualeti ishte jashtë shtëpisë dhe familja shpesh jetonte shumë e izoluar nga komuniteti. Fëmijët – një vajzë rreth 8-9 vjeç dhe dy binjakë rreth 6-7 vjeç – nuk shkonin në shkollë. Prindërit thoshin se i edukonin vetë në shtëpi me një metodë të quajtur “unschooling”, ku fëmijët mësojnë pa program formal.

familja-e-pyllit

Autoritetet italiane u interesuan për familjen në vitin 2024 kur të pestë përfunduan në spital pasi kishin ngrënë kërpudha të egra helmuese që i kishin mbledhur në pyll. Pas kësaj ngjarjeje shërbimet sociale nisën një hetim për mënyrën si jetonin dhe si po rriteshin fëmijët. Në raportet e tyre thuhej se fëmijët nuk kishin shumë kontakt me fëmijë të tjerë, kishin probleme me gjuhën italiane, nuk ishin të regjistruar në shkollë dhe shtëpia nuk plotësonte standardet bazë të banimit dhe higjienës. Për këtë arsye, në nëntor të vitit 2025 Gjykata për të Mitur në L’Aquila vendosi të pezullojë përkohësisht përgjegjësinë prindërore dhe t’i largojë tre fëmijët nga shtëpia, duke i vendosur në një strukturë kujdestarie në qytetin Vasto, pranë bregdetit të Adriatikut. Prindërit e kundërshtuan vendimin dhe apeluan, duke thënë se nuk kishte abuzim dhe se thjesht kishin zgjedhur një mënyrë jetese më natyrore. Megjithatë gjykata e rrëzoi apelimin, duke theksuar se shqetësimet kryesore ishin siguria, arsimi dhe socializimi i fëmijëve.

Fillimisht nëna u lejua të qëndronte në të njëjtën strukturë me fëmijët gjatë disa orëve në ditë, ndërsa babai mund t’i vizitonte. Por në fillim të vitit 2026 gjykata urdhëroi që edhe nëna të largohej nga objekti sepse sipas stafit kishte tensione dhe nuk bashkëpunonte me programin edukativ që po u bëhej fëmijëve. Kjo shkaktoi shumë polemika në Itali dhe në rrjetet sociale, madje disa politikanë kritikuan vendimin e gjykatës.

Aktualisht fëmijët janë ende në qendrën e kujdesit në Vasto. Babai lejohet t’i takojë çdo ditë dhe tani po përpiqet të bindë gjykatën që t’i kthejë në shtëpi ose t’i japë kujdestarinë vetëm atij. Gjykata ka lënë të kuptohet se ai mund të konsiderohet prind më i përshtatshëm nëse plotëson disa kushte, si sigurimi i shkollimit dhe kujdesit shëndetësor për fëmijët. Në këtë moment po bëhen edhe vlerësime psikologjike dhe vendimi përfundimtar pritet në muajt e ardhshëm.

Pra familja që u etiketua “fëmijët e pyllit” sepse jetonin realisht të izoluar në një kasolle në pyll, solli dhe një pyetje më të madhe: a ka të drejtë një familje të rrisë fëmijët jashtë sistemit tradicional, apo shteti duhet të ndërhyjë kur mendon se kjo dëmton fëmijët?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top