Ndonjëherë e gjej veten duke menduar seriozisht: të hipi në një avion për jashtë shtetit, të ndryshoj emrin, të më thërrasin në një emër tjetër dhe të shes në një plazh me një kapelë kashte e një buzëqeshje naive. Por menjëherë pas kësaj fantazie lirie vjen pamja e fëmijëve dhe bashkë me të ndjenja e fajit: “Si mund të largohem? Çfarë prindi jam?”
Këtu nis e vërteta: para se të jesh prind, je njeri. Prindërimi kërkon dhënie të vazhdueshme. Ai qetëson, përthith frikëra, parashikon nevoja. Sistemi nervor mbetet gjithnjë në gatishmëri. Nuk ka “jashtë detyrës”. Në një çast, psikika krijon një fantazi çlirimi: një jetë ku nuk je i domosdoshëm për askënd. Ky është “ai njeriu tjetër”. Jo dëshirë për braktisje, por reagim ndaj mbingarkesës. Nuk do të lësh fëmijët, do të rikthehesh si person, jo vetëm si rol. Kur njeriu humbet brenda rolit, shpirti kërkon të marrë frymë, qoftë edhe përmes një ëndrre arratisjeje.
Faji që pason është provë dashurie. Nëse nuk do, nuk do të vuaje. Puna me veten nuk është të shtypësh mendimin, por të pyesësh:
Ku nuk kam hapësirë?
Kur më lejohet të jem e lodhur pa u ndier e pamjaftueshme?
Kush kujdeset për atë që kujdeset për të tjerët?
Sepse kur këto nevoja heshtin, ato shndërrohen në dëshirë për t’u zhdukur.

Nuk ke nevojë të bëhesh njeriu tjetër. Ke nevojë të bëhesh sërish e dukshme në jetën tënde. Duhet një vend ku prindi dhe personi bashkëjetojnë, ku mund të jesh e kufizuar, e papërsosur, e lodhur, dhe prapë e mjaftueshme.
Fëmijët nuk kanë nevojë për një prind të vetësakrifikuar, por për një prind të gjallë. Kur shfaqet njeriu tjetër, mos u tremb. Dëgjoje. Ai po të kërkon hapësirë për të dashur pa u humbur. Prindi ka nevojë për hapësirë si person, që të mund të mbetet i gjallë dhe i plotë në dashurinë ndaj fëmijëve.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

