FB

May 21, 2025 | 10:30

Fjalët janë po aq të rëndësishme sa faktet

 

Fjalët janë thelbi ynë dhe përbëjnë bazën e marrëdhënieve tona. Disa studime kanë treguar se fjalët shkaktojnë reagime të ndryshme në tru. Ato shkatërruese, për shembull, rrisin prodhimin e hormonit të stresit. Ndërsa ato ndërtuese, përkundrazi, nxisin një prodhim më të madh të hormoneve të mirëqenies.

grua-bojerauji-fjale

Shpesh përsërisim fraza si “Fjalët i merr era” apo “Janë vetëm fjalë”, sidomos në dritën e zhvillimeve në teorinë e gjuhës gjatë shekullit XX. Sot e dimë se fjalët janë mjete të vërteta komunikimi dhe njerëzit janë “diskurse në lëvizje”.

Të gjithë jemi të ndërtuar nga fjalët, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse materializimi i ideve. Dhe idetë materializojnë kulturën. Marrëdhëniet tona me veten, me të tjerët dhe me mjedisin krijohen përmes kulturës, ideve dhe fjalëve. Për këtë arsye, fjalët janë pjesë e thelbit të qenies njerëzore, me një ndikim shumë të rëndësishëm.

Të vetmet fjalë që i merr era janë ato që nuk na prekin. Ato që na përkasin neve, apo skenareve tona, kanë shumë rëndësi. Ato nuk fluturojnë, por qëndrojnë aty, duke formuar ndjenjat dhe emocionet tona, deri sa të arrijnë në vetëdijen tonë. Mund të themi se shprehjet verbale janë po aq të rëndësishme sa faktet.

 

Gjuha dhe ndikimi i saj në tru

Një nga pohimet më interesante të neuroshkencës është se çdo fjalë gjeneron reagime të ndryshme në tru. Shprehjet pozitive dhe negative shkaktojnë ndryshime të matshme. Një nga studimet më të plota në këtë fushë është kryer nga psikiatrët Mark Waldman dhe Andrew Newberg, autorë të librit Words Can Change Your Brain (“Fjalët mund ta ndryshojnë trurin tënd”).

Libri demonstron disa reagime kurioze të trurit ndaj fjalëve “po” dhe “jo”. Kur një fjali fillon me fjalën “jo”, truri fillon të prodhojë më shumë kortizol, hormonin e stresit. Nga ana tjetër, nëse një fjali fillon me “po”, ndodh një prodhim më i madh i dopaminës, hormonit të mirëqenies. Në të njëjtën linjë, një studim i Universitetit Friedrich Schiller tregoi se shprehjet pozitive dhe përkëdhelëse aktivizojnë korteksin prefrontal dorsomedial të trurit, zonë e lidhur me vetëvlerësimin dhe vendimmarrjen emocionale.

 

Fjalët pozitive dhe negative

Quajmë “fjalë negative” ato që përcjellin një mesazh të dhunshëm apo agresiv dhe që në një mënyrë ose tjetër janë shkatërruese. Duket se ato kanë një ndikim shumë më të fortë dhe të qëndrueshëm sesa shprehjet pozitive. Mjafton të mendosh që duke lexuar një listë me fjalë negative, niveli i ankthit rritet. Shembuj janë: “vdekje”, “sëmundje”, “trishtim”, “dhimbje”, “mjerim”, etj.

Disa studime tregojnë se efekti i një fjale negative nuk është i barabartë me atë të një fjale pozitive. Ky efekt është edhe më i theksuar kur fjala negative është drejtuar specifikisht te personi dhe te karakteristikat e tij. Për të zbutur efektin e një fjale negative, duhen të paktën pesë fjalë pozitive. Një ndjesë nuk mjafton. Duhet të bëjmë shumë më mirë.

Fenomene interesantë janë vërejtur edhe në ambientet e punës. Është treguar, për shembull, se nëse një punonjës merr shpesh fjalë vlerësimi dhe mirënjohjeje për punën e tij, ai lidhet më shumë me profesionin dhe bëhet më bashkëpunues dhe produktiv.

 

Të jemi të kujdesshëm me fjalët që themi

Një person thotë mesatarisht rreth 70,000 fjalë në ditë. Duke qenë një akt kaq i shpeshtë dhe i përditshëm, nuk mund ta nënvlerësojmë vlerën e tij. Fundja, siç thamë, fjalët janë thelbi ynë dhe baza e marrëdhënieve tona. Përdorimi i duhur i fjalëve ka potencialin e madh për të përmirësuar ose përkeqësuar jetën tonë.

Është shumë e rëndësishme, pra, të jemi të kujdesshëm në mënyrën si përdorim gjuhën. Sidomos në situata tensioni, konflikti ose shqetësimi. Në këto raste, nuk duhet të kemi kujdes vetëm për atë që u themi të tjerëve, por edhe për ato që i themi vetes. Ndonjëherë, mjafton një moment heshtjeje për të gjetur fjalët e duhura për të shprehur më mirë atë që mendojmë apo ndiejmë.

Potenciali i fjalëve është me të vërtetë i jashtëzakonshëm. Psikiatri kolumbian Carlos Cuéllar sugjeron që ta fillojmë dhe ta përfundojmë ditën duke falënderuar që jemi gjallë. Ky gjest i thjeshtë mjafton për të përmirësuar ndjeshëm shëndetin tonë fizik dhe mendor. Le ta kthejmë gjuhën tonë në një aleat të mirëqenies personale dhe jo në një kurth.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top