Mirëqenie

April 16, 2016 | 11:47

Fjodora Fjora: Kur aromat shkarkojnë stresin

Ndodh që në pasditet e saj të trishta, prehjen shpirtërore të mos e gjejë në faqet e ndonjë libri interesant, gjetiu në një shëtitje në natyrë të pastër apo takim me miqtë e ngushtë. Në kësi ditësh gri, preferon të bëjë vetëm një gjë: të qëndrojë në shtëpi, të ngulë këmbët fort te këndi i kuzhinës dhe të përgatisë një kek “made by Fjodora”. Nuk ka recetë të gatshme, ka vetëm fantazi dhe përbërës të veçantë që i ndryshojnë gjendjen emocionale.

Nuk dëshiron ta quajnë amvisë shembullore, por një shijuese të rafinuar! Është e pandreqshme në këtë pikë, madje nuk pranon asnjë lloj kompromisi. Gustot i ka të holla, sepse jo çdo gjë mund të kalojë përmes stomakut të saj. Për Fjodora Fjorën ka rëndësi jo vetëm ajo çka serviret, por kryesore është që ajo të jetë marinuar me erëzat e saj të preferuara dhe aromat e veçanta që ajo kërkon t’i ndjejë pa hyrë mirë në shtëpi… për të mos thënë, qysh kur ngjit shkallët e apartamentit! Ndodh që në pasditet e saj të trishta, prehjen shpirtërore të mos e gjejë në faqet e ndonjë libri interesant, në një shëtitje në natyrë apo takim me miqtë e ngushtë. Në kësi ditësh gri, preferon të bëjë vetëm një gjë: të qëndrojë në shtëpi, të ngulë këmbët fort te këndi i kuzhinës dhe të përgatisë një kek “made by Fjodora”. Nuk ka recetë të gatshme, ka vetëm fantazi dhe përbërës të veçantë që i ndryshojnë gjendjen emocionale. Kënaqësinë më të madhe e shijon pikërisht në çastin kur aroma e vaniljes dhe e karamelit, shpërndahet në ajër dhe mbush tërësisht shtëpinë e saj. Këto erëra e çtensionojnë duke i larguar stresin, pas një ditë të ngarkuar me punë, dhe duke i krijuar gati një gjendje totale relaksi. Marrëdhënien me erëzat, e ka më tepër se të veçantë. Është si diçka e brendshme, ndjesore. Asnjëherë nuk gatuan pa i futur ato në punë, në funksion të recetës dhe të shijes së rafinuar që i japin çdo lloj pjate të përgatitur. Sirtarët e kuzhinës i ka të mbushura plot me shishe të vogla dhe vazo me erëza të freskëta. Edhe kur ulet për të ngrënë, ka nevojë që t`i shohë të rreshtuara njësoj si gurët e shahut. Përdor të njëjtën zgjuarsi dhe taktikë që kërkon kjo lojë, por sigurisht i beson shijes së hollë e nuhatjes, më shumë sesa dhe asaj që shkruhet në librat e kuzhinës. “Që të gatuash mirë, do të thotë të vësh shijen në atë që bën. Kjo përforcohet edhe më shumë me përdorimin e erëzave që janë aq të veçanta dhe të rralla. Ka disa prej tyre, që kur unë i kam zbuluar për herë të parë, gati i adhurova”. Për Fjodorën, i gjithë procesi i gatimit është relaks, nëse ti e merr me nge, i kushton gjithë kohën e nevojshme dhe përdor asortimentet e duhura në recetat specifike. “Përpara se të ushqehem, unë kam në mendje shijen. Gatuaj gjithmonë me salcat dhe erëzat më të dashura për mua, piperi i zi i freskët, piperi jeshil. Kur përgatis mish të egër nuk harroj ta marinoj me dëllinjë, dafinë. Përdor salcën e tartufit, arrëmyshkun, kanellën… Gjithë erëzat dhe salcat e mundshme që ekzistojnë, të cilat i blej në supermarketet e Tiranës, ose shpesh edhe në daljet jashtë shtetit. Në listën e ushqimeve të saj të preferuara, janë supat, peshku i skarës, pastat, etj. Por asnjëherë nuk ka provuar të konsumojë një byrek “alla” shqiptar. Në të rrallë ndodh t’i shkojë mendja për një të tillë, por zgjidhjen e gjen vetëm te restorantet kineze, ku porosit byrek të veçantë kinez. Por ka edhe një gjë që e ndihmon për t’u ndier mirë: rregulli absolut në këndin e kuzhinës. Sepse rrëmuja përreth i shkakton vërtet tension: “Jam shumë e kujdesshme në mbajtjen pastër të ambientin kur gatuaj. Çdo gjë që marr nga sirtarët e vë menjëherë në vend sapo mbaroj punë. Më shqetësojnë gjërat e shpërndara gjithandej. Është diçka e brendshme besoj…”, shton ajo. E po kaq i jep rëndësi serviseve. Për shembull: “Në udhëtimin e fundit në Kubë, bleva një set të veçantë lugësh e pirunësh prej druri bambuje. Nuk kanë ndonjë funksion të veçantë, thjesht më pëlqente ideja t’i kisha në kuzhinën time”. Arti i të gatuarit të Fjodorës është vërtet një miksim shijesh dhe kulturash, njësoj si dhe erëzat e saj të preferuara. Dhe pak grimca ballkanike, italiane dhe orientale e bëjnë Fjodora Fjorën të çohet gjithmonë e kënaqur nga tryeza e ngrënies.

2

Botuar në revistën Psikologjia, korrik 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top