FB

July 28, 2025 | 17:30

Fenomeni i “People Pleasing” / Të kënaqësh të tjerët

 

Në dukje, dëshira për të qenë të sjellshëm, të ndihmojmë të tjerët dhe të ruajmë marrëdhënie të qeta është cilësi pozitive. Por çfarë ndodh kur kjo sjellje shkon përtej normales dhe kthehet në nevojë të vazhdueshme për të kënaqur të tjerët? A shkon kjo shpesh në dëm të vetvetes?

Kjo është pikërisht ajo që njihet si fenomeni “people pleasing” – një model sjelljeje që, ndonëse i veshur me maskën e mirësisë, mund të sjellë pasoja të thella emocionale dhe psikologjike.

silvana-uka-465x620

Çfarë është People Pleasing?

“People pleasing” është një prirje e vazhdueshme për të kënaqur të tjerët, shpesh duke injoruar, shtypur ose sakrifikuar nevojat dhe ndjenjat personale. Këta individë përpiqen të shmangin konfliktet, refuzimin dhe zhgënjimin,duke bërë gjithçka për të ruajtur një imazh pozitiv në sytë e të tjerëve.

Për shembull, një person që është people pleaser mund të pranojë të punojë jashtë orarit, të dalë në takime që nuk dëshiron, apo të heshtë në një debat; thjesht për të ruajtur “paqen”, ndërkohë që brenda ndjen tension, lodhje apo mllef të grumbulluar.

Shenjat kryesore të një “People Pleaser-i” janë:

•Vështirësi për të thënë “jo”, edhe kur diçka është e padëshiruar apo e lodhshme.

•Ndjenjë faji kur prioritizojnë veten.

•Frikë nga mospëlqimi, refuzimi apo përjashtimi.

•Marrin përgjegjësish që nuk u takojnë, vetëm për të qenë të dobishëm.

•Anashkalojnë nevojat personale për të ruajtur harmoninë sociale.

Shpesh, “people pleasing” kanë rrënjë të thella në përvojat e hershme  të jetës. Ato janë njerëz që janë rritur në ambiente ku dashuria dhe pranimet ishin të kushtëzuara vetëm me “sjellje të mira”. Ato mësuan se siguria emocionale varet nga kënaqja e të tjerëve. Po ashtu, në kultura si ajo shqiptare, ku për shumë breza është kultivuar ideali i “vajzës së mirë” ose “djalit të edukuar”, people pleasing është  si virtyt, jo si problem.

grua-e-lumtur-kenaqur

Po a është “People Pleasing” një Çrregullim Personaliteti?

Në vetvete, people pleasing nuk është një çrregullim personaliteti, por mund të jetë një simptomë ose shprehje e disa prej tyre. Më konkretisht, lidhet ngushtë me:

•Çrregullimin e personalitetit të varur (Dependent Personality Disorder): ku individi varet tepër nga të tjerët për vendimmarrje dhe ka frikë të humbasë mbështetjen.

•Çrregullimin e personalitetit kufitar (Borderline Personality Disorder): individët shpesh përpiqen të shmangin braktisjen përmes sjelljeve që kënaqin të tjerët.

•Nivele të larta ankthi social apo vetëvlerësim të ulët, të cilat nuk janë gjithmonë çrregullime të plota, por janë faktorë psikologjikë që shtyjnë drejt kësaj sjelljeje.

 

Në shumë raste, people pleasing është një mekanizëm mbrojtës i mësuar. Në dukje kjo sjellje prodhon “paqe” në mjedis, por në realitet krijon një stuhi të brendshme tek individi. Disa nga pasojat më të shpeshta përfshijnë:

•Lodhje emocionale dhe burnout nga tejangazhimi.

•Zemërim i shtypur dhe pakënaqësi me veten.

•Marrëdhënie jo të barabarta, ku të tjerët përfitojnë, por nuk japin.

•Humbje e ndjenjës së identitetit – nuk e di më çfarë dëshiron apo çfarë ndjen realisht.

•Rrezik më i lartë për çrregullime ankthi, depresioni, dhe izolim emocional.

 

Si të shkëputemi nga nevoja për të kënaqur të tjerët?

Të dalësh nga modeli i people pleasing kërkon vetëdije, vullnet dhe punë të brendshme. Ja disa hapa të dobishëm:

•Njih nevojat dhe kufijtë e tu – Çfarë të bën mirë? Çfarë nuk e toleron dot më?

•Mëso të thuash “jo” – nje fjalë me dy gërma, por shumë e fuqishme. Jo çdo kërkesë meriton “po”-në tënde.

•Reflekto mbi ndjenjat e fajit – A janë të tuat, apo të mësuara nga dikush tjetër?

•Praktiko vetëdashurinë – Ti nuk ke nevojë të jesh i përkryer për të qenë i denjë për dashuri dhe respekt.

•Kërko ndihmë profesionale – Një psikolog mund të ndihmojë në eksplorimin e shkaktarëve dhe ndërtimin e një identiteti më autentik.

 

People pleasing nuk është thjesht sjellje e mirë. Është një model psikologjik që mund të fshehë pasiguri, trauma dhe mungesë vetëvlerësimi.

Të mësosh të vendosësh kufij, të thuash “jo” dhe të respektosh veten është shenjë pjekurie emocionale, jo egoizëm.

Në një shoqëri që shpesh të mëson të jesh “i mirë” në sytë e të tjerëve, sfida më e madhe është të jesh i vërtetë në sytë e vetes.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top