FB

February 25, 2023 | 8:47

“Fëmijët mësojnë atë që përjetojnë” / Konfliktet në ambientet shkollore dhe si t’i zgjidhim ato

 

 

Ekzistenca e konfliktit është po kaq e lashtë sa edhe ekzistenca e njeriut. Konflikti është një dukuri jetësore. Në këtë mënyrë, nuk jemi ne të parët e kësaj trajtese. Këtu do të përpiqemi të fokusohemi në disa lloje të veçanta konflikti, të cilat janë të lidhura me grupmosha të caktuara dhe konkretisht me ato të të rinjve, me qëllim që t’i mirëkuptojmë ata dhe të pranojmë diversitetin, për të realizuar sa më mirë detyrën e përditshme.

ilia-larti

Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.LARTI

 

Njeriu është qenie shoqërore dhe nuk mund të kuptohet pa këtë kontekst që i bën njerëzit edhe të ngjashëm edhe të ndryshëm nga njëri-tjetri. Konflikti është pjesë e jetës. Është e vështirë që të përshkruajmë një situatë jetësore pa elementet e saj konfliktuale.

Koncepti konflikt është shumë i gjerë dhe nga njëherë dhe mjaft i paqartë. Fjala konflikt zakonisht ka domethënie negative dhe kuptohet si e kundërta e bashkëpunimit, harmonisë apo paqes.

Shumica e njerëzve e mendojnë konfliktin si proces shkatërrimtar dhe i padëshirueshëm i cili duhet të shmanget, ndalohet dhe eliminohet. Megjithatë, konflikti është më i ndërlikuar se sa duket; është një fenomen social me interesa të ndryshme, është karakteristikë e zakonshme dhe thelbësore e qenieve njerëzore. Ne mund të zgjedhim se si të shprehim energjinë tonë për zgjidhjen e konfliktit. Kur konflikti shprehet dhe trajtohet në mënyrë konstruktive, ai mund të shërbejë si katalizatorë për transformime personale, shoqërore, politike tej.

s

Trajtimi i konfliktit dhe i situatave konfliktuale janë të lidhura ngushtë me përvojat tona jetësore. Në realizimin e detyrave ose të shërbimeve tona, detyrimisht jemi të lidhur me individë të tjerë metë cilët mund të gjejmë gjuhën e përbashkët por dhe mund të mos kemi mendime të përbashkëta dhe mund të biem në konflikt. Konflikti duam apo nuk duam ne, e pranojmë apo nuk e pranojmë ne, ai ekziston. Konflikti nuk është as i mirë e as i keq. Konflikti mund të japë një rezultat të mirë ose përkundrazi, mund të japë një pasojë të skajshme negative. Cili është ai fëmijë, i ri, prind, mësues, gjysh a gjyshe, qytetar, shtetas shqiptar që nuk është dridhur kur ka marrë vesh se si zënka, në dukje banale, kanë përfunduar në rrahje, plagosje e deri në marrjen e jetës së një adoleshenti apo të një të riu apo të një fëmije?

Sa tronditëse ka qenë mënyra se si një konflikt për një shkëmbim fjale të thjeshtë e deri banale në gjaknxehtësi e sipër degjeneron në çast apo të nesërmen në grindje apo zënkë, që në dukje duket si jo shqetësuese, ajo evoluon në mënyrë aq intensive, nëpërmjet përdorimit të forcës fizike,armëve të ftohta e deri përdorimi i armëve të zjarrit, ku si pasojë rrezikohet apo merret jeta e një fëmije, duke arritur deri atje që ky konflikt të përcillet deri te të rriturit e fëmijëve.

Në këtë kontekst shtrojmë pyetjen se a duhet që në jetën tone të përditshme, të vlerësojmë vetëm ato konflikte që manifestohen me zhurmë të madhe apo edhe ato që duken sikur ”flenë”, të cilat vlojnë si vullkani e presin të shpërthejnë? Sigurisht çdo shenjë apo premise që shfaqet si shkak për një konflikt të mundshëm duhet që domosdoshmërish pa humbur kohë e nënvleftësuar, duhet të merremi me të seriozisht. Sigurisht, këto konflikte, kur marrin përmasa të gjera mund të na çojnë në tronditje të karakterit, diskriminimit racor, gjinor, social, të mungesës së tolerancës në përgjithësi,të paragjykimeve, të krijimit të të fortëve, të stereotipave etj., të cilat pos u kapën që në zanafillë marrin përmasa të atilla, që për t’i zgjidhur duhet shumë punë.

Ndaj menaxhimi i konfliktit fillon me: zbulimin, parandalimin dhe deri te zgjidhja e tij, ka për qëllim të ofroj hapësirë dhe shkathtësi që të mos degjenerojë deri në veprime ekstreme të dhunshme deri dhe me kosto shumë të lartë deri dhe me humbje jetësh.

s2

Arsyet pse mësuesit shpërdorojnë me pushtetin e tyre janë të shumta, por do të veçojmë tri prej tyre:

1.Pushteti përdoret në mënyrë tekanjoze dhe autoritare.

2.Mungon pushteti nga ana e nxënësve.

3.Kontrolli mbështetet më shumë mbi frikën, sesa mbi arsyen, kujdesin ose në ndonjë prej forcave pozitive.

Në shumë raste, në praktikë, drejtimi autoritar i klasës shpesh kthehet në një bumerang. Në pamje të parë duket sikur është shumë i efektshëm, sepse është i shpejtë dhe jep rezultate, por megjithatë ai trajton vetëm problemet sipërfaqësore. Megjithëse mund t’u japë fund konflikteve mësues-nxënës, zemërimi dhe grindjet që vërehen te nxënësit për shkak të keqpërdorimit të pushtetit nga mësuesi, mund ta kanalizojnë konfliktin në drejtime shkatërruese dhe të rënda, sepse konflikti mund të shkallëzohet më tej dhe të përfshijë në të edhe persona të tjerë si prindërit, vëllezërit e motrat, të afërmit ose edhe rrethin shoqëror të të konfliktuarve.

 

A është e mundur që konfliktet në shkollë të parandalohen?

Të parandalosh konfliktet do të thotë të krijosh një klasë kompakte, një grup kompakt mësuesish, një grup kompakt prindërish. Pra, një grup mësuesish, drejtuesish, prindërish që udhëhiqen nga të njëjtit objektiva, ku secili ka ngarkesat e tij, përgjegjësitë dhe autoritetin e tij. Një grup ku nuk ka të humbur e fitues. Një grup me shumë individualitete, por që konkurrojnë ndershmërisht pa paragjykime, pa tendenciozitet, me larmi interesash.

Mundësitë për të parandaluar konfliktet ekzistojnë. Sigurisht jo të gjitha. Probabiliteti për të parandaluar konfliktet është aq më i madh, sa më shumë të punohet për parandalimin e tyre. Duhet synuar që konflikti të zgjidhet me variantin më të mirë: me marrëveshje, me mirëkuptim me tolerancë.

Duhet synuar për të arritur ndryshimin: ndryshimin në konceptimin e zgjidhjes së konflikteve, në mendësinë e të konfliktuarve, të atyre që ndërmjetësojnë, ndryshimin në çdo anëtar të grupit.

Të gjithë duhet të synojmë të rrisim një brez të aftë për të punuar në një shoqëri demokratike, duke respektuar anëtarët e grupit, të komunikojmë me ta, të debatojmë me tolerancë, të bashkëpunojmë, një brez që të dijë të zbatojë se puna në grup ka detyra, përgjegjësi dhe të drejta, se interesat vetjake duhet t’u shërbejnë interesave të grupit dhe anasjelltas.

Kuptohet që shkolla duhet të përpunojë e përgjithësojë rrugëzgjidhjet për konfliktet. Kjo nuk mund të bëhet me skema e modele, sepse çdo konflikt ka të veçantën e vet. Kjo punë kërkon angazhim e përkujdesje të përditshme, bashkërendim të të gjitha forcave të shoqërisë.

 

Jeta e ka konfliktin në thelbin e vet. Konflikti është një mënyrë e ekzistencës së saj. Të mbyllësh sytë përballë këtij realiteti, do të thotë të biesh ndesh me veten dhe me misionin e mësuesit që ti ke zgjedhur.

Trajtimi i konflikteve ka qenë objekt i veprimit qytetar, i individëve e i grupeve, i njerëzve të thjeshtë e i personaliteteve të shquara publike, të cilët kanë lënë pas një përvojë tepër të pasur që duhet të vlerësohet e mbahet parasysh në jetën tonë të përditshme.

s1

Mos harroni…!

Konfliktet janë të pashmangshëm dhe ne ndeshemi çdo ditë me to. Në rast se do jemi të aftët i trajtojmë ato drejt, atëherë pasojat e tyre te fëmijët do të jenë më të vogla. Urrejtja, inatet, mëritë, ambiciet duhet të zënë sa më pak vend në botën dhe shpirtin e fëmijëve. Miqësia dhe toleranca duhet të jenë ndjenjat që duhet të sundojnë botën e tyre shpirtërore dhe botën e jashtme që i rrethon.

 

Fëmijët mësojnë atë që përjetojnë

Në qoftë se fëmija jeton me kritikën, ai mëson të gjykojë. Në qoftë se fëmija jeton në armiqësi, ai mëson të luftojë. Në qoftë se fëmija jeton me përqeshjen, ai mëson të turpërohet. Në qoftë se fëmija jeton me turpin, ai mëson të ndihet fajtor. Në qoftë se fëmija jeton me tolerancë, ai mëson qytetarinë. Në qoftë se fëmija jeton me kurajën, ai mëson besimin. Në qoftë se fëmija jeton me buzëqeshjen, ai mëson të respektojë. Në qoftë se fëmija jeton me drejtësinë, ai mëson të jetë i paanshëm. Në qoftë se fëmija jeton në sigurinë, ai mëson të veprojë. Në qoftë se fëmija jeton me vlerësimin, ai mëson ta dojë vetveten. Në qoftë se fëmija jeton në miqësi, ai mëson të dashurojë.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top