Dashuria, diçka e njohur! Kush më shumë e kush më pak të gjithë e kemi përjetuar këtë ndjenjë, dhe të gjithë në një histori dashurie kemi kaluar momente euforie dhe reflektimi. Le të përpiqemi të zbulojmë sesi evolon me kalimin e kohës dhe në çfarë pike gjendet marrëdhënia jonë.
Një lloj çmendurie: Të paktën një herë në jetë na ka ndodhur që të dashurohemi: jemi mbytur nga hormonet, të tilla si dopamina, oksitocinë, serotonin, testosterone dhe estrogjen, madje jemi thuajse të dehur dhe me kalimin e kohës bëhet e vështirë për të vazhduar. Dukemi si të etur në shkretëtirë dhe kërkojmë oazën për të na ringjallë, kemi dëshirë të përhershme për të përfunduar në krahët e tjetrit, porti i vetëm i sigurt dhe i rehatshëm për t’u strehuar. Është faza e zbulimit, kur eksitimi është shumë i madh dhe dëshira për të prekur, për të puthur dhe për të bërë dashuri duket se nuk na braktis kurrë. Tek partneri ynë na pëlqen gjithçka, është thjesht i përsosur, dhe jemi pothuajse mosbesues përpara një personi të tillë të drejtë dhe ideal. E jashtëzakonshme dhe madhështore, kjo fazë i lë vendin pastaj diçkaje tjetër….
Dy, dy, dy: Ndihemi çift! Më në fund jemi çift dhe përpiqemi të kuptojmë se çdo të thotë kjo për njëri-tjetrin. Le të vendosim në lëvizje aftësitë tona të të menduarit dhe të fillojmë të jetojmë historinë tonë sikur të ishim një. Kur jemi cift mund të kalojmë kohë me shoqërinë ose mund ta kalojmë mbrëmjen të shtrirë në krevat. Fillojmë të bëjmë projekte: pushimet, shtëpia, jeta e ardhshme. Jemi praktikisht të sigurt që kjo është lidhja e jetës sonë, dhe do të vazhdojë përgjithmonë: ne jemi të sigurt se asgjë nuk mund të na ndajë dhe se ne jemi të përsosur për njëri-tjetrin, por …
Nuk është e gjitha ar ajo që shkëlqen: Është një thënie e vjetër mjaft e përshtatshme. Faza e tretë në fakt është ajo e rënies: nga yjet tek stallat? Jo domosdoshmërisht, por pas të rejave fillon faza e ndërgjegjësimit. Pas rënies në dashuri, entuziazmi i lë hapësirë jetës së përditshme, dhe kush e di se sa herë na ka ndodhur të ndihemi vetëm duke e pasur partnerin pranë. Kthehet dëshira për t’u ndjerë të lirë, sidomos kur fillojnë të na shqetësojnë gjëra të vogla dhe qëndrime që më parë nuk i kemi vënë re ose që i kemi anashkaluar. Ne ndjehemi më pak të dashur dhe më pak në qendër të vëmendjes, jemi më nervozë, dhe mjafton diçka e vogël që të lëndohemi, ose të ndihemi të pakënaqur. Kjo është faza që shumë çifte nuk arrijnë t’ia dalin, historia e dashurisë mbaron dhe marrëdhënia merr fund.
Ne jemi së bashku: Nuk është e pamundur të kalosh fazën e tretë: kush e ka bërë mund ta dëshmojë atë! Pas zënkave, konfrontimeve të nxehta, gabimeve, më në fund ka një mënyrë për të qenë së bashku që na bën aleatë, bashkëpunëtorë. Ne jemi të vetëdijshëm se partneri ynë nuk është pikërisht personi që kemi ëndërruar,por është ai që na do siç jemi, që na gjendet pranë sa herë kemi nevojë, madje edhe kur duam të ndajmë gëzimet tona. Në këtë fazë, idealet nuk ekzistojnë më dhe ia lënë vendin ndërgjegjësimit që pranë kemi një person të vërtetë me të mirat dhe defektet e tij, ashtu siç jemi edhe ne.
Tani është dashuri: Kur dehja i jep rrugë ndërgjegjësimit dhe ëndrrave ndaj realitetit, nëse zgjedhja është të qëndrojmë së bashku, më shumë se të dashuruar bëhemi bashkëpunëtorë. Dhe me bashkëpunimin vjen dëshira për të ndërtuar diçka së bashku: të jetojmë së bashku, ndoshta të blejmë një shtëpi, të formojmë familje, të projektojmë një biznes profesional për ta menaxhuar “në ekip” dhe çdo gjë tjetër që na vjen nëpër mend. Kush nuk e kalon fazën e tretë, atë të zhgënjimit, humbet dy fazat e fundit, ato më të bukurat dhe më të përsosurat, sepse ata që nuk arrijnë dy fazat e fundit, nuk mund të kuptojnë qetësinë e asaj që kemi arritur dhe të shijojnë dashurinë e pjekur, e cila në fund është më e bukura dhe na shoqëron gjatë gjithë jetës së kaluar së bashku.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.