Miti i Penelopës, si gruaja e vatrës dhe besnikja par excellence, tashmë në një rrëfim krejt ndryshe, parë me sytë e vetë Penelopës, në shekullin XXI.
Temat qendrore të romanit shtjellohen rreth standardeve të dyfishta mes sekseve, klasave shoqërore, si dhe vërtetësisë së drejtësisë. Në rrëfimin e Homerit, Penelopa, gruaja e Odisesë, portretizohet si kulmi i besnikërisë bashkëshortore dhe historia e saj është një mësim i dobishëm përgjatë gjithë shekujve.
“Kënga e Penelopës” është një roman i Margaret Atwood-it, botuar më 2005, si pjesë e kolanës “Seria e miteve Canongate”, në të cilën autorë të njohur bashkëkohorë kanë rishkruar mitet e lashta. “Kënga e Penelopës” na sjell në vëmendje ngjarjet e “Odisesë” së Homerit, tashmë të ripara në këndvështrim modern dhe vetë Penelopa rrëfen historinë e saj që nga Hadi, njohjen e martesën me Odisenë, luftën e Trojës, Helenën e bukur dhe marrëdhëniet me prindërit; jetën e saj pa Odisenë, përballjen me mëtuesit gjatë mungesës së tij, si dhe kthimin e Odisesë pas 20 vjetësh e kërdinë që bëri mbi mëtuesit e shërbëtoret e Penelopës. Po a ishte Odiseja, ai heroi me zgjuarsi të rrallë i përshkruar nga Homeri apo një faqe tjetër, më e errët dhe e panjohur e tij, do të dalë në sipërfaqe?
E mbetur vetëm për njëzet vjet, qysh kur Odisea u nis në luftën e Trojës, pas rrëmbimit të Helenës, Penelopa, edhe përballë thashethemeve skandaloze, arrin të ruajë mbretërinë e Itakës, të rrisë të birin rebel e të mbajë nën fre më shumë se njëqind mëtues. Kur Odisea, më së fundi, kthehet në shtëpi, pas shumë e shumë peripecish, vret gjithë mëtuesit, si dhe, çuditërisht, dymbëdhjetë prej shërbëtoreve të Penelopës. Në këtë vështrim ndryshe e bashkëkohor, Margaret Atwood ka zgjedhur të rrëfejë mitin e lashtë përmes gojës së vetë Penelopës dhe dymbëdhjetë vashave të varura. Kësisoj, historia bëhet sa racionale, aq edhe e dhembshur, sa zbavitëse, aq edhe trazuese. Me zgjuarsi dhe nerv, karakteristika të talentit të saj narrativ dhe poetik, autorja i jep Penelopës një realitet dhe jetë të re, duke na ofruar kështu një përgjigje për misterin antik.
Kritika
Atwood-i merr anën e Penelopës me pasion të jashtëzakonshëm… ajo eksploron vetë natyrën e rrëfimit mitik. The Guardian
Vjen si një fllad i freskët nga deti Mesdhe… me “Këngën e Penelopës”. Atwood konfirmon edhe njëherë gjeninë e saj. Gruaja që shkroi “Rrëfenjën e shërbëtores” nuk e ka humbur aspak ndjeshmërinë e saj të mprehtë. The Gazette
Po aq i fuqishëm, sa një mallkim. Sunday Times
Fakti që Atwood-i e vendos Penelopën në rolin e protagonistes është një këndvështrim i freskët dhe plot finesë… Në njëfarë mënyre (dhe kjo është masa e gjenisë së saj që s’mund të përcaktohet) ajo na bën të mbajmë vesh zërin e Penelopës, teksa reflekton në Had mbi jetën e saj, sikur të ishte thashethemi më interesant që kemi dëgjuar ndonjëherë… Është një libër i mrekullueshëm. The Globe and Mail
Margaret Atwood është autorja e më shumë se pesëdhjetë veprave në prozë, poezi, ese kritike, si dhe romanesh grafike. Përveç “Rrëfenjës së shërbëtores”, tashmë një serial televiziv që ka fituar disa çmime, ndër romanet e saj renditen Cat’s Eye, kandidat për Çmimin Booker; Alias Grace, i cili ka fituar Çmimin Giller në Kanada dhe çmimin Mondello në Itali; “Vrasësi i verbër” fitues i Çmimit Booker në vitin 2000, botuar nga Botime Pegi në 2017; si dhe trilogjia MaddAdam, pjesë e së cilës është dhe “Oriksi dhe Krejku”, botuar nga Pegi, në tetor 2021.
Përpos Çmimit Booker, ajo ka fituar edhe çmime të tjera, si: Çmimin Arthur C. Clarke, Çmimin e Paqes të Industrisë Gjermane të Librit, Çmimin Letrar Ndërkombëtar “Franz Kafka”, Çmimin e Karrierës, nga PEN Center USA, dhe Çmimin e Inovatorit nga Los Angeles Times. Në vitin 2019, ajo u bë anëtare e Urdhrit të Shoqëruesve të Nderit për kontributin në letërsi. Jeton në Toronto.
Botime Pegi ka botuar deri tani: “Rrëfenja e shërbëtores”, Testamentet”, “Vrasësi i verbër”, “Oriksi dhe Krejku” dhe “Kënga e Penelopës”.
Fragmente nga libri
1)Si t’i ndalja ata djem të rinj fisnikë dhe huliganë? Ata ishin në atë moshë në të cilën njeriu është arrogant. Ishte e kotë të kërkoje bujari nga ana e tyre apo qoftë edhe të arsyetoje me ta ose t’i kërcënoje. Askush nuk zmbrapsej, sepse kishin frikë se mund të etiketoheshin si burracakë.
2)Ç’mund të bëjë një grua kur thashethemnaja e pahijshme merr dhenë nëpër botë? Nëse mbrohet, do të duket fajtore.
3)E dija që ishte dinak dhe gënjeshtar, por nuk më shkonte kurrë mendja se dinakëritë dhe gënjeshtrat do t’i përdorte edhe me mua. A nuk i kisha qëndruar besnike? A nuk kisha pritur, pritur e pritur, pavarësisht tundimit, që ndonjëherë kthehej edhe në impuls, për të vepruar ndryshe? E çfarë fitova pasi u pohua versioni zyrtar?
4)Uji nuk bën rezistence. Uji rrjedh. Kur fut dorën në ujë, ndjen thjesht një ledhatim. Uji nuk është një mur, nuk të ndal dot. Ai shkon atje ku do të shkojë dhe nuk e ndal dot asgjë. Uji është i duruar. Uji i rrjedhshëm gërryen edhe gurin. Mos e harro këtë gjë, bija ime. Mos harro qe ti je gjysmë ujë. Nëse nuk arrin të kalosh një pengese, bjeri rrotull. Vepro siç vepron uji.
5)Sepse ne nuk ishim shërbyese të thjeshta! Nuk ishim thjesht skllave dhe hamalle. Jo, ne kishim një pozitë më të lartë. Mundet vallë që të mos kemi qenë dymbëdhjetë shërbyeset, por dymbëdhjetë vajzat? Dymbëdhjetë vajzat hënore, shoqet e Artemisës, perëndisë së hënës, e virgjër, por vdekatare? Mundet vallë që të kemi qenë priftëresha të devotshme që kremtonim rituale flijimesh: fillimisht ritin e pjellorisë që praktikohej me anë të orgjive me mëtuesit, më pas atë të purifikimit që kryhej duke u larë me gjakun e burrave të vrarë – sa shumë burra të vrarë dhe çfarë nderimi po i bëhej perëndeshës! – duke përtërirë kështu virgjërinë tonë, ashtu si Artemisa përtëriu të sajën duke u larë në ujin e një burimi të lyer me gjakun e Akteonit?
Titulli: Kënga e Penelopës
Autorja: Margaret Atwood
Përktheu: Erdi Ibro
Zhanri: Roman
Data e botimit: nëntor, 2021
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.