Kjo është nga ato histori dashurie që ka prekur gjysmë shekulli, ose më saktë, që ka prekur martesën e argjendtë. Një dëshmi që vjen nga vitet e fëmijërisë së një gruaje, ku fati nuk i dha mundësinë të kishte një bukuri fizike. Por ajo kish shpirtin e bukur, atë shpirt që bëri për vete një dashuri të madhe, atë të partnerit me të cilin do të ndante 50 vite jetë.
Tani shoh bukurinë në plagët e mia, është mesazhi i kësaj gruaje.
Njerëzit thonë se i harrojmë kujtimet e fëmijërisë pas një moshe të caktuar. Ndoshta është e vërtetë, por unë mund t’i kujtoj ato ditë. Ende arrij ta shoh veten të shtrirë mbi një fletë bananeje, duke parë fytyrën e nënës sime të pafuqishme. Ajo vazhdimisht më hidhte ujë në kokë. Isha vetëm 3 vjeç dhe të gjithë ishin të sigurt se do të vdisja.
Kam qenë e infektuar frikshëm nga lija e dhenve. Nëna më lidhi duart me shallin e saj që unë të mos kruhesha, përndryshe mishi im do të gjakosej. Nuk mbaj mend se sa ditë qëndrova mbi fletën e bananes, nën dritën e diellit. Përveç nënës, askush tjetër nuk më prekte, sepse ishte sëmundje ngjitëse.
Fëmijëria ime nuk ka qenë fort e mirë pas lisë. Mamaja ime kurrë nuk përdori një pasqyrë pas kësaj sëmundjeve infektuese, sepse unë isha e frikësuar nga vetja ime çdoherë që shihesha në pasqyrën e nënës time.
Nisa ta mbuloj veten plotësisht kur shkoja të lahesha në lumë. Përpiqesha të mos e shihja reflektimin e fytyrës sime në ujërat e lumenjve. Ne jemi tri motra dhe unë jam vajza më e madhe në familjen tonë.
Që e vogël unë isha një vajzë e qetë dhe e durueshme. Kurrë nuk jam ndjerë mirë sa të dilja jashtë me motrat e mia, por preferoja të ndihmoja nënën në kuzhinë. Shqetësohesha gjithmonë për vrajet dhe lëkurën time. Nëna më donte shumë dhe lutej për mua më shumë sesa për dy motrat e tjera.
Prindërit e mi shqetësoheshin për mua; ndoshta kjo ishte arsyeja pse babai im përpiqej të më martonte kur isha shumë e re! Por kush do të martohej me një vajzë si unë, me këtë fytyrë? Unë nuk desha kurrë të martohesha. Nuk ndihesha mirë para njerëzve me lëkurën me shenja që kisha, dhe kur dëgjoja nën vesh reagimet e tyre.
Por babai nuk kuptonte. Ai kërkonte për dhëndurë. Por çdo herë që kërkonte, dështonte. Refuzimi u bë zakon për mua. Dhe sa herë isha përballë dikujt, për shkak të lutjes së nënës sime, unë thashë: “Ma, kjo është hera e fundit”. Një nga aftësitë që mësova në moshë të vogël ishte se si të merrja kritika. Kjo është arsyeja pse nuk mund t’i duroja kërkesat e babait dhe fyerjet e njerëzve që vinin nga rrethanat.
Dy motrat e mia më të vogla dukeshin më të bukura se unë. Shumë dhëndurë vinin për to. Por pas asaj dite, jeta ime ndryshoi në mënyrë drastike. Kurrë nuk kisha menduar se në jetën time do ndodhte kjo gjë. Asnjeri nuk e mendoi këtë.
Një dhëndër erdhi për motrën time më të vogël dhe më zgjodhi mua! Anëtarët e familjes së tij nuk ishin dakord, por ai u tregua kokëfortë me vendimin e tij. Bashkëshorti më ndryshoi jetën plotësisht. Kurrë nuk e kuptova se çfarë kishte parë ai në fytyrën time? Nuk mund ta besoja se si dikush mund të dashurohej me fytyrën time me vraje? Unë mund të shoh në sytë e tij dashuri dhe magjepsje për mua.
Kjo dashuri e vërtetë më dha besim për gjithë jetën. E pyeta disa herë: “Pse më do mua? Unë dukem e shëmtuar?”. Dhe përgjigjja e tij ishte: “Shiko me sytë e mi dhe shiko se sa e bukur je. Unë nuk dua vetëm lëkurën tënde, unë dua atë që ti je”.
Çdo përgjigje e tij më bënte ta shihja jetën ndryshe.
Besoj se jeta mund të na lëndojë, por gjithashtu, me siguri do të na shërojë. Tani shoh bukurinë në plagët e mia. Pas martesës, asnjëherë nuk ndjeva ndonjë problem me lëkurën time. Kurrë nuk kam parë në sytë e tij ndonjë problem me lëkurën time.
Ai më thirri ‘Sundori’ (E bukur). Pothuajse harrova emrin tim aktual këto 50 vitet e fundit. Nipërit, mbesat dhe fshatarët, të gjithë më njohin me emrin ‘Sundori’. (E bukur)
Përgatiti Orjona Tresa / Burimi GMB Akash, artist
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.