Në fokus

November 10, 2017 | 11:28

Të punojmë për integrimin e të huajve, përpara se të integrohemi ne prej tyre!

fotot-e-retit

Alice Schwarzer ka lindur në vitin 1942 në Wuppertal (Gjermani). Ajo studioi në Paris “Sociologji” dhe “Psikologji” dhe ishte iniciatore e lëvizjes se grave të Parisit. Në vitin 1979 u kthye në Köln dhe krijoi revistën feministe “Emma”. Gazetare, botuese dhe aktiviste e lëvizjes feministe në Gjermani dhe më gjerë, por edhe autore e shumë librave. Dy librat e saj të fundit “Udhëtim në Burma” dhe “Shok, nata e Vitit të Ri” në Köln. Ky i fundit u shkrua si pasojë e ngjarjes së shëmtuar që ndodhi natën e vitit të ri 2015-2016. Në ndërrimin e viteve, një masë e gjerë azilantësh kryesisht nga Siria, Afganistani, Afrika e Veriut, përdhunuan në grup gati 70 vajza dhe gra…”

“Publicistja Alice Schwarzer, kërkon nga politika dhe politikanët, por edhe nga bashkësitë islame në Gjermani të kapin problemet dhe të mos përfitojnë nga toleranca e gabuar apo integrimi i dështuar. Koha tregoi që kemi gabuar në integrimin e emigrantëve, të cilët nuk i kanë njohur ende vlerat europiane”, shprehet ajo në një intervistë dhënë gazetës austriake “Kleine Zeitung”. Intervistën e drejtoi gazetarja Manuela Swoboda.

INTERVISTA

Zonja Schwarzer. Para 40 vjetësh në Köln ju krijuat revistën për femra “Emma”. Ju e njihni qytetin si veten tuaj. A duhet sot si grua të frikësohesh më shumë se në vitet e mëparshme?

Alice Schwarzer: Ngjarja e shëmtuar natën e ndërrimit të viteve në Köln nuk është specifike. Në Köln lajmërohen me dhjetëra raste përdhunimi në polici, por jo vetëm në Köln edhe në qytete të tjera. Kur ne në vitin 1970 krijuam revistën “Emma” as që bëhej fjalë për denoncime në polici.

Atëherë heshtja ishte si në organizatat mafioze?!….

Schwarzer: Deri në krijimin e revistës po. Mbizotëronte heshtje. Dhuna psikike dhe fizike ndaj grave, fëmijëve, ngacmimet seksuale, përdhunimet ishin tabu. Për herë të parë ne guxuam të ngremë zërin dhe të sensibilizojmë shoqërinë, por edhe të forconim gratë, vajzat, nënat, femrën në përgjithësi. Dhuna e meshkujve ishte dhe është si një epidemi. Por prej asaj kohe, kundër meshkujve të dhunshëm ne kemi arritur shumë. Opinioni është i informuar, masat mbrojtëse për femrat e dhunuara janë shumë efektive, po kështu edhe ligjet dhe drejtësia kanë përparuar shumë. Por 20, 30 vitet e fundit ka shumë meshkuj që vijnë nga kultura të huaja, tek të cilët gruaja është objekt shërbimi, pa vlera. Te këta meshkuj dominon maskulizmi. Dhe ajo çfarë është edhe më e keqja për këta burra, dhuna, përdhunimet, ngacmimet seksuale janë mëse normale në kulturën e tyre.

Ju e përkufizuat ngjarjen horror të Kölnit si pasojë e “tolerancës së gabuar”. Çfarë doni të thoni me këtë?

Schwarzer: Është e gabuar ta tolerosh mungesën e lirisë të grave, në emër të besimit fetar si “liri të besimit”. Islami i politizuar nuk ka fare lidhje me “besimin fetar”. Përkundrazi, e dëmton vetë besimin fetar. Këtu ne shohim egon e babait, të djemve, dominimin e mashkullit në familje. Femrat janë të mbuluara dhe ne me tolerancën tonë të gabuar e lejuam vetë që në vendin tonë, në mes të Europës këta njerëz të jetojnë me po ato rite e rituale, tepër armiqësore ndaj femrës. Kjo falë tolerancës sonë të gabuar. Pse them e gabuar? Sepse, d.m.th gjithë shoqëria, politika, sistemi ynë demokratik dështoi në procesin e integrimit të emigrantëve, kryesisht të besimit islam, por edhe ndryshe. Ne nuk arritëm t’u jepnim atyre kulturën tonë të jetesës, vlerat dhe normat tona demokratike.

Ngjarja tragjike e Kölnit ku një numër i madh meshkujsh nga vendet e Afrikës dhe ato Arabe kryen ngacmime seksuale dhe përdhunime ndaj femrave, vajzave, ushtruan dhunë fizike dhe psikologjie, i plagosën ato. Këta meshkuj janë produkt i dështimit të integrimit.

Më përshkruani ju lutem konkretisht mangësitë e integrimit apo siç thoni ju “toleranca e gabuar”.

Schwarzer: Po, duket tragjike, por e tillë është. Paramendoni pak, një grup prej 1000 meshkujsh! Natën e ndërrimit të viteve. Tragjike! Çfarë i lidh këta meshkujsh bashkërisht? Si komunikojnë ata? Përmes çfarë kanalesh janë lidhur natën e vitit të ri nga kisha e Kölnit deri te  stacioni i trenit? Ku e morën guximin të lidheshin me njëri-tjetrin dhe të strukturonin planin e përdhunimit masiv, në grup? Përse policia nuk pati asnjë informacion paraprak? Unë besoj se vetë policët kishin frikë. Por çfarë do të thotë kjo për shtetin e së drejtës?

Ju keni publikuar tek “Emma” një katalog me ide, kërkesa, udhëzime për integrimin e emigrantëve. Besoni se politika do t’ja arrijë të ndërmarrë masa të reja integruese?

Schwarzer: Ne e dimë që dhuna ndaj grave jo rrallë, ndodh prej burrave të tyre. Edhe në qendrat e azilantëve apo në kampe. Po ashtu edhe detyrimi ose shtyrja me zor drejt prostitucionit. Hapi i parë do të ishte: Mbrojtja e këtyre grave dhe fëmijëve. Marrja nën mbrojtje e tyre. Ndarja nga burrat dhunues. Mbështetje financiare dhe mundësi shkollimi, profesionalizimi dhe edukimi. Terapi psikologjike dhe ndihmesë sociale. Ndihmë konkrete në zgjidhjen e problemeve.

Hapi i dytë?

Schwarzer: Personat që vijnë nga vende me shoqëri patriarkale meshkuj apo femra, me ta duhet bërë punë sqaruese. T’u bëjmë të ditur, por edhe të njohur, rregullat dhe normat e shoqërisë demokratike, ligjet e shtetit, të drejtat dhe barazinë mes burrit dhe gruas në sistemin tonë. Të gjitha këto, nëpërmjet kurseve të ndryshme dhe jo si deri më sot ku shumica prej tyre kryejnë vetëm kurse për të mësuar gjuhën. Nëse ne nuk do të ndjekim këtë rrugë sot, do të jetë shumë vonë për nesër. Do të rrezikohet emancipimi i shoqërisë. Gjithashtu ne duhet të çojmë në gjykatë bashkësitë apo shoqatat islame, të cilat ndikojnë negativisht dhe predikojnë islamin e gabuar. Në vend që të merremi me prindër, që akuzojnë mësuesit të cilët nuk lejojnë vajzat e tyre të mos marrin pjesë në ushtrimin apo mësimin e notit në orën sportive, apo që nuk lejojnë që vajzat e tyre në moshë të mitur të mbajnë shaminë në kokë. Po, po deri këtu kemi arritur. Shumë prindër të tillë të besimit islam kanë hedhur në gjyq shumë mësues apo edukatore kopshti. Në emër të kujt? Të mbrojtjes së të drejtave të njeriut? A kemi të bëjmë këtu me mbrojtje të drejtash apo nënshtrim, prapambetje e të drejtave të vajzave dhe grave të fesë myslimane në një vend demokratik si Gjermania? Sa kohë na u desh ne të luftonim për të drejtat tona?! Tani në emër të tolerancës të lejojmë që njerëz në emër të islamit të marrin nëpër këmbë të drejtat e vajzave, grave që pas një kohe do të jenë qytetarë gjermanë?

A u zmadhuan këto probleme si në Gjermani ashtu edhe në Austri pasi politika nuk e mori seriozisht rrezikun e radikalizmit islam?

Schwarzer: Po. Politikanët në Europë prej viteve 1980 problemin e islamit të politizuar si dhe agjitacionin islamik e injoruan dhe nuk e u morën fare me të. Shkaqet janë të shumta: “Toleranca e gabuar” për shkak të historisë sonë (Lufta e Dytë Botërore), ndjenja e fajit kolektiv, relativizmi kulturor në dëm të vajzave dhe grave, por edhe oportunizmit.

Kur keni mbajtur një referat, keni thënë se 90 për qind e myslimanëve në Gjermani dëshirojnë sistemin demokratik, laik.

Schwarzer: Shumica e myslimanëve në Gjermani sipas studimit “Bertelsmann- Studie” nuk është ortodoks apo fundamental. Kështu gati 70 për qind e myslimaneve deri në vitet ‘90 nuk mbanin shami apo burka. Pyetjes se si arritëm në këtë pikë kur në ditët e sotme gati 90 për qind e tyre janë mbështjellë me shami? Pra, integrimi i tyre ka rezultuar i dështuar. Kemi gabuar. Përndryshe këto gra dhe vajza nuk do të binin pre e agjitatorëve dhe predikuesve të islamit ekstrem apo edhe të ISIS-it. Pra nga njëra anë ne treguam tolerancë të gabuar dhe nga ana tjetër solidaritet të gabuar.

Përse jeni kaq e rreptë me islamin? Çfarë eksperiencash të këqija keni nga islami?

Schwarzer: Unë dhe e rreptë me islamin? Islami si fe nuk ka qenë asnjëherë problemi im. Për mua besimi fetar është individual. Besimi fetar është privat. Unë po flas për islamin e politizuar. Sa për dijeni unë kam shumë shoqe, kolege, mikesha në Gjermani dhe Afrikën e Veriut të besimit islam. Kalojmë shumë mirë bashkërisht.

Parti të djathta politike si e AFD në Gjermani, FPÖ në Austri apo Fronti Nacional i Le Pens në Francë kanë gjetur ushqim te radikalistët islamikë dhe kanë forcuar kështu pozicionin e djathtë ekstremist, pra racizëm në Europën demokratike. A ju shqetëson ky fenomen negativ?

Schwarzer: Që të djathtët erdhën këtu ku janë duke polemizuar, kritikuar apo urryer islamizmin në përgjithësi, jo islamin e politizuar – dihet që edhe këta përfituan nga neglizhenca dhe integrimi i dështuar politik i atyre që kanë qenë në qeveri. Pra, përsëri i njëjti fenomen.

A ishte e pamenduar mirë fraza e zonjës Merkel në pranverën e vitit 2015 kur zbarkoi vala e emigrantëve nga Siria: “Do ia dalim?”

Schwarzer: Jo, unë mendoj se kancelarja u tregua shumë e guximshme me këtë frazë. Gjermania është një shtet i fortë dhe me standard të lartë jetese, vend i pasur. Tek ne ka vend për strehim për njerëzit e përndjekur politikisht, në rrezik jete si pasojë e luftërave, etj. Por, ne nuk guxojmë të përsërisim gabimet që kemi bërë me njerëzit e komunitetit mysliman. Këtë herë ne duhet t’i integrojmë vërtet emigrantët – përndryshe ata do të na integrojnë ne.

Përktheu nga gjermanishtja: Reti Duka, punonjëse sociale, Graz, Austri

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top