Marrëdhënie

August 5, 2016 | 6:31

Femrat shqiptare janë ‘superwomen’

Kemi parë tashmë se të gjithë anëtarët e një familjeje nuk kanë të njëjtin akses ndaj burimeve, shërbimeve dhe mundësive. Të bazuar në këto pabarazi, disa shkencëtarë socialë e shohin familjen si një vend ku bëhen ujdi dhe kundërshtime, ku negociohet pushteti. Ekonomisti i njohur Amartya Sen e quan këtë një model bashkëpunimi dhe konflikti. Bina Agarwal, një ekonomiste feministe, e ka zhvilluar më tej këtë koncept dhe, sipas saj, shtëpia apo familja është një matricë komplekse marrëdhëniesh në të cilën ka negocim të vazhdueshëm, por e prekur nga shtrëngimet e vendosura prej gjinisë, moshës, tipit të marrëdhënies dhe traditave të padiskutueshme. Ndërveprimet gjinore brenda familjes si dhe në komunitet, treg dhe shtet përmbajnë elementë të bashkëpunimit dhe konfliktit. Të dyja palët bien dakord të bashkëpunojnë kur një bashkëpunim i tillë është më mirë për ta sesa mosbashkëpunimi. Sa më e madhe të jetë aftësia e një personi për të mbijetuar fizikisht jashtë familjes, aq më i madh do të ishte pushteti i tij apo i saj për një marrëveshje, të paktën në lidhje me ndarjen e burimeve për mbijetesë brenda familjes. Aksesi apo kontrolli i grave mbi të ardhurat si toka, paratë apo asete të tjera e redukton këtë status varësie dhe i aftëson ato të negociojnë një status më të mirë brenda familjes.

Studimi i INSTAT

Gratë shqiptare përherë e më shumë po dominojnë në vendimmarrjet brenda familjes, duke dëshmuar kërkesë për rritjen e pozicionit të tyre. Më shumë se 83% e grave të martuara, të cilat fitojnë para, e vendosin me bashkëshortin si t’i përdorin paratë, sipas studimit më të ri demografik dhe shëndetësor në Shqipëri (ADHS), i realizuar nga INSTAT. Duke iu referuar studimit të kryer me një grup përfaqësuesish prej rreth 9.000 familjesh, të përzgjedhura nga rajoni bregdetar, qendror, malor dhe Tirana urbane, në këtë studim thuhet se “8% e grave vendosin vetë për blerjet brenda familjes, po ndërkohë rezulton se për 9% të grave është kryesisht bashkëshorti që vendos se si të përdoren paratë që fiton gruaja”. Sipas të njëjtave të dhëna, 85% e grave marrin pjesë në vendimet për kujdesin e tyre shëndetësor, ndërkohë që dy në tri femra (66%) shprehen se këtë lloj vendimi e marrin së bashku me bashkëshortin. Studimi e vlerëson pozitiv faktin që 86% e burrave të martuar pranojnë se gruaja dhe burri duhet të jenë në një mendje kur vendosin për numrin e fëmijëve që do të kenë.

Format e shprehjes së pushtetit

Pushteti përmes shpërblimit Sot gratë kanë më shumë të drejta, pushtet, si në familje dhe jashtë saj, për shembull, për arsimim, trajnim, vende pune, për të udhëtuar, për të marrë vendime brenda familjes. Një faktor përcaktues i kënaqësisë në marrëdhënie si për burrat dhe gratë është drejtësia. Një marrëdhënie e drejtë është ajo në të cilën njëri partner ndjen atë që ai ose ajo shpenzon ose përfiton nga marrëdhënia, është e barabartë me atë që partneri tjetër shpenzon dhe përfiton.

Pushteti përmes identifikimit

Rolet tradicionale miratohen nga ndarja seksuale e punëve: burrat punojnë jashtë shtëpisë, ndërsa gratë brenda saj. Kush bën çfarë kërkohet në familje ose ndarja e punëve, është një aspekt i rëndësishëm i marrëdhënies martesore që mund të ndikojë në shëndetin psikologjik dhe fizik. Madhësia e dallimeve seksuale në punët e shtëpisë dhe kujdesi për fëmijët është ulur në mënyrë drastike gjashtë dekadat e fundit, sepse gratë po shpenzojnë më pak kohë në këto aktivitete, ndërsa burrat më shumë.

Pushteti përmes dijes dhe financiar

Ekzistojnë indikatorë të pushtetit në marrëdhëniet martesore që ndikojnë në ndarjen e punëve në familje. Dy indikatorë të tillë janë edukimi dhe të ardhurat. Studime të shumta kanë treguar se bashkëshortët kontribuojnë më shumë në punët e shtëpisë kur bashkëshortja ka edukim dhe të ardhura të larta.

Pushteti përmes dënimit

Studiuesi S.Baxter zbuloi se sa më shumë të uleshin të ardhurat e gruas në familje, aq më shumë kohë shpenzonte ajo në punët e shtëpisë dhe kujdesin për fëmijët. Hochschild zbuloi se çiftet më të lumtura ishin ato kur burri ishte pjesëmarrës në punët e shtëpisë. Dikur gratë punonin vetëm brenda shtëpisë, ndërsa sot ato punojnë si brenda edhe jashtë saj.

Superwoman është ajo grua që i bën të gjitha, e cila punon full time (me kohë të plotë) pa shqetësuar familjen, si dhe mban edhe përgjegjësitë e saj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top