Në fokus

July 3, 2017 | 9:54

Fatbardha Topuzi: Jeta është e bukur dhe duhet të dish ta jetosh, pavarësisht vështirësive

Nga Anisa Xhani

Qyteti i Elbasanit, por jo vetëm, krenohet me çiftin e intelektualëve Fatbardha dhe Dhimitër Topuzi. Ajo është marrë me muzikë, ka qenë aktore në teatrin e Elbasanit , ndërsa sot në prag të pensionit i është përkushtuar edukimit të brezave të rinj. Një rrugë e bërë duke ecur, që për një artist asnjëherë nuk ka fund…

Për lexuesit e revistës “Psikologjia” Fatbardha Topuzi rrëfen sekretet e një marrëdhënieje të frytshme në dashuri dhe karrierë.

2

Fatbardha po bëhet viti i rimartesës suaj, një iniciativë jo shumë e zakontë. Cilat kanë  qenë  komentet që keni marrë dhe si ka ndikuar në  marrëdhënien tuaj një ribetim për dashurinë pas 30 viteve?

Po e vërtetë. Po afron viti i rimartesës sonë mbas 30 vjetësh. Nuk na shkonte fare në mendje që kjo rimartesë do të bëhej pjesë e emisioneve të televizionit dhe këtë herë pjesë e revistës suaj. Ju falenderojmë nga zemra. Inisiatore për këtë ribetim dhe për t’i thënë edhe njëherë PO njëri-tjetrit mbas 30 vitesh martesë, u bëra unë, kësaj radhe para altarit dhe për të marrë bekimin e Zotit, sepse më pëlqen të bëj gjëra të reja dhe për t’i dhënë më shumë jetë dhe kuptim jetës në çift gjithashtu, për të përmbushur një dëshirë të prindërve të bashkëshortit tim për të vënë kurorë në kishë. Kjo nuk ishte e mundur para 30 vjetesh, sepse dihet që jetonim në një kohë tjetër, bashkëshorti e mirëpriti këtë inisiativë timen. Ndihemi të lumtur që ajo dëshirë e kahershme u bë realitet. Komentet dhe urimet kanë qenë pa fund, nga familjarët tanë, miq, të njohur dhe të panjohur që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë saj, bashkëqytetarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës.

untitled

Si ka ndikuar ribetimi në marrëdhënien dhe dashurinë tuaj?

Të them të drejtën ky ribetim i dha më shumë kuptim marrëdhënies sonë në çift, e ka bërë atë më të bukur, i ka dhënë më shumë kuptim, për të kuptuar se jeta është e bukur, por e shkurtër dhe duhet ta jetojmë atë me të gjitha dimensionet e saj.

Ku e gjen frymëzimin Fatbardha për të përçuar të bukurën dhe vlerat te publiku i saj?

Si natyrë më pëlqen ta shoh jetën me ngjyra, pavarësisht vështirësive që ajo mbart, sepse jeta nuk është vetëm sukses, por ka ulje dhe ngritje, vështirësi që hasen gjatë saj, kjo mbase ka të bëjë me natyrën dhe karakterin e fortë që më karakterizon, pra me një fjalë, ajo që më frymëzon është ana e të parit të çdo gjëje me pozitivitet dhe për t’i marrë jetës më të mirën e mundshme.

Të them të drejtën frymëzimin e gjej së pari në familjen time, në gjithçka të bukur që më rrethon, në shoqëri të mirë që më jep mundësi për të marrë më të mirën e mundshme, sigurisht edhe për t’i dhënë asaj më të mirën timen dhe në çdo gjë tjetër që më bën ta shoh jetën me ngjyra, pavarësisht realitetit, që jo gjithmonë na jep atë çfarë ne duam.

Një  artiste me një  bashkëshort gjithashtu artist. Cili është sekreti i marrëdhënies shembullore bashkëshortore dhe profesionale?

Skena është ajo që ne na lidhi në fillim si shokë të mirë, e më pas kjo miqësi u konvertua në lidhje bashkëshortore, ku krijuam familjen tonë të ardhshme, ku Zoti na bekoi vetëm me një vajzë. Por, në këtë 30 vjetor të martesës sonë dhurata më e bukur ishte edhe ardhja e mbesës sonë Vivien, duke i dhënë më shumë kuptim këtij përvjetori. Sekreti i marrëdhënies në çift në rastin tonë si dy artistë, mendoj se së pari është respekti, vlerësimi reciprok për njëri-tjetrin. Zgjidhja e problemeve me mirëkuptim, sepse jeta nuk është vetëm me lule e shtruar, por ka edhe gjemba që duhen hequr gjatë kësaj rruge të gjatë, gjithashtu edhe vlerësimi i personalitetit që tek ne ka funksionuar më së miri, duke pasur parasysh edhe të qenit të të njëjtit profesion si artistë mendoj unë.

Meqë tashmë jeni e përqendruar në  edukimin e brezave të rinj, cili është mesazhi juaj për ta?

Kam vite që fokusi im ka kaluar në edukimin e brezave të rinj me muzikën dhe për këtë ndihem e vlerësuar. Mundohem me gjithë energjitë dhe formimin tim profesional të jap më të mirën për ta dhe për t’u thënë që jeta është e bukur dhe duhet të dish ta jetosh, pavarësisht vështirësive, por me kurajo, vetëbesim dhe përkushtim është e mundur të arrihet për t’i marrë më të mirën e mundshme.

1

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top