Marrëdhënie

October 8, 2016 | 7:15

Fëmijët ndikojnë jetën intime të çiftit

Dy zemra dhe… vetëm për njëri-tjetrin, akoma pa fëmijë. Për disa, të qenit vetëm çift është idealja për erotizmin e lidhjes. Por… nëse nuk është kështu?

Kohë më parë nuk ekzistonte mundësia kur partnerët mund të zgjidhnin të kishin vetëm një fëmijë ose asnjë. Çifti martohej dhe detyrimisht martesa sillte lindjen e fëmijës, qoftë edhe në rastet kur partnerët nuk ishin të lumtur me njëri-tjetrin. Fëmijët dhe më pas çfarë ishte e mirë për ta, vinte para gjithçkaje. Sot kanë ndryshuar mendësitë njerëzore. Çiftet jetojnë zhytur në një kulturë që vlerëson individin, ku rritja personale është objektivi themelor i ekzistencës së njeriut. Një perceptim për jetën që ka ndryshuar rrënjësisht konceptin tonë për marrëdhënien në çift dhe të familjes në përgjithësi. Sot martohemi dhe jetojmë me njëri-tjetrin vetëm nëse duhemi, ndërsa fëmijët konsiderohen si refleksion i marrëdhënies, e cila kërkon kohën e vet dhe secili është i lirë të vendosë për një projekt të tillë, qoftë herët apo vonë, pa u shqetësuar nga gjykimet e jashtme. Terapisti i marrëdhënies në çift, Serge Hefez, ka përkufizuar: “Në mendjen e partnerëve, fëmijët do të jenë rezultati më i mrekullueshëm i bashkimit të tyre, i mishërimit të dashurisë së tyre”… Vetëm se, kur fëmija i parë vjen në familje, është momenti kur çifti duhet të jetë me këmbë në tokë, kur marrëdhënia e mrekullueshme në çift duhet të bëjë llogaritë me një krijesë që grindet e që kërkon shumë punë, kohë dhe hapësirë!

Lindja e fëmijës, një tërmet emocional

Sipas psikoterapistit, ardhja e fëmijës së parë në jetë mund të konsiderohet një tërmet emocional për çiftin. Ata nuk janë më vetëm burri apo gruaja, por tashmë zotërojnë edhe një status tjetër me shumë përgjegjësi, atë të babait dhe të nënës. Ardhja e fëmijës, në brendësi të çiftit, shkakton diferencimin. Jo vetëm mes prindërve në raport me fëmijën, por edhe midis vetë partnerëve. Deri më parë, partnerët përbënin një entitet të vetëm dhe marrëdhënia ishte e ndërtuar mbi bazën e një narcizizmi të ndërsjellë. Tashmë, partnerët kanë një rol të dyfishtë dhe pikërisht në këtë moment, çifti gjendet në rrezik. Psikanalisti francez Gerard Bonnet e përkufizon ardhjen e një fëmije në familje si “një rrugëtim të gjatë, në të cilin partnerët duhet të dinë të ndryshojnë dhe të njohin identitetin e tyre të ri në çift, nëse duan të vazhdojnë jetën e tyre së bashku dhe në mënyrë interesante”. Specialistët këmbëngulin në faktin se partnerët duhet të jenë të aftë t’i ofrojnë hapësirën e duhur personit të tretë që vjen në familje. “Nëse çifti është i pjekur, nëse partnerët janë të veçantë dhe nëse ekziston ekuilibri midis njëri-tjetrit, fëmija është pjesë e familjes pa ndikuar negativisht në raportin e prindërve”. Nëse fëmija ka qenë i dëshiruar nga të dyja palët, me vetëdijen e të dy partnerëve, është shumë e vështirë të krijohen probleme që nuk kanë qenë të pranishme para lindjes së fëmijës. Zakonisht, problemet lindin kur partnerët nuk e kanë ende të qartë projektin e jetës së përbashkët dhe në këtë moment mund të mendojnë si për shembull: Që fëmija mund të jetë “zgjidhja” e një krize mes tyre… etj.

Të vazhdosh aktivitetin intim seksual është e mundur

Sipas psikanalistit francez Bonnet, nuk ka asnjë arsye për të hequr dorë nga erotizmi kur lindja e fëmijës troket në jetët tona. Por, çiftet e rigjejnë marrëdhënien e tyre seksuale vetëm nëse kjo marrëdhënie ka mirëfunksionuar edhe para lindjes së fëmijës, kur partnerët e kanë ushqyer këtë marrëdhënie me butësi e ngrohtësi dhe që mund të ndikojë në erotizmin e tyre edhe pas lindjes së fëmijës. Një marrëdhënie e shëndetshme seksuale që ka ekzistuar që në fillimet e marrëdhënies, ndihmon për të rimarrë ritmet disi të zbehura menjëherë pas lindjes së fëmijës. Seksualiteti shndërrohet kështu në një mënyrë të dobishme për të mbrojtur marrëdhënien. Në këtë kontekst, Bonnet është kategorik dhe shprehet se: “Ne kemi nevojë që jeta erotike në çift të shërbejë si burimi kryesor i kënaqësisë së partnerëve”, “Fëmijët nuk e pengojnë jetën seksuale të prindërve”. Është e drejtë të mendojmë se fëmijët e kanë ndryshuar jetën e çiftit dhe partnerët (kryesisht nëna) mund të shprehin momente të lodhjes psikofizike. Mjafton të jemi në gjendje të kuptojmë nëse fraza tipike: “Më fal, por sonte… jo”, është një justifikim që në realitet fsheh diçka tjetër. Nëse vërtet është kështu, është mirë të pyesim se cili është problemi që duhet të zgjidhim për të rigjetur harmoninë seksuale. Shumë nëna, pas lindjes së fëmijës e përqendrojnë vëmendjen e tyre mbi fëmijën. Specialistët e konsiderojnë këtë sjellje si të gabuar. Të mendosh se një ditë fëmija juaj mund të qëndrojë me gjyshërit, edhe pse është ende një foshnje, nuk është e gabuar, përkundrazi, ju jep kohe juve si prindër për të gjetur kohën e humbur në rolin e partnerit për njëritjetrin. Për mirëqenien e fëmijës, nuk mjafton vetëm prezenca fizike e prindërve. Fëmija jeton nga dashuria që i dhurojnë nëna dhe babai. Dashuri e cila fillimisht duhet të kultivohet mes partnerëve, para së gjithash midis tyre dhe për veten e tyre. Është mënyra më e drejtë, që më pas prindërit të kenë mundësinë t’ia dhurojnë dashurinë fëmijës në mënyrën më të pjekur dhe të vetëdijshme. Fëmijët nuk mund t’u përgjigjen të gjitha nevojave të prindërve. Natyrshëm vjen një moment kur fëmijët e kuptojnë se prindërit e tyre kanë nevojë për afërsinë e tyre fizike (e nënkuptuar kjo prej fëmijëve, në aspektin e të qëndruarit edhe vetëm, prindërit në dhomën e tyre martesore). Është e domosdoshme, në fakt, që prindërit t’i lënë të lirë fëmijët, të mos i bëjnë ata të ndihen qendra e botës dhe mbi të gjitha të mos i bëjnë ata të ndihen përgjegjës për lumturinë e çiftit – përfundon Bacherini, specialisti i marrëdhënieve familjare dhe të çiftit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top