Nga Lira Gjika, mjeke pediatre
Hunda e fëmijës është një organ ndjesor aktiv. I porsalinduri ka një ndjeshmëri shumë të lartë nuhatjeje ndaj aromës së nënës së tij. Studjuesit kanë demonstruar në mënyrë të padiskutueshme se fëmija i porsalindur diferencon me lehtësi aromën e nënës nga personat e tjerë që janë në kontakt me tw. Edhe në errësirë ai është i aftë të gjejë gjirin vetëm nga aroma.
Shpejtësia me të cilën fëmija dallon aromën e nënës së tij është befasuese. Në rastet kur nuk kanë ndërhyrë të tjerët për t’i ndarë, fëmija e njeh aromën e nënës brenda 48 orëve.
Të njëjtën aftësi e ka dhe nëna: po të rrijë në kontakt të ngushtë në gjysmë-orën e parë të jetës, do e njohë fëmijën edhe pas gjashtë orëve vetëm nga aroma. Aq e fuqishme është nuhatja sa edhe prematurët janë të aftë të dallojnë me lehtësi substanca të ndryshme.
Me sa duket, nga të pesta shqisat, nuhatja është ajo që zhvillohet më shpejt dhe reziston më gjatë deri në pleqëri. Mbase ngaqë është më e hershmja dhe më primitivja.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.