Lifestyle

January 19, 2021 | 13:23

“Ferma e kafshëve” ‘përralla’ oruelliane që ngjason edhe në kohët që flasim

 

Ferma e kafshëve është shembulli i përkryer se si ideja e një socializmi sipas volisë së dikujt fillon të hedhë rrënjë për t’u shndërruar në një diktaturë komuniste.

1Pas vitesh të tëra shtypjeje e shfrytëzimi, kafshët e një ferme, të lodhura nga mujshitë e vazhdueshme të qenieve njerëzore, vendosin të ngrenë krye dhe, pasi dëbojnë pronarin, orvaten të krijojnë një rend të ri, të themeluar mbi një koncept utopik barazie. Megjithatë, shumë shpejt, mes tyre lind një klasë e re burokratësh, derrat, të cilët me dinakërinë, makutërinë dhe egoizmin që i karakterizojnë u imponohen në mënyrë arrogante dhe tiranike kafshëve të tjera më të buta dhe shpirtmira.

3Thellësisht aktual dhe po aq i freskët sa ç’ka qenë më shumë se gjysmë shekulli më parë, “Ferma e kafshëve” është një përrallë për ata që mëtojnë të jenë çlirimtarë kudo në botë. Teksa dëshmohet, përmes thjerrës së historisë, ngritja dhe rënia e përgjakshme e kafshëve revolucionare, dallohen farat e totalitarizmit në sistemet më ideale, si dhe shpirtrat e shtypësve më të egër tek udhëheqësit tanë më karizmatikë.

“Përrallë” e ka quajtur vetë Orwelli, teksa derrat zënë e marrin gjithnjë e më tepër tipare njerëzore, por ndërkaq është një alegori e thellë jo vetëm ndaj sistemit komunist të ish-Bashkimit Sovjetik, por ndaj të gjitha diktaturave njerëzore. Satira e mprehtë oruelliane ndaj totalitarizmit bashkohet me gjeninë krijuese dhe një energji stilistikore që e vendosin “Fermën e kafshëve” mes veprave më të njohura letrare të shekullit XX. Nw shekullin XXI, kur besojmë se çdo gjë rreth nesh po zhvillohet dhe të gjitha vendet po ecin përpara, kuptojmë papritmas se ka ende parazitë që është vështirë për t’i hequr qafe. Vendet që kanë pasur mundësi të zhvillohen, kanë kapërcyer sprovën e vështirë për të mos rënë në totalitarizëm.

2

Kritika

Shumë shpejt, libri hyri në imagjinatën politike si një fabul morale që tregoi se edhe idealet më të larta shoqërore degradojnë, kur pushteti i egër vijon të flasë me gjuhën e vëllazërisë, dhe kjo sjell zvetënimin e së vërtetës. – The New York Times

Orwell-i nuk e donte komunizmin, por as kapitalizmin, prandaj “Ferma e kafshëve” u shndërrua në një paralajmërim kundër ndryshimeve politike në vetvete. – The New Yorker

Një klasik i vërtetë dhe i pakohë që flet kaq qartë për natyrën njerëzore. – The Guardian

Ferma e kafshëve mbetet satira më e madhe pwrpara fytyrës së errët të historisë moderne. – Malcom Bradbury

Një përrallë e mençur, plot dhembshuri dhe përndritëse për kohërat që jetojmë. – The New York Times

4George Orwell, emri i vërtetë i të cilit ishte Eric Arthur Blair, ishte shkrimtar, eseist, gazetar, aktivist dhe kritik letrar britanik. Ai ishte një prej eseistëve më të ndritur të kohës së vet dhe kundërshtar i çdo forme totalitarizmi. U bë i njohur kryesisht për dy romane, në të cilat shkrihet angazhimi politik dhe pasioni letrar: “Ferma e kafshëve”, një satirë therëse e retorikës sovjetike për barazinë; dhe “1984”, roman që përshkruan me tone apokaliptike një botë imagjinare në një të ardhme jo të largët, një roman fantastiko-politik, prej të cilit lindi dhe cilësimi “oruellian”, që sot përdoret gjerësisht për të përshkruar mekanizma të ndryshme totalitare të kontrollit të mendimit.

Si polemist i kthjellët dhe antikonformist që ishte, Orwell-i nuk i kurseu kritikat as ndaj inteligjencies socialiste angleze, përballë së cilës ndihej krejt i huaj. Ai ishte dhe mbeti deri në fund socialist i bindur, por ndërgjegjësimi, edhe për shkak të përvojave tragjike personale, për kontradiktat e  thella dhe gabimet fatale të vijës së ndjekur në Bashkimin Sovjetik, nën drejtimin e Josif Stalinit, e nxiti që të përqafonte një antisovjetizëm të flaktë, duke u përplasur

kështu me një pjesë të rëndësishme së të majtës europiane të asaj kohe. Në 1946, shkroi: “Çdo rresht të çdo vepre serioze që kam shkruar nga 1936 e këtej, e kam shkruar direkt ose indirekt kundër totalitarizmit dhe pro socializmit demokratik, ashtu siç e mendoj unë.”

Fragmente nga libri

… Tani, shokë, çfarë kuptimi ka jeta jonë? Le ta pranojmë: jeta jonë është e mjeruar, rraskapitëse dhe e shkurtër. Lindim, na japin aq ushqim sa të mbajmë frymën gjallë, dhe ata që ia dalin të jetojnë, detyrohen të punojnë deri në grimën e mbrame të fuqisë. Dhe kur nuk jemi më të dobishëm, na therin me një mizori të llahtarshme. Asnjë kafshë në Angli, pas moshës njëvjeçare, s’e njeh kuptimin e gëzimit apo të pushimit. Asnjë kafshë në Angli nuk është e lirë. Jeta e kafshës është mjerimi dhe skllavëria, kjo është e vërteta lakuriqe! …

… Njeriu është e vetmja krijesë që konsumon pa prodhuar. Njeriu nuk jep qumësht, as ngroh vezë, nuk ka fuqi të tërheqë plugun, nuk vrapon dot aq shpejt sa të kapë lepujt. Megjithatë, është zot mbi të gjitha kafshët. Njeriu i vë kafshët në punë, u kthen pas më të paktën e mundshme, aq sa ato të mos ngordhin urie, kurse pjesën tjetër e mban për vete…

… Shtatë urdhëresat

  1. Gjithçka që ecën mbi dy këmbë është armik.
  2. Gjithçka që ecën mbi katër këmbë apo ka flatra, është mik.
  3. Asnjë kafshë nuk do të veshë rroba.
  4. Asnjë kafshë nuk do të flejë në shtrat.
  5. Asnjë kafshë nuk do të pijë alkool.
  6. Asnjë kafshë nuk do të vrasë kafshën tjetër.
  7. Të gjitha kafshët janë të barabarta mes tyre.

SKEDA

Titulli: Ferma e kafshëve

Autori: George Orwell

Përktheu: Sokol Çunga

Zhanri: Roman

Shtëpia Botuese PEGI

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top