FB

October 20, 2025 | 12:30

Fjalitë që prindërit e fëmijëve me autizëm dëgjojnë shpesh, dhe pse janë të dëmshme

Të rriturit që kujdesen për fëmijë me çrregullime neurozhvillimore, si autizmi, përballen shpesh me komente të pandjeshme, të painformuara ose thjesht të pasjellshme nga të tjerët, qofshin këta të afërm, mësues apo edhe prindër të tjerë.

mami-femije-autik

Edhe pse shumë nga këto komente ndoshta nuk bëhen me qëllim të keq, ato mund të lënë pasoja emocionale tek prindërit, duke i bërë të ndihen të vetmuar, të gjykuar ose të padukshëm në përpjekjet e tyre për të mbështetur fëmijët.

Ekspertët theksojnë se shumë keqkuptime lidhen me idenë e gabuar që njerëzit kanë për autizmin, duke e parë si një sëmundje që ka një “pamje të caktuar” ose që mund të “kurohet” nëse prindi sillet ndryshe. Në vijim, disa nga komentet më të zakonshme dhe pse duhen shmangur:

 

1.”Ajo nuk duket sikur është me autizëm.”

Autizmi nuk ka një “pamje” të veçantë. Ky koment e vë në dyshim vetë diagnozën dhe i bën prindërit të ndihen sikur duhet të justifikojnë nevojat e fëmijës së tyre. Në vend që të ndihmojë, ky lloj reagimi krijon pasiguri dhe ndjenjë mosbesimi.

 

2.”E di që fëmija im nuk ka probleme si i yti…”

Kjo frazë, shpesh e shoqëruar me keqardhje, izolon prindin dhe e bën të ndihet i veçuar. Në vend të mbështetjes, krijohet një hendek mes përvojave, që shpesh çon në prishje marrëdhëniesh me miq e familjarë.

 

3.”Fëmija yt është me funksionim të lartë, je me fat.”

Etiketat si “funksionim i lartë” ose “funksionim i ulët” janë të dëmshme sepse nënvlerësojnë sfidat reale që ka një fëmijë në jetën e përditshme. Ato thjeshtojnë një realitet kompleks dhe e reduktojnë individin në një kategorizim të gabuar.

 

4.”S’mund ta disiplinosh pak më mirë?”

Shumë njerëz gabimisht mendojnë se sjelljet e lidhura me autizmin janë pasojë e mungesës së disiplinës. Kjo e zhvendos fajin tek prindi dhe e minimizon natyrën neurozhvillimore të autizmit. Prindërit nuk kanë nevojë për gjykim, por për mbështetje dhe mirëkuptim.

 

5.”Ke provuar këtë dietë/kurë?”

Sugjerime të tilla – si dieta pa gluten, pa sheqer, detox apo pyetje mbi vaksinimin – mbartin nëntekstin se prindi është përgjegjës për gjendjen e fëmijës. Ky lloj qëndrimi është i dëmshëm sepse nxit fajësimin e prindërve për diçka që nuk është në kontrollin e tyre.

 

Edukimi si zgjidhje

Autizmi është pjesë e neurodiversitetit njerëzor dhe nuk është as sëmundje, as diçka që duhet “kuruar”. Prindërit e fëmijëve autikë nuk kanë nevojë për këshilla të padëshiruara, as për gjykim. Ajo që nevojitet është vetëdije, ndjeshmëri dhe edukim nga shoqëria. Siç thekson një nënë dhe mjeke: “Këto janë komente që injorojnë faktin se përballë tyre janë njerëz të vërtetë, me ndjenja të vërteta.” Përmirësimi i mënyrës se si flasim për autizmin është hapi i parë drejt një shoqërie më përfshirëse dhe më humane.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top