Këshilla & Arsye

November 10, 2017 | 11:07

“Femrat” e Bukowskit, dashuria dhe lufta mes sekseve, mjeti më i sigurt për të ruajtur lidhjet me realitetin

Eh, femrat: më pëlqenin ngjyrat e veshjeve të tyre; mënyrat e të ecurit; shprehja mizore që kishin fytyrat e disave prej tyre; ndonjëherë bukuria pothuajse e qashtër e disa të tjerave, nuri krejtësisht femëror që të kënaqte shpirtin. Ishin ato që na e hidhnin gjithmonë, ngaqë dinin të planifikonin dhe të organizonin. Ndërkohë që burrat shihnin futboll dhe pinin birrë, ose shkonin të luanin bouling, ato jo, ato, femrat, përqendroheshin, na vëzhgonin, mendonin dhe vendosnin…të na pranonin, të na shumëzonin me zero, të na shkëmbenin, të na vrisnin ose thjesht fare, të na linin. Tek e fundit, nuk kishte dhe aq rëndësi, një gjë dihej, çfarëdo që të bënin ato, ishim ne ata që përfundonim të vetmuar e të rrjedhur.

Shtëpia botuese “Pegi” sjell në stendën e saj në Panairin e kësaj të mërkure, një autor që ka bërë për vete mijëra lexues në mbarë botën. Femrat”, është shfaqja më e sinqertë e një shpirti të plagosur, në kërkim të përhershëm të ndjenjës, i paaftë për t’i mohuar kurrgjë çdokujt që duket vagëllimthi femërore.

bukowski-hollywoodShkrimtari i shthurur dhe alkooliku i paepur Henri Çinaski ka lindur për të mbijetuar. Pas dekadash të tëra punësh të papaguara, shkapërderdhje parash me gra dhe baste, edhe Çinaskit më së fundi i ndrin ylli i tij letrar. Në këtë furi fame dhe alkooli, Bukowski rrëfen haptas dhe pa asnjë nënkuptim një pasion magjepsës të tij: gratë dhe aventurat e tij të dashurisë, të vërteta apo të sajuara qofshin. Për të, ato janë burim i përhershëm tërheqjeje, një nevojë që nuk njeh prehje dhe nuk ndalet as para situatash nga më të pavolitshmet, më të turpshmet apo më të neveritshmet. Disa gra duan pak a shumë atë që do dhe ai – seksin e thjeshtë, pa komplikime – disa duan ta ndryshojnë, disa duan të kenë një lidhje normale me të e të pakta janë ato që duket se nuk mund ta pranojnë paaftësinë e tij për të mos fjetur me shumicën e grave që takon. Kërkimi i tij nuk resht përpara asgjëje, ndoshta sepse dashuria dhe lufta mes sekseve janë mjeti më i sigurt për shkrimtarin amerikan për të ruajtur lidhjet me realitetin. Histori të çuditshme, takime vulgare dhe groteske, bëma të paharrueshme a mjerane, dialogë të pacipë e të drejtpërdrejtë, në sfondin e një ekzistence endacake, të shënjuar nga maratona të gjata alkoolike. Një botë endacakësh e bohemësh, që askush më mirë se Bukowski s’ka ditur ta përjetësojë në faqet e një romani.

Kritika

Laureat i përshkrimit të jetës së shtresave të ulëta amerikane. – Time

Bukowski ishte rapsodi që u këndoi pijetoreve dhe bordeleve, një pasardhës i drejtpërdrejtë i vizionarëve romantikë që adhuroheshin në altar për tepritë personale, dhunën dhe marrëzinë. – The New York Times

Fakti që Bukowski shkroi për punën, dhe jo punën e mrekullueshme, por atë të përditshmen e të mërzitshmen, e bën një ndër shkrimtarët më të pazakontë dhe të rëndësishëm të Amerikës. – The New Yorker

Charles Bukowski është quajtur në mënyra nga më të ndryshmet: “poet laureat i përshkrimit të jetës së shtresave të ulëta të Los Anxhelesit”, “profeti i nënproletariatit”dhe “provincial që s’mënon të bjerë në sy”. – Los Angeles Times

charlesbukowskiAutori

Charles Bukowski ishte shkrimtari legjendar kalifornian, që u bë i famshëm për veprat e tij gjysmë-autobiografike për jetën e shtresave të ulëta amerikane. Ai lindi në Gjermani më 1920. I ati, asokohe ushtar amerikan me shërbim në Gjermani dhe e ëma gjermane. U kthye në Amerikë në moshën 3-vjeçare. Ai u rrit në Los Anxheles dhe kaloi atje pjesën më të madhe të jetës së tij. Gjatë gjithë jetës botoi më shumë se dyzet e pesë libra në prozë dhe poezi, që të gjithë të përkthyer në mbi një dyzinë gjuhësh. Romanet si “Factotum”, “Bukë me sallam” dhe “Post Office” e bënë këtë alkoolik të përhershëm, e dikur edhe endacak, një shkrimtar të famshëm e të pasur, krijimtaria e të cilit kulmoi në filmin biografik Barfly. Ai vdiq më 1994.

Fragmente nga libri

… Nuk ka gjë më të keqe sesa të të bëjë naftën gruaja kur je përtokë. Pa pije, papunë, vetëm katër muret përqark dhe ti rri në mes të dhomës,me vështrimin e përhumbur diku dhe trurin që të rreh në një pikë. Ja pra, se si hakmerren gratë…

… Njerëzit pa moral e konsideronin veten më së shpeshti më të lirë se të tjerët, por atyre u mungonte çfarëdo aftësie për të dashuruar, nuk e njihnin fjalën ndjenjë…

… Oh, mos kujto se po të them që je i bukur, të paktën duke u nisur nga parimet klasike të bukurisë. Se ç’ke një pamje të ëmbël. Kurse sytë… sytë i ke të mahnitshëm. Si sytë e një të shkalluari ose si të një bishe që është zënë në çark nga zjarri…

… Ndihesha i lumtur që nuk kisha rënë në dashuri, që midis meje dhe botës mbarë nuk kishte paqe. Isha gati t’i shpallja luftë kujtdo qoftë. Në më të shumtën e rasteve, të dashuruarit janë krijesa nevrastenike e ndonjëherë bëhen të rrezikshëm. E humbasin sensin e realitetit, pa zënë në gojë edhe atë pak sens humori që mund t’iu ketë mbetur. Simptomat më të rënda janë psikopatia, pezmi dhe mllefi . Madje mund të arrijnë deri në atë pikë sa të vrasin edhe njerëz.

femrat-bukovski-pegi

Titulli: Femrat

Titulli në origjinal: Women

Autori: Charles Bukowski

Përktheu: Virgjil Muçi

Zhanri: Roman

Data e botimit: Nëntor, 2017

Numri i faqeve: 412

 

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top