Nëse do të krahasojmë mënyrën si rritej më parë një fëmijë, krahasuar me fëmijët e ditëve të sotme do të kuptojmë ndryshimin e madh. Brezat e mëparshëm të fëmijëve kalonin orë të tëra në lagje duke luajtur apo edhe në parqet që dispononte qyteti ku ata jetonin. Ditët e sotme fëmija pasi kthehet nga kopështi, futet në shtëpi dhe kalon kohën duke luajtur, apo duke parë kukulla, kjo për mungesë kohe nga ana e prindërve por edhe si pasojë e frikës së tyre ne lidhje me virozat që fëmija mund të marrë.
Kjo është e gabuar!
Fëmija ka nevojë të qëndrojë në ajër të pastër që në moshë të vogël. Ndjesia e dritës, ajrit, mjegullës (në dimër), pemëve etj, e stimulojnë atë dhe e ndihmojnë të rritet. Natyra do të jetë vendi ideal për ta bërë fëmijën gjithashtu edhe të ndihet më i qetë. Sipas mjekëve, prekja e pemëve, tokës, luleve, barit etj e ndihmon fëmijën të mësojë nëpërmjet eksplorimit të ndjesive që ato i falin. Fëmija merr më tepër stimuj duke qënë se përfshihen njëkohësisht disa shqisa: prekja, nuhatja, shikimi dhe dëgjimi. Nëse keni një kopësht në shtëpi mund ta përdorni si një vend ku fëmija juaj të luajë edhe gjatë stinës së dimrit. Mjafton të ketë në trup veshjen e duhur.
Një impakt në zhvillimin e përgjithshëm të fëmijës
Studiuesit e mbështesin edhe teorinë se loja në ajër të pastër favorizon këtë zhvillim, duke përfshirë forcimin e imunitetit, memories, vëmendjes si edhe aftësive më të mira për të zhvilluar lojëra në mënyrë spontane. Një fëmijë që qëndron në ajër të pastër do të gëzojë shëndet më të mirë si edhe do të jetë më tepër social. Nuk duhet të harroni edhe rëndësinë e prodhimit të vitaminës D e cila ndikon edhe në uljen e rrezikut të shfaqjes së virozave./Pernenat
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.