Nga Anisa Xhani (Daci)
Femra në çdo kohë është trajtuar si një qenie delikate, dhe po aq të brishta janë edhe sfidat që e shoqërojnë. Të flasësh për femrën në Shqipërinë tonë duhet të portretizosh para syve atë që qëndron majë takave (skrapina) dhe atë që ecën këmbëzbathur, atë që sot lufton për të drejta të barabarta dhe atë që ende s’ka të drejtë as mbi qënien e saj, atë që i ka vënë shpatullat e saj jetës dhe atë që ende e ngarkojnë ‘si kafshë’ mbi shpatullat…
Problematika jo të njëjta, por që emërues të përbashkët kanë familjen. Disa i nështrohen edhe rregullave të padrejta të saj, ndërsa të tjera zgjedhin ta sfidojnë. I tillë është edhe rasti i Fatbardha Alimetës, e cila edhe pse në hapat e saj të parë nuk e kishte mbështjen dhe kurajon nga të afërmit zgjodhi të vazhdojë ëndrrën, jo vetëm për emacipimin e vetes, por për t’u bërë shembull se nëse ka këmbëngulje dhe iniciativë mund t’ja dalësh.
-Bardha ju vazhdimisht artikuloni rolin e gruas në një shoqëri bashkëkohore. Sa të vështirë e gjeni këtë rol në një qytet si Librazhdi, ku edhe keni të fokusuar veprimtarinë tuaj?
Përsa i përket rolit të gruas, jo vetëm i gruas në provincë apo dhe në zonat rurale të Librazhdit unë mendoj se ajo nuk është në nivele të ulëta, krahasuar me ato të zonave të thella malore, apo atje ku ka shumë mentalitet të theksuar maskilist, apo ku traditat e vjetra ruhen me fanatizëm përfshirë tani dhe ato fetare. Librazhdi është një vend ku emancipimi i gruas ka ecur me kohën, por kjo s’do të thotë që gruaja i ka të gjitha të drejtat, gjithsesi mbetet shumë për të bërë.
-A keni hasur në ndonjë sfidë specifike gjinore apo pengesa në karrierën tuaj?
Po do të thoja. Në fillimet e mia nuk ka qenë e lehtë për mua. Ishin shumë faktorë objektiv dhe subjektiv nisur edhe nga vetja ime, isha e re dhe pa përvojën e duhur për një rrugë kaq të gjatë dhe të mundimshme, por vullneti i mirë qëllimi pozitiv që i vë vetes përmbys çdo mur.
Por mbi të gjitha për të arritur aty ku do kërkohet dhe mbështetja e familjes, gjë që në fillimet e para nuk ka qenë aq e fortë dhe ka patur skepticizëm se mos unë dështoja në nismat e mia dhe kjo mungesë besimi ndillte dhe barriera. Por, këmbëngulja ime, dëshira për t’i bërë gjërat e mia, vullneti për të mos i lënë ato në mes bindi edhe familjarët e mi, të cilët më vonë u bënë jo vetëm përkrahës, por ishin dhe shtysë për të vazhduar.
Dua të kujtoj që kur krijova për herë të parë shoqatën time nga kordinatorë në një OJF. Mora nismën që projektet dhe idetë e mia t’i zbatoja vetë në shoqatën time “Gruaja Ndryshe Librazhd”, e cila u themelua në vitin 2004 me vullnetin tim dhe të miqve të mi, me të cilët ndanim të njëjtat ide për t’i shërbyer komunitetit. Përveç punës sime si Kryetare e Shoqatës GNL unë jam përfshirë gjerësisht në jetën social-kulturore dhe kam një kontribut modest në letërsi, pasi kam botuar 5 vëllime me poezi dhe prozë ku dhe aty trajtohen fenomenet e shoqërisë shqiptare në këtë tranzicion pafund. Kam studiuar pikturë në shkollën e mesme Elbasan Onufri dhe më pas të lartën Histori-Gjeografi.
-Sa i rëndësishëm është vetëzhvillimi për një grua?
Për të arritur të kesh sukses në jetë duhet të dalësh jashtë kornizave dhe duhet të jesh aktiv ngado për të rritur njohuritë tuaja, por këto duan kohë dhe para ndoshta, por nëse ti i ke hyrë diçkaje duhet të sakrifikosh e t’ja dalësh. Unë falë punës sime, familjes dhe miqve të mirë që më kanë mbështetur dhe inkurajuar për të ecur dhe kemi qenë bashkë thuajse në këtë rrugëtim jam sot një grua e cila e gjen veten në shoqëri që lufton, jo vetëm për të drejtat e saj, por për të gjitha problemet që kjo shoqëri mbart me steriotipe të shumëllojshme, të cilat nuk e lenë vendin të zhvillohet, pasi dihet që një vend i zhvilluar nuk matet vetëm nga ekonomia, por nga kultura që ka.
Nuk po flas më tej për veten… Jeta ime është e dokumentuar, jo thjesht në titujt që kam marrë nga unione federate etj, po ajo është e gdhendur në zemrat e njerëzve të thjeshte ku unë çdo ditë, orë jam me ta dhe ndaj me ta dhimbjen, punoj për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë e kam vlerën ‘ Njeri’ prej tyre. Mirënjohja e tyre është motiv për mua për të ecur në rrugën time të drejtë, për të dhënë kontributin tim në shoqëri që ajo të zhvillohet.
-Nisur nga vetja më specifiko tri këshilla që një grua duhet të ketë gjithmonë parasysh për të ecur përpara?
Mesazhi im për zonjat do të ishte ky:
-Mos prisni të tjerët t’ju ndihmojnë kur ju nuk ndihmoni veten!
-Mos prisni t’ju kuptojnë kur ju jeni të paqarta me veten!
-Mos u tërhiqni nga kërkesat tuaja jetike dhe luftoni fort për të arritur të drejtat tuaja!
Nuk është e lehtë, por jo e pamundur. Bashkë mund t’ja dalim, bashkë fitojmë çdo betejë. Rrisni aftësitë e tuaja, punoni fort aty ku jeni të afta, bëni çdo kompromis me bashkëshortët tuaj, ata janë gjysma juaj dhe do t’ju kuptojnë. Ju jeni të forta, ju sfidoni, vetëm guxoni, guxoni dhe mos u ndalni…!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.