Cilat janë disa nga kujtimet tuaja më të gjalla të fëmijërisë? A ju kujtohet kur keni mësuar ABC-në apo kur keni mësuar të dalloni ngjyrat? Specialistët e edukimit në vazhdim shpesh sugjerojnë se mësimi i vërtetë fillon kur fëmijët fillojnë shkollën fillore, megjithatë fëmijët mësojnë shumë që në momentin kur lindin dhe deri kur mbarojnë kopshtin.
Nga Zerina Qendro, Psikologe Këshillimi & Specialiste e edukimit në vazhdim
Fëmijët e moshës parashkollore përjetojnë zhvillim të vrullshëm të trurit dhe arrijnë 90% të vëllimit të trurit të tyre deri në moshën 6-vjeçare. Meqenëse edukimi në fëmijërinë e hershme ka një ndikim të rëndësishëm gjatë gjithë jetës tek fëmijët, prindërit dhe edukatorët përpiqen të krijojnë mjedise të përshtatshme ku fëmijët mund të lulëzojnë, krijojnë, imitojnë dhe të rriten e zhvillohen.
Çfarë është edukimi në fëmijërinë e hershme?
Fëmijëria e hershme ofron një mundësi për të formësuar trajektoren e zhvillimit holistik të një fëmije dhe për të hedhur themelet për të ardhmen e tyre. Që fëmijët të arrijnë potencialin e tyre të plotë, siç është e drejta e tyre njerëzore, ata kanë nevojë së pari për kujdes shëndetësor dhe ushqim, mbrojtje dhe siguri, mundësi për mësim të hershëm dhe mjedis të favorshëm; për të mësuar të folurin, të kënduarin, dhe të luajturin e të argëtuarin me prindërit dhe kujdestarët që i’u falin dashuri. Të gjitha këto elementë janë të nevojshme për të ushqyer trurin, i cili është në zhvillim dhe për të ushqyer trupat, që janë në rritje.
Edukimi në fëmijërinë e hershme i referohet çdo gjëje që mëson një fëmijë në vitet e tij parashkollore. Për shembull, identifikimi i formave, numërimi i objekteve, përsëritja e fjalëve dhe krijimi i fjalive, funksionet e objekteve, njohja e fytyrave dhe mbajtja mend e vjershave, interpretimi i përrallave mund të konsiderohen të gjitha aspekte të edukimit të fëmijërisë së hershme. Çdo element që ndikon në rritjen mendore, emocionale, psikologjike ose të sjelljes së një fëmije konsiderohet pjesë e edukimit të fëmijërisë së hershme.
Ekspertët e fëmijërisë së hershme që punojnë në institucione parashkollore detyrë primare kanë të zhvillojnë marrëdhënie me fëmijën në mënyrë unike.
Specialistët e edukimit mund të kryejnë studime kërkimore për të ndihmuar me teknika në funksion të fëmijëve që mund të kenë nevojë për mbështetje emocionale, të sjelljes ose edukative, shtesë.
Specialistët e edukimit gjithashtu u sugjerojnë prindërve metoda të reja për të inkurajuar dhe angazhuar fëmijët e tyre kur mësojnë në shtëpi.
Fëmijët e sotëm do të bëhen qytetarë, punëtorë dhe prindër të së nesërmes. Kur nuk arrijmë t’u ofrojmë fëmijëve atë që u nevojitet për të ndërtuar një themel të fortë për jetë të shëndetshme dhe produktive, ne vëmë në rrezik prosperitetin dhe sigurinë tonë të ardhshme.
Shkenca ka shumë për të ofruar rreth mënyrës se si ne si komunitet mund t’i përdorim burimet tona, në mënyrë më efektive dhe efikase për të ndërtuar atë themel të fortë. Kur ne investojmë me mençuri te fëmijët dhe familjet, brezi i ardhshëm do ta kthejë atë përmes një jete produktive dhe qytetarie. Kur nuk bëjmë investime të mençura në vitet më të hershme, ne të gjithë do të paguajmë kostot e konsiderueshme të një numri më të madh të fëmijëve të moshës shkollore që kanë nevojë për arsim special dhe më shumë të rritur që janë të papunë ose të burgosur.
Kjo është tema e diskutimit publik në rritje rreth ekuilibrit të duhur midis përgjegjësisë individuale dhe të përbashkët për mirëqenien e fëmijës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.