Në kohët që po jetojmë gjithçka duhet të jetë gjithmonë e pastër, por kjo gjë nuk i ndihmon fëmijët të forcojnë sistemin e tyre imunitar dhe organizmin. Natyrisht, është shumë e rëndësishme të lani duart. Por problemi i madh, të paktën në Perëndim, është se prindërit kanë vendosur të marrin çështjen e pastërtisë shumë seriozisht dhe në këtë mënyrë ata priren të jetojnë në mjedise të përsosura.
Shkenca moderne tregon se heqja e organizmave të vegjël të quajtur mikrobe, duke dezinfektuar gjithçka me sapun antibakterial dhe doza të ekzagjeruara të antibiotikëve në shenjat e para të etheve, po shkakton një ndikim të tmerrshëm negativ në sistemin imunitar të fëmijëve, thotë mikrobiologia Marie-Claire Arrieta.
Ekspertët besojnë se ky ekzagjerim në pastrim kontribuon në një sërë sëmundjesh kronike duke filluar nga alergjitë deri në obezitet. Marie-Claire Arrieta shpjegon se në lindje nuk kemi mikrobe. Sistemi ynë imunitar është i pazhvilluar. Por sapo mikrobet hyjnë në veprim, ata aktivizojnë sistemin tonë imunitar që fillon të funksionojë siç duhet.
Shumë hulumtime mbi këtë temë kanë treguar se organet dhe strukturat e sistemit imunitar nuk zhvillohen siç duhet nëse organizmi nuk vihet në kontakt me mikrobet.
Kjo sigurisht ndikon në sistemin imunitar të zorrëve: p.sh. zhvillimi i pllakave të Peyer, të cilat janë organet e sistemit imunitar të vendosura në muret e zorrëve dhe prodhimin e antitrupave IgA.
Nga ana tjetër, roli qendror i mikrobeve të zorrëve në zhvillimin e sistemit imunitar dhe në modulimin e funksionit të tij nuk është për t’u habitur, duke kujtuar se mukoza e zorrëve është sipërfaqja më e gjerë e organizmit në kontakt me mikrobet dhe antigjenet dhe se flora e zorrëve ka një ndërveprim të drejtpërdrejtë dhe intensiv me mukozën dhe sistemet e tij të mbrojtjes.
Higjiena e tepërt është një nga hipotezat që shpjegon pse alergjitë, obeziteti dhe sëmundjet inflamatore janë sëmundje në rritje. Ky shpjegim, megjithatë, nuk është thjesht gjenetik, sipas Marie-Claire Arrieta. Hulumtimet tregojnë vazhdimisht se si kjo mungesë ekspozimi ndaj mikrobeve po kontribuon në shfaqjen e sëmundjeve.

Shkencëtarët besojnë se ekspozimi ndaj mikrobeve është i domosdoshëm për zhvillimin e duhur të sistemit imunitar dhe për të parandaluar zhvillimin e këtyre sëmundjeve. Studimi tregon se fëmijët që rriten në një mjedis rural kanë më pak gjasa të zhvillojnë astmë, sipas dëshmive epidemiologjike.
Natyrisht, nuk është çështja për të jetuar në një fermë, por ajo që sugjeron studimi është se jetesa në një mjedis pa pastërti të tepërt është në fakt zgjidhja më e mirë.

Pra, nëse fëmija juaj është në oborrin e shtëpisë duke luajtur dhe ka diçka të pisët, mos nxitoni për ta larguar atë papastërti menjëherë, paralajmërojnë shkencëtarët.
Duhet të ketë një ekuilibër midis parandalimit të infeksionit, i cili është ende një kërcënim real në shoqëri, por gjithashtu promovon këtë ekspozim mikrobik, i cili, për studiuesit, është i shëndetshëm. Rritja e sëmundjeve autoimune tek fëmijët në vitet e fundit e konfirmon këtë qasje.
Burimi / incampagna.piccolestorie.net
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

