Familja, është vendimi i dy individëve të rritur, i marrë me shpirt e mend për të udhëtuar së bashku në kohë për sa të jetë e mundur më shumë.
Familja, janë “kufijtë” e parë që individi njeh për të kanalizuar zhvillimin e tij drejt vetes sociale dhe sistemit të vlerave. Familja është strukturë natyrore që siguron ekzistencën e çdo gjallese. Është mahnitëse siguria që iu transmeton kjo strukturë pjesëtarëve të saj. Ajo, ndër kohëra, i ka dhënë individit emrin, shkallën shoqërore dhe mundësinë që të vetëorganizojë të njëtën strukturë për të siguruar vazhdimësinë.
Familja është mjedisi i parë i të perceptuarit të nivelit ekonomiko-social, kombit, gjuhës, kulturës të cilëve u përket. Marrëdhëniet në familje duhet të ndërtohen nëpërmjet mekanizmave të dashurisë si: njohja, përgjegjësia, respekti, liria dhe jo nëpërmjet mekanizmave të paranojës si: papërgjegjshmëria, dyshimi, xhelozia, hakmarrja dhe urrejtja.
Familja duhet të përfaqësojë vendin ku njeriu nuk duhet të ndjehet i frikësuar, i shtirur apo i “kontrolluar”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.